Kreu i BFI-së në mesazhin e Bajramit: T’i lutemi Zotit për ta tejkaluar sprovën e pandemisë

Ushtruesi i detyrës kryetar i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu, ka uruar besimtarët muslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, e cila shënohet nesër dhe është ditë jo pune për komunitetin musliman në këtë vend.

Fetahu në mesazhin e tij me rastin e Kurban Bajramit ka theksuar pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), me të cilën ashtu si mbarë bota po përballet edhe Maqedonia e Veriut.

Ai bëri thirrje që besimtarët muslimanë të vazhdojnë të jeni në shërbim të tejkalimit të kësaj pandemie, sepse me këtë, siç tha ai, do të jemi në shërbim të Zotit.

“Me lutjet tona t’i drejtohemi të madhit Zot, që me mëshirën e Tij të lëshojë ndihmën e Vet të pakufishme që ta tejkalojmë sprovën e madhe, të rrezikshme për njerëzimin, sëmundjen COVID-19 dhe njëherësh t’i lutemi që t’i shërojë të gjithë të sëmurët kudo në vend dhe anembanë botës, ndërsa viktimat që humbën jetën t’i përfshijë në mëshirën e Vet të pakufishme”, tha Fetahu.

Më herët, Fetahu konfirmoi se ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit të ri. Ai njoftoi se momentalisht është pa simptoma problematike dhe po qëndron në kurim shtëpiak.

Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka regjistruar 10.503 raste të konfirmuara me koronavirus, prej të cilëve 5.931 janë shëruar dhe 476 kanë vdekur. Numri i rasteve aktive me COVID-19 në vend aktualisht është 4.096./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne