Kriza e refugjatëve Rohingya: Sindroma e Bejrutit në Cox’s Bazar

Khawaza Main Uddin  

I duartrokitur në gjithë botën për mirëpritjen e refugjatëve Rohingya në Cox’s Bazar të Bangladeshit dy vite më parë, komuniteti lokal po frustrohen ndaj qëndrimit të zgjatur të shtetasve të Mianmarit në tokën e tyre.

Shumë prej pritësve në këtë vend nuk mund të fshehin pakënaqësinë e tyre pas dështimit të përpjekjes së madhe për riatdhesim më 22 gusht dhe tubimit të madh të 25 gushtit të refugjatëve Rohingya për të shënuar përvjetorin e dytë të dëbimit të tyre nga shteti Arakan (Rakhine) i Mianmarit.

Që nga momenti kur u shprehën të qetësuar për mosdeportimin e tyre në Mianmar, Dhaka e kuptoi se kishte shumë pak mundësi që t’i kthente ata përsëri në Mianmar.

Muslimanët etnikë pa shtet, të cilët kanë tejkaluar numrin e vendasve, janë shprehur se nuk duan të kthehen në atdheun e tyre derisa t’u garantohet njohja si shtetas të Mianmarit, siguria e jetës dhe pronave të tyre.

Autoritetet po tregojnë shenja të ashpra dhe populli vendas paraqet armiqësi ndaj refugjatëve Rohingya. Tensionet po rriten që nga vrasja e një lideri lokal gjoja nga një grup Rohingya më 23 gusht dhe vrasja pasuese e katër refugjatëve në incidentin që organet e zbatimit të ligjit e raportuan si “zjarr i kryqëzuar” (shkrepje me armë nga dy ose më shumë drejtime).

Sipas raporteve zyrtare, të paktën dhjetë refugjatë Rohingya u vranë në shkrepje të tilla armësh gjatë muajit të fundit.

Kjo situatë kujton krizën palestineze të refugjatëve në Bejrut të Libanit, vend i shkatërruar nga lufta civile i kufizuar me shtetin e Izraelit të themeluar në tokën palestineze në vitin 1948.

Disa grupe libaneze u përfshinë në konflikt me palestinezët në Bejrutin i cili dikur ishte i gjallë si Casablanca ose Dubai, kurse më pas u shndërrua në një qytet të plagosur.

Në vitin 1982, mbi 3.500 civilë, kryesisht palestinezë dhe libanezë, u vranë në masakrat në Sabra dhe Shatila të kryera nga një milici e krahut të djathtë aleat me Izraelin. Guerilët e udhëheqësit palestinez, Yasser Arafat, u nxorën përfundimisht nga Bejruti pas një rrethimi nga forcat izraelite.

Cox’s Bazar, një qytet me plazh që ndan kufirin me Mianmarin, ka pritur në shpatat e kodrave dhjetëra mijëra burra dhe gra që shpëtuan nga gjenocidi në Mianmar. Ata nuk u lejuan të hyjnë në Indinë fqinje në një kohë kur Turqia strehon tre milionë refugjatë sirianë.

Populli Rohingya në numër të madh erdhi edhe në vitet 1978 dhe 1992 dhe shumica nuk e lëshuan Bangladeshin.

Numri i tyre i përgjithshëm në Cox’s Bazar është rreth 1,1 milion dhe është më shumë se dyfishi i ushtrisë së refugjatëve të Palestinës në Liban midis viteve 1948 dhe 1982.

“Zona jonë ka qenë e mbushur me njerëz, çmimet e mallrave janë rritur dhe pas fluksit të tyre jetesa jonë është prekur seriozisht”, ka thënë Nurul Kabir, një anëtar në Këshillin e Unionit Rajapalong në Ukhiya, zonë ku janë ngritur shumica e kampeve.

Disa të tjerë fajësuan refugjatët Rohingya për shkatërrimin e pyjeve dhe kodrave, si dhe për rritjen e numrit të automjeteve në lagjen e tyre. Një grup prej tyre filloi një fushatë “për të shpëtuar Cox’s Bazar-in nga infiltruesit”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Bangladeshit, AK Abdul Momen, nxori në pah irritimin e tij pas ndërprerjes së iniciativës politike të ndërmjetësuar nga Kina për të riatdhesuar refugjatët Rohingya, pasi ata kishin frikë nga shtypja e mëtejshme në Mianmar.

“Rohingya duhet të kthehen përsëri. Ne duam që situata atje të përmirësohet. Qëllimi ynë është t’i riatdhesojmë ata. Do të ndërmerren hapa nëse dikush pengon procesin”, u tha Momen gazetarëve.

Qeveria e partisë së tij, “Awami League”, ka ndaluar funksionimin e 41 organizatave joqeveritare në kampet e refugjatëve Rohingya pasi ato po kritikohen për ndërprerjen e masës së fundit të riatdhesimit pas një përpjekjeje tjetër të dështuar në nëntor të vitit të kaluar.

Që nga goditja ushtarake e Mianmarit më 25 gusht të vitit 2017 që çoi në eksodin e më shumë se 730 mijë muslimanëve Rohingya në Bangladesh, rreth 1.100 banorë të kampeve thuhet se janë arrestuar dhe akuzuar për krime të ndryshme.

Human Right Watch me qendër në New York kërkoi nga Dhaka të ndalojë kufizimet mbi lirinë e lëvizjes së refugjatëve Rohingya.

“Autoritetet duhet të marrin një qasje të drejtuar nga situata në vend që të reagojnë tepër ndaj tensioneve dhe protestave duke i izoluar refugjatët Rohingya në kampe”, tha Brad Adams, drejtori i grupit për Azinë, më 7 shtator.

Ekziston një tjetër ndjenjë, siç pati jehonë në plazhin e Cox’s Bazar-it ose siç u pasqyrua në rrjetet sociale, lidhur me atë se edhe për sa kohë refugjatët Rohingya do të qëndrojnë joaktivë dhe pse popullsia e dendur e Bangladeshit vazhdon të argëtojë mysafirët për vite me radhë.

Kur prania e refugjatëve ka qenë një sfidë, të dhënat zyrtare tregojnë se pothuajse 100 të sapolindur i shtohen për çdo ditë milionit.

Muhamet Abdul Kalam, komisioner për ndihmë dhe riatdhesim të refugjatëve, sapo ka përdorur eufemizëm për të shprehur keqardhje se komuniteti pritës është i ngarkuar me situatën që kur janë paraqitur presione në burimet lokale.

“Këta njerëz të zhvendosur kanë nevojë për mjete jetese. Ne nuk mund t’i durojmë ato për një periudhë të pacaktuar”, i tha Kalam së fundmi një delegacioni të huaj.

Bujaria e Bangladeshit për të pranuar refugjatët Rohingya në vitin 2017 u vlerësua gjerësisht dhe përkrahësit e partisë në pushtet më pas i dhanë lideres së tyre, kryeministres Sheikh Hasina, titullin unik “nëna e njërëzimit”.

Në vitin 2015, vendimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, për të lejuar hyrjen e më shumë se një milion migrantëve në vendin e saj fitoi respektin e saj global dhe ajo u bë konkurrente për Çmimin Nobel për paqe.

Duke shprehur zhgënjim ndaj politikës mbi refugjatët Rohingya, Rezaul Karim Chowdhury, drejtor ekzekutiv në organizatën e shoqërisë civile COAST Trust, në një postim në mediat sociale theksoi: “Fajësimi i organizatave joqeveritare për dështimin për të siguruar kthimin vullnetar të refugjatëve Rohingya është i pakuptimtë dhe mallkimi i njerëzve të pafuqishëm është çnjerëzor. Të gjithë ne mund të kontribuojmë në arritjen e suksesit diplomatik përderisa ne si komb nuk do të vdesim nëse i ushqejmë ata”.

Megjithatë, fjalët e tilla ndoshta nuk i ndalojnë të tjerët të kenë një vështrim të dyshimtë në kampet e refugjatëve Rohingya ku ajo që ndodh pas perëndimit të diellit nuk është e njohur për askënd në botën e jashtme.

* Autori është një gazetar në kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka, dhe është fitues i çmimit të OKB-së “Qëllimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit”, çmimit “Zhvillimi i Gazetarisë së Azisë” dhe atij “WFP”. Ai është i diplomuar në gazetari dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë medoemos politikën editoriale të Anadolu Agency (AA)./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne