Kriza e ujit e Palestinës, 50 vite padrejtësi

Gjersa temperaturat janë rritur në territoret palestineze, mijëra familje palestineze vuajnë nga mungesa të rënda të ujit, teksa izraelitët që jetojnë në vendbanimet e afërta hebraike posedojnë sasi të mëdha uji.

Sipas shifrave zyrtare palestineze, banorët izraelitë në Bregun Perëndimor konsumojnë mesatarisht dhjetë herë më shumë ujë sesa banorët palestinezë të territorit.

“Aktualisht, palestinezët në Bregun Perëndimor konsumojnë rreth 70 litra ujë për kokë banori në ditë,” tha për Anadolu Agency (AA) Abdel-Rahman Tamimi, i cili drejton Grupin Hidrologjik Palestinez.

“Në Izrael, ndërkohë, konsumi ditor për kokë banori është rreth 300 litra, ndërsa kolonët (izraelitë) në Bregun Perëndimor konsumojnë madje deri në 800 litra në ditë,” tha ai.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njerëzit kanë nevojë për një ndarje minimale ditore të ujit prej 100 deri 120 litra për të ruajtur standardin më themelor të jetesës.

Ndërsa popullsia palestineze është dyfishuar që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Oslos në vitin 1993, shuma e ujit në dispozicion në Bregun Perëndimor – rreth 110 milionë metra kub ujë në vit – ende mbetet në nivelet e vitit 1995, thonë ekspertët.

“Sipas marrëveshjeve,” tha Tamimi, “kuota e ujit të palestinezëve duhet të kishte arritur në 200 milion metra kub deri në vitin 2000.”

Izraeli, shtoi ai, “jo vetëm që ka dështuar të zbatojë fazën e dytë të marrëveshjes, por edhe ka zvogëluar sasinë e ujit të furnizuar palestinezëve me rreth 10 për qind”.

Mungesa e ujit është më e theksuar në Zonën C të Bregut Perëndimor, e cila, sipas kushteve të Marrëveshjes së Oslos, mbulon rreth 60 për qind të territorit.

Në Zonën C, më shumë se 150.000 palestinezë jetojnë në mbi 540 komunitete, 200 prej të cilave vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e madhe e ujit të pastër.

“Rreth 100.000 palestinezë në Zonën C jetojnë në komunitete që nuk janë të lidhura me rrjetin e ujit. Këto komunitete duhet të blejnë ujin e tyre nga kamionë, sepse Izraeli refuzon të lejojë që ato të lidhen me rrjetin e ujit”, shpjegoi Tamimi.

Sipas Byrosë Statistikore Palestineze, çdo metër kub i ujit i dorëzuar nga kamionët kushton rreth 0.25 dollarë – afërsisht katërfishi i çmimit të caktuar nga Autoriteti Palestinez i Ujit.

“Kjo është një barrë e madhe financiare për familjet palestineze, veçanërisht kur merret parasysh situata ekonomike tashmë e vështirë”, tha Tamimi.

“Pa ujë, jeta ndalon”

Mohamed Abu Haram, 56 vjeç, nga Arab al-Ramdin, një komunitet beduin pranë qytetit jugor të Hebronit (Al-Halil), tha për AA se ai ka nevojë për të paktën 80 metra kub ujë çdo javë gjatë verës.

“Kam një familje prej tetë anëtarësh dhe më shumë se 150 kokë bagëti. Prandaj ne kemi nevojë për shumë ujë”, tha Abu Haram.

“Ne jemi komunitete beduine. Mbështetemi në produktet e qumështit të prodhuara nga bagëtitë tona”, tha ai. “Pa ujë, jeta ndalon”, shtoi më tej Abu Haram.

I banuar nga rreth 6.500 palestinezë, Arab al-Ramdin ndodhet rreth 30 kilometra nga Hebroni, një zonë që ka qenë prej kohësh objekt i zgjerimit të vendbanimeve kolone izraelite.

Sipas kreut të këshillit lokal të Arab al-Ramdin, Ahmed Zagharneh, pjesa më e madhe e popullsisë së komunitetit varet nga blegtoria dhe bujqësia, të cilat janë ndikuar keq nga mungesa e ujit.

“Fshati nuk është i lidhur me rrjetin e ujit të ofruar nga Ministria e Pushtetit Lokal palestinez, por me rrjetin izraelit të ujit”, tha Zagharneh për AA.

“Rrjeti izraelit e ka furnizuar me ujin fshatin që nga viti 1998, por në sasi të pamjaftueshme që vetëm zgjasin disa ditë”, ankohet ai.

Sipas Zagharneh, banorët shpesh detyrohen të blejnë ujë shtesë – me çmime të larta – për të mbushur puset e tyre. “Për më shumë se 30 vjet, njerëzit mbajnë këtë barrë financiare shtesë për shkak të politikave të padrejta të okupimit të Izraelit,” tha ai.

Duke folur për AA, Xhemal Xhuma, një ekspert palestinez për vendbanimet izraelite, tha: “Vendbanimet e kolonëve janë një mjet për të kontrolluar jo vetëm atë që është mbi tokë, por edhe atë që është nën të”.

“Izraeli ndalon palestinezët të bëjnë gërmime për ujëra nëntokësorë në Hebron. Po ashtu, nuk u lejon atyre të lidhin rrjetin e ujit,” tha ai.

“Izraeli dëshiron t’i dëbojë ata nga shtëpitë e tyre për të marrë përsipër tokën e tyre”, shtoi ai. “Dhe mënyra më e mirë për të arritur këtë është t’i privoni ata nga uji”, tha Xhuma për AA.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne