Bota Opinion

Krimet izraelite kundër njerëzimit: Në kujtim të masakrës së Sabras dhe Shatilës

Institute for Middle East Understanding

Masakra e Gazës është pjesë e procesit të gjatë të krimeve izraelite kundër njerëzimit. Ky artikull përshkruan një nga mizoritë më të këqija të historisë moderne të Lindjes së Mesme të kryera kundër popullit të Palestinës.

Në 16 shtator 1982, militantët e krishterë libanezë, në aleancë me Izraelin hynë në kampin e refugjatëve palestinezë të Shatilës dhe në lagjen e afërt të Sabras në Bejrut dhe nën vëzhgimin e ushtrisë izraelite filluan një masakër që shkaktoi zemërim në mbarë botën. Pas një dite e gjysëm, deri në 3500 civilë palestinezë dhe libanezë, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, u vranë në një nga mizoritë më të këqija të historisë moderne të Lindjes së Mesme. New York Times ka botuar kohët e fundit një artikull që përmban detaje të reja të diskutimeve të zhvilluara midis zyrtarëve izraelitë dhe amerikanë përpara dhe gjatë masakrës. Ata zbulojnë se si zyrtarët izraelitë, të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i mbrojtjes Ariel Sharon, i mashtruan diplomatët amerikanë, duke kundërshtuar shqetësimet e tyre për sigurinë e banorëve të Sabras dhe Shatilës.

Ngjarja

– Në 6 qershor 1982, Izraeli nisi një pushtim masiv të Libanit. Ai ishte planifikuar prej kohësh nga ministri izraelit i mbrojtjes Ariel Sharon, i cili donte që ta shkatërronte ose ta dobesonte rëndë Organizatën Çlirimtare të Palestinës (OÇP), e cila në atë kohë ishte e vendosur në Liban. Sharon planifikoi gjithashtu të instalonte një qeveri marionete të udhëhequr nga aleatët e Izraelit, libanezët e krishterë maronitë, Partia Falangiste e krahut të djathtë.

– Forcat izraelite avancuan deri në kryeqytetin e Bejrutit, duke e rrethuar dhe bombarduar pjesën perëndimore të qytetit ku ndodheshin zyrat qendrore të OÇP-së dhe ku gjendej edhe kampi Shatila i refugjatëve palestinezë dhe lagja e afërt e Sabras.

– Sulmi i përgjakshëm i Izraelit i kryer përgjatë gjithë javës në Bejrutin Perendimor, shkaktoi kritika të ashpra ndërkombëtare, përfshirë edhe kritika kundër administratës amerikane të Ronald Reaganit, e cila akuzohej se i kishte dhënë “dritën jeshile” Izraelit për të nisur pushtimin. Sipas një marrëveshjeje të armëpushimit e ndërmjetësuar nga SHBA, liderët e OÇP-së dhe më shumë se 14,000 luftëtarë do të evakuoheshin nga vendi, kurse SHBA kishte dhënë siguri me shkrim për sigurinë e qindra mijëra civilëve palestinezë të lënë pas. Marinsat amerikanë u vendosën si pjesë e një force shumëkombëshe për të mbikëqyrur dhe siguruar sigurinë gjatë evakuimit.

– Më 30 gusht, kryetari i OÇP-së Jaser Arafati u largua nga Bejruti së bashku me pjesën e mbetur të luftëtarëve palestinezë të vendosur në qytet.

– Më 10 shtator, marinsat largohen nga Bejruti. Katër ditë më vonë, më 14 shtator vritet Bashir Gemayel, kreu i falangave, aleatëve të Izraelit. Gemayel sapo ishte zgjedhur president i Libanit nga parlamenti libanez, nën mbikëqyrjen e ushtrisë pushtuese izraelite. Vdekja e tij ishte një goditje e rëndë për planet e Izraelit për vendin. Një ditë më pas, forcat izraelite shkelën marrëveshjen e armëpushimit, futen në qytet dhe pushtojnë Beirutin Perëndimor.

Masakra

Të mërkurën, më 15 shtator, ushtria izraelite rrethon kampin e refugjatëve palestinezë të Shatilës dhe lagjen e afërt të Sabras në Bejrutin Perëndimor. Të nesërmen, më 16 shtator, ushtarët izraelitë lejuan që rreth 150 militantë falanga të hynin në Sabra dhe Shatila.

– Falangat, të njohur për brutalitetin e tyre dhe me një histori mizorish kundër civilëve palestinezë, ishin armiq të betuar të OÇP-së dhe aleatëve të saj, majtistë dhe muslimanë, përgjatë viteve të luftës civile të Libanit. Militantët falanga të tërbuar nga zemërimi besonin gabimisht se udhëheqësi i tyre, Gemayeli ishte vrarë nga palestinezët. Në të vërtetë ai ishte vrarë nga një agjent sirian.

– Përgjatë një dite e gjysëm, falangat kryen mizori të papërshkrueshme si përdhunime dhe masakrime, nga ku mbetën të vrarë 3500 civilë palestinezë dhe libanezë, shumica prej të cilëve gra, fëmijë dhe të moshuar. Sharoni më vonë do të pretendonte se ai nuk ishte në dijeni se falangat do të dëmtonin civilët, megjithatë kur diplomatët amerikanë kërkuan shpjegime se përse Izraeli e kishte thyer armëpushimin dhe kishte hyrë në Bejrutin Perëndimor, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite Rafael Eitan e arsyetoi këtë veprim duke thënë se ai u krye “për të parandaluar valën e hakmarrjes se falangave.” Në 15 shtator, një ditë para fillimit të masakrës, kryeministri izraelit Menachem Begin i tha të dërguarit të SHBA-së, Morris Draperit se izraelitët duhej ta okuponin Bejrutin Perendimor, “përndryshe, mund të kishte spastrime etnike dhe reprezalje”.

– Pothuajse menjëherë pas fillimit të vrasjeve, ushtarët izraelitë që mbanin të rrethuar Sabran dhe Shatilan u bënë të vetëdijshëm se civilët po vriteshin, por nuk bënë asgjë për ta ndaluar atë. Në vend të kësaj, forcat izraelite qëllonin natën në qiell me fishekë flakërues për të ndriçuar errësirën për falangat, në mënyrë që të mundësohej ardhja e përforcimeve në zonë gjatë ditës së dytë të masakrës dhe për të siguruar buldozerët që përdoreshin për largimin e trupave të shumë viktimave.

– Ditën e dytë, të premten më 17 shtator, një gazetar izraelit në Liban telefonoi Ministrin e Mbrojtjes Sharonin për ta informuar se në Sabra dhe Shatila po kryhej një masakër. Gazetari Ron Ben-Yishai më vonë kujton:

“E gjeta [Sharonin] në shtëpi duke fjetur. Ai u zgjua dhe i thashë: “Dëgjo, ka raportime për vrasje dhe masakra nëpër kampe. Shumë nga oficerët tanë janë dijeni për këtë dhe nëse ata e dinë, e gjithë bota do ta marrë vesh. Ju keni ende kohë që ta ndaloni atë. “Nuk e dija se masakra kishte filluar 24 orë më parë. Mendova se masakra kishte filluar gjatë atyre momenteve dhe i thashë: “Shiko, ne kemi ende kohë për ta ndalur atë. Bëj diçka. “Ai nuk reagoi.” ‘

– Të premten pasdite, gati 24 orë pas fillimit të vrasjeve, Eitani u takua me përfaqësuesit e falangave. Sipas një deklarate të zbuluar nga një oficer i inteligjencës izraelite thuhet: “[Eitani] shprehu përshtypje pozitive kur i erdhi deklarata e falangave mbi sjelljet e tyre në terren.” Ai u tha që të vazhdonin me spastrimin e kampeve në jug të Fakahanit deri të nesërmen në orën 5:00, kohë në të cilën ata duhet të ndalnin veprimet e tyre për shkak të presionit amerikan”.

– Të shtunën, i dërguari amerikan Morris Draper, i dërgoi një mesazh plot zemërim Sharonit ku i thoshte:

“Duhet ti ndaloni me patjetër masakrat. Ato janë të turpshme. Kam një oficer në kamp i cili po numëron trupat. Duhet tju vijë turp. Situata është e neveritshme dhe e tmerrshme. Ata po vrasin fëmijë. Ju jeni në kontrollin absolut të zonës, dhe për këtë arsye jeni përgjegjës për zonën. ‘

– Falangat si përfundim u larguan nga zona rreth orës 8 të së shtunës në mëngjes, duke marrë me vete shumë prej personave të mbijetuar për ti marrë në pyetje brenda një stadiumi futbolli. Marrja në pyetje u krye nga agjentët e inteligjencës izraelite, të cilët përsëri i dorëzuan shumë prej robërve tek falangat. Disa nga personat që ju kthyen falangave më vonë u gjetën të ekzekutuar.

– Rreth një orë pasi falangat u larguan nga Sabra dhe Shatila, në vendin e ngjarjes mbërritën gazetarët e parë dhe raportimet e para filluam të mbërrinin në botën e jashtme.

Shifrat e dëmeve

– Tridhjetë vjet më vonë, ende nuk ka asnjë numër të saktë për numrin e njerëzve të vrarë në atë masakër. Shumë nga viktimat u varrosën nga falangat nëpër varre masive dhe deri tani nuk ka pasur vullnet politik nga ana e autoriteteve libaneze për të hetuar.

– Një hetim zyrtar i Izraelit, Komisioni Kahan, arriti në përfundimin e bazuar në vlerësimin e inteligjencës ushtarake izraelite se ishin vrarë 700 deri ne 800 veta.

– Një hetim i gazetarit britanik, Robert Fisk, me bazë në Bejrut, i cili ishte një nga njerëzit e parë që arritën në vendngjarje pas përfundimit të masakrës, arriti në përfundimin se Gjysmëhënëa e Kuqe Palestineze e llogariti numrin e të vdekurve në më shumë se 2000.

– Në librin e tij Sabra & Shatila: Hetim i një masakre, gazetari izraelit Amnon Kapeliouk arriti në një shifër maksimale prej 3000 deri në 3500.

Pasojat

– Pas zemërimit ndërkombëtar, qeveria izraelite krijoi një komision hetimor, Komisionin Kahan. Hetimi i tij zbuloi se ministri i mbrojtjes Sharon mbante “përgjegjësi personale” për masakrën dhe rekomandoi që ai të lirohej nga detyra. Megjithëse Kryeministri Begin e largoi nga posti i tij si ministër i mbrojtjes, Sharon mbeti në kabinet si një ministër pa portofol. Ai do të vazhdonte të mbante poste të shumta nëpër qeveritë e ardhshme izraelite, duke përfshirë edhe ministrin e jashtëm gjatë mandatit të parë të kryeministrit Benjamin Netanyahu. Rreth 20 vjet më vonë, në mars të vitit 2001, Sharon zgjidhet kryeministër i Izraelit.

– Në qershor 2001, avokatët e 23 personave të mbijetuar nga masakra nisën procedime ligjore kundër Sharonit në një gjykatë belge, sipas një ligji që lejonte që njerëzit të ndiqeshin penalisht për krime lufte të kryera nëpër botë.

– Në janar 2002, udhëheqësi i falangave, shef i koordinimit me Izraelin gjatë pushtimit të vitit 1982, Elie Hobeika, u vra me një sulm me bombë në makinë në Bejrut. Hobeika drejtoi militantët falanga përgjegjës për masakrën dhe kishte njoftuar se ishte përgatitur që të dëshmonte kundër Sharonit, i cili në atë moment ishte kryeministër i Izraelit, në një gjykim të mundshëm për krime të luftës në Belgjikë. Vrasësit e Hobeikës nuk u gjetën kurrë.

– Në qershor 2002, një panel i gjykatësve belgë i rrëzoi akuzat për krime lufte kundër Sharonit, sepse ai nuk ishte i pranishëm në vend për t’u gjykuar.

– Në janar 2006, Sharon pësoi një goditje në tru dhe mbetet në koma.

Shtetet e Bashkuara

– Për Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin garantuar sigurinë e civilëve pas largimit të OÇP-së, masakra ishte një siklet i madh, e cila i shkaktoi dëme të mëdha në reputacionin e saj në rajon. Fakti se Sekretari Amerikan i Shtetit Alexander Haig besohej nga shumë se i kishte dhënë Izraelit “dritën jeshile” për të pushtuar Libanin, e komplikuan dëmin.

– Në vazhdën e masakrës, Presidenti Reagan i ridërgoi marinsat në Liban. Pak më shumë se një vit më vonë, 241 ushtarakë amerikanë do të vriten kur dy bomba masive kamionësh do të shkatërronin kazermën e tyre në Bejrut, duke bërë që Reagani të tërhiqte forcat e SHBA-së.

Palestinezët

– Për palestinezët, masakra e Sabras dhe Shatilas ishte dhe do të mbetet një ngjarje traumatike, e cila përkujtohet çdo vit. Shumë të mbijetuar vazhdojnë ende të jetojnë në Sabra dhe Shatila me kujtimet e tyre për masakrën. Deri më sot, askush nuk është përballur me drejtësinë për krimet që ndodhën.

– Për palestinezët, masakra e Sabras dhe Shatilas shërben si një kujtesë e fortë tragjike e situatës së rëndë të miliona palestinezëve pa shtetësi. Ajo flet edhe për rreziqet që ata vazhdojnë të përballen në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën./globalresearch/Gazeta Impakt

Institute for Middle East Understanding