Kreu palestinez paralajmëron SHBA-të

Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmud Abas ka paralajmëruar se çdo ndryshim në politikën amerikane në qytetin e pushtuar të Kodsit do të dëmtonte seriozisht përpjekjet e paqes dhe do të dëmtonte interesat e Palestinës.

“Çdo hap amerikan që lidhet me njohjen e Kodsit si kryeqytet i Izraelit, ose me lëvizjen e ambasadës amerikane në Kods, përbën një kërcënim për të ardhmen e procesit të paqes dhe është i papranueshëm për palestinezët, arabët dhe për bashkësinë ndërkombëtare”, tha Abas të dielën. “Ne besojmë se një hap i tillë amerikan, nëse ndodh, do të fusë rajonin në një kurs të ri dhe në një fazë të rrezikshme, pasojat e të cilave nuk mund të kontrollohen”, shtoi kreu palestinez. Nga ana e tij, kryenegociatori kryesor palestinez, Saeb Erekat, tha se një veprim i tillë nga Uashingtoni do të “nxiste anarkinë ndërkombëtare dhe mosrespektimin e institucioneve dhe ligjit global”, ndërkohë që do të diskualifikonte SHBA-të nga “çdo rol në çdo iniciativë drejt arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”. Sot, Ministria e Punëve të Jashtme e Autoritetit Palestinez bëri thirrje për një takim emergjent të Ligës Arabe dhe të OBI mbi çështjen e Kodsit të pushtuar./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne