Opinion

Kritik artikullit të priftit katolik Gjergj Meta “Trashëgimia komuniste, si traumë historike që vazhdon na përndjek”

Nga: Fabjan Ceka

Kam shkruar mjaft artikuj ku kam shpjeguar pse Shqipëria post-socialiste është kjo që është dhe përse shqiptarët janë njerëz anti-qytetërim, anti-infrastrukturor, njerëz që urrejnë në mënyrë instinktive dhe irracionale punën, simetrinë dhe rregullin, duke e zbërthyer në mënyrë racionale parrullën totalitariste, injorante dhe antishkencore se “të gjitha fajet i ka komunizmi”.

Siç e ka thënë sociologu dhe psikologu francez, Gustave le Bon, në librin e tij për psikologjinë e turmave: “që një popull të ndryshojë mentalitetin e tij duhen shekuj dhe shumë revolucione”. Le Bon-i merrte si shembull Revolucionin Francez dhe kishte arritur në përfundimin se Revolucioni Francez nuk e kishte ndryshuar fare mentalitetin francez. Ai thotë se francezët katolik ishin para Revolucionit, dhe katolik mbetën pas Revolucionit.

Të njëjtët njerëz që kishin vrarë prifterinj gjatë Revolucionit, tani i puthnin dorën priftërinjve. Revolucioni Francez mbahet si një nga momentet kulmore të qyteterimit Perëndimor, një moment ku Perëndimi arriti një fazë emancipuese duke bërë një hap gjigand drejt progresit të shoqërisë.

Në kohët tona, Revolucioni Francez mbrohet nga mbarë shoqëria botërore si një vlerë e madhe e gjithë qytetërimit Perëndimor, por jo vetem. Revolucioni Francez ka qenë një periudhë ku priftërinjtë katolik vriteshin, masakroheshin, dhe çoheshin në gijotinë në sasi industriale.

Nuk mjaftonte shumë për të përfunduar në gijotinë, mjaftonte që revolucionarët të kishin thjesht një dyshim që një person ishte kundra revolucionit, dhe të hikte koka me kuptimin e vërtet të fjalës. Aristokratët, gjatë Revolucionit Francez, masakroheshin dhe bëheshin copa-copa nga revolucionarët duke kënduar himnin e revolucionit, la Marseillese. Vetë një pjesë shumë e madhe revolucionareve më të rëndësishëm, pra të atyre që morën pushtetin, përfunduan në gijotinë, nga ligjet që vetë ata kishin miratuar.

Sot Revolucioni Francez konsiderohet si një nga simbolet e qytetërimit Perëndimor. Konsiderohet si diçka për të qenë krenar, dhe që vlerat dhe parimet e Revolucionit duhen mbrojtur, pasi këto parime, sot, janë parimet kryesore mbi të cilat është ndërtuar qyteterimi Perëndimor modern.

Gjithsesi, shoqëria Perëndimore mbetet një shoqëri thellësisht hipokrite në qasjen e saj me revolucionin tjetër që arriti të shkund nga themelet botën e vjetër: Revolucioni i Tetorit, i cili i dha një shpresë të madhe të gjithë popujve të shtypur siç ishte edhe Shqipëria gjatë pushtimit fashit Italian. Për progresin që u arrit në Shqipëri gjatë socializmit kam folur gjerë e gjatë në shumë shkrime të miat, por ja vlen gjithmonë për tu përmendur disa, pasi shumë nga këto arritje të medha, nuk ishin arritur kur në historinë e njerëzimit. Këto arritje nuk egzistonin as edhe në vendet më të emancipuara të Perëndimit. Roli i gruas në shoqërinë shqiptare ndryshoj komplet gjatë socializmit.

Para socializmit gruaja shqiptare ishte thjesht një nga kafshët shtëpiake. Ajo ishte analfabete, dhe roli i saj ishte të kryente punë fizike nga mëngjesi deri në dark, pasi burri nuk punonte. Për burrin shqiptar pre-socialist, puna ishte turp. Gjatë periudhës gati 50 vjeçare të socializmit në Shqiperi, gruaja shqiptare mësoj të lexoj dhe të shkruaj. Gruaja shqiptare u bë shkencëtare, mjeke, inxhinjere, arkitekte. Ajo fitoj dinjitetin, të cilin nuk e kishte patur kurrë, dhe u bë e emancipuar dhe e pavarur, në kundershtim me çfarë ndodhte në vende të cilat ndodheshin në diktatura katoliko-fashiste si Spanja e Francisco Franco-s. Në këto vende katoliko-fashiste, por jo vetëm, gruas i mësohej se ajo ishte inferiore ndaj burrit, nuk ishte intelektualisht e aftë sa burri, ajo nuk duhej të shkollohej, ajo nuk duhej të punonte, por të rrinte në shtëpi të qepte dhe ta perceptonte burrin si diçka superiore ndaj saj. Mjafton vetëm ky fakt për ta demontuar tërësisht artikullin e priftit katolik Gjergj Meta: “Trashëgimia komuniste, si traumë historike që vazhdon na përndjek”.

Në këtë artikull, Gjergj Meta krijon një version të shoqërisë bashkohore shqiptarët ku të gjitha fajet i ka komunizmi. Ai shkruan: “Shoqëria shqiptare është një shoqëri e traumatizuar dhe kjo traumë ka një emër dhe një shkaktar: komunizmi.” Gjergj Meta deformon haptasi realitetin shqiptar duke i shumëzuar me zero të gjitha masakrat, krimet ndaj njerëzimit, metodat terroriste, genocidin që i është bërë Shqipërisë të post-90s, firmat piramidale, shkatërrimin disa herë të shtetit shqiptar, djegjen disa herë të Shqipërisë, që kanë bërë ata persona që thonin e duam Shqiperine si gjithe Europa dhe përmendnin “çekun e bardhë” për të legjitimuar shkatërrimin e të gjithë punës që ishte bërë në socializëm, industrisë, uzinave, fabrikave, teknologjisë, fermave dhe kooperativave, duke i lënë shqiptarët pa punë dhe në mesë të katër rrugëve, dhe duke i mbytur ato në kanalin e Otrantos.

Është e vërtet që shoqëria shqiptare është e traumatizuar, por kjo traum vjen nga pasojat e “terapisë së shokut” që i u implementua shoqërisë shqiptare nga Partia “Demokratike” duke e kthyer Shqipërinë në “epokën e gurit”, si rrjedhojë e dizintegrimit të ekonomisë të planifikuar socialiste, duke përdorur metoda djallëzore të tipit përça dhe sundo, duke lënë njerëzit pa punë, duke armiqësuar veriun me jugun e vendit, duke krijuar ekonomi fajdesh, duke përdorur dyndje popullsish nga veriu i Shqipërisë dhe duke i sjellu këto popullsi në Tiranë për të shkatërruar qytetin e Tiranës, për të zaptuar toka publike duke ndërtuar pa planifikim duke e kthyer Tiranën në një turp të përmasave globale.

Vazhdon Gjergj Meta: “Trauma e shkaktuar nga komunizmi në Shqipëri “i ka rrënjët në gjak”, sikurse thonte një parullë e asaj kohe. Kjo traumë ka përfshirë jo vetëm individë, por gjithë shoqërinë shqiptare. Ajo nuk kufizohet në një kohë të caktuar, por shtrihet historikisht e trashëgohet edhe tek individë që nuk e kanë jetuar atë kohë e që kanë lindur në vitet e fundit të komunizmit, ose edhe në vitet e demokracisë. Trauma psikologjike e prindërve apo edhe gjyshërve trashëgohet te fëmijët, te brezat në përgjithësi.” Këtu, Gjergj Meta, del me teorinë se edhe njerëz që nuk kanë jetuar në socializëm janë të traumatizuar për shkak se në atë kohë njerëzit kanë qenë të traumatizuar, sipas tij. Pra, rinia e sotme shqiptare është e truamatizuar jo nga terrori që i u është bërë shoqërisë shqiptare në këtë periudhe gati 30 vjeçare kapitalizmi, nga shembujt që përmenda më sipër, por pasi në socializëm shqiptarët filluan të punonin për herë të parë në historinë e tyre, filluan të punonin tokën, filluan të ndërtonin një infrastrukturë ekonomike ku të gjithë shqiptarët të punonin, dhe jo të rrinin këmbëkryq siç rrinin deri në kohën e Zogut.

“Pa përmendur torturat, terrorin, si në rastin e të pushkatuarve në Qafën e Valmirit, apo në Gurëz të Kurbinit, keqtrajtimet nëpër burgje e kampe si ai i Tepelenës”. Në këtë pasazh, Gjergj Meta, mbron në mënyrë indirekte grupime terroristësh që i kishin shpallur luftë shtetit legjitim shqiptar, një retorikë që e vejm re shpesh nëpër medjat shqiptare, ku terroristë, që në çdo vend normal të botës do quhëshin terrorist, sot, në Shqipëri, quhen heronj të demokracisë.

Vijmë te pjesa me interesante e artikullit. “Dekomunistizimi prandaj nuk është një fakt simbolesh apo teorish, nuk është çirrje kundër komunizmit. Dekomunistizim do të thotë detraumatizim dhe trauma trajtohet klinikisht. Nuk mjafton vetëm studimi i komunizmit, hapja e dosjeve, kujtimi i së kaluarës apo aq më keq, dalja me logjikën “ka kaluar tani” apo “të gjithë kemi vuajtur në atë kohë”, por duhet një përpunim shpirtëror dhe psiko-afektiv i kësaj të kaluare traumatike.” Në këtë fragment, shfaqen haptazi tendencat fashiste të Gjergj Metës. Me një përdorim gjuhe që do ta kishte zili edhe dr. Mengele, shkruesi i artikullit, është me idenë se shqiptarët duhet të trajtohen klinikisht për tu dekomunistizuar. Ky pasazh, me këtë lloj fjalori, të sjell në mend gjuhën dhe metodat çnjerëzore që përdornin nazistët kundra të burgosurve të cilët ata mbanin nëpër kampe përqëndrimi duke i trajtuar njerëzit si kavje për të bërë eksperimentet e tyre anti-njerezore dhe për të parë rezultatet që këto eksperimente shkaktonin në trupat dhe mendjet e njerëzve.

“Ikja e shqiptarëve në vitet ‘90 dhe ajo e viteve të fundit, qoftë si dëshirë e qoftë si fakt, është ikje nga trauma. Nuk është vetëm nevojë ekonomike, është mbi të gjitha ikje nga realiteti, mos durimi i këtij realiteti dhe i hijeve që ai mbart. Është një protestë e heshtur ndaj realitetit traumatik edhe pse ndoshta jo protesta e duhur. Ikja e zhvendos problemin, por nuk e zgjidh, sepse trauma të ndjek kudo nëse nuk e trajton.” Gjergj Meta vazhdon me hipotezat e tij se edhe ikja e shqiptarëve mund të shpjegohen vetëm me idenë se shqiptarët po ikin nga trauma, një traum e shkaktuar nga komunizmi. Në këtë pasazh shofim haptazi mohimin e realitetit të Gjergj Metes. Për atë, dëmet ekonomike, shpirtërore dhe mendore të shkaktuara nga kapitalizmi në Shqipëri nuk egzistojnë.

“Për këto arsye demokracia nuk funksionon në Shqipëri, madje as me njerëz të rinj dhe nuk mund të ndodhë derisa të mos trajtohet trauma komuniste.” Ketu vazhdon retorika me tendenca fashiste. Asgje nuk funksionon ne Shqiperi pa u trajtuar trauma komuniste. Për Gjergj Metën po nuk u trajtuan klinikisht shqiptarët, pasi traumën e mbartin individët, nuk ka shpëtim për Shqipërinë. Në këtë fragment jemi në një gjuhë thellësisht totalitare, një gjuhë që ka çuar miliona njerëz në kampet e përqendrimit nazist. Për Gjergj Meten, liria e individit nuk egziston, njeriu duhet të trajtohet klinikisht, pasi njerëzit nuk janë të aftë ta përpunojnë apo të elaborojnë vetë dhimbjet e tyre.

“Viti i fundit ka treguar se sa e thellë është kjo traumë që do të na ndjekë për shumë kohë e do të ndikojë edhe në brezat që do të vijnë.” Në këtë pasazh jemi në kulmin e delirit totalitar, me një gjuhë tejet të rrezikshme. Autori i artikullit, në mënyrë fataliste, nuk është i qetë për të ardhmen e shqiptarëve, për arsyen se trauma komuniste do i ndjek edhe në të ardhmen shqiptarët. Këtu kemi të bëjmë thjesht dhe qartë me mani persekutimi.

“Ne nuk e kemi trajtuar ende si dhe sa duhet këtë fakt. Ndoshta sepse jemi si peshku në ujë që jeton aty “natyrshëm”. Kemi vështirësi ta shohim nga jashtë dhe nga larg këtë plagë që na ka shkaktuar komunizmi. E ndërkohë, ajo vazhdon të shkaktojë viktimat e saj dhe të “gjakosë” ende shoqërinë tonë e ta bëjë atë të paqëndrueshme e shpresëpakët.” Në këtë mënyrë, Gjergj Meta, mbyll artikullin e tij, ku ai i shef shqiptarët si të damkosur nga trauma komuniste. Ai mendon se shqiptarët u traumatizuan aq shumë nga komunizmi sa që kjo traumë vazhdon edhe sot e kësaj dite të gjakosë shqiptarët. Ky artikull i priftit Gjergj Meta është një turp, pasi autori i shkrimit nuk shikon realitetin në të cilin ndodhet shoqëria shqiptare e periudhe se post-socializmit. Shkrimi është tendencioz me nota të thella të një gjuhe fashiste dhe totalitariste, e cila ka për qellim mohimin e punës që shqiptarët arritën në socializëm, një punë që Gjergj Meta nuk e pranon dhe e përbuz, pasi ai nuk do një shoqëri shqiptare të emancipuar dhe të qytetëruar siç u arrit në socializem, ai e do Shqipërinë siç ishte deri në kohën e pushtimit fashist Italian, me një popull analfabet, injorant, që e përçmon punën dhe i mësuar të rri pa punë./gazetaimpakt

OPINIONE