Kriza me Katarin, rezultati i parë i “Valles së shpatës”

Një zyrtar i lartë iranian deklaroi se ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Katarin nga disa vende arabe me në krye Arabinë Saudite është pasoja e parë e vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në rajon muajin e kaluar.

Kjo vizitë e presidentit amerikan shënoi nënshkrimin e një marrëveshje rekord armësh mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite prej 110 miliardë dollarë. Marrëveshja në fjalë u shoqërua nga një valle me shpata mes Trump dhe mbretit saudit që ra shumë në sy. “Ajo që po ndodh është rezultati paraprak i valles së shpatës”, tha të hënën Hamid Abutalebi, zëvendës shefi i stafit të presidentit iranian Hasan Ruhani, pasi Riadi mori vendimin për të ndërprerë lidhjet me Katarin, vendim që u pasua nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti. Ky zyrtar aludoi me një koalicion ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili u konsiderua si “NATO arabe” gjatë vizitës së Trump, ndërsa Irani u caktua si një kundërshtar. “E kisha shkruar tashmë se epoka e krijimit të koalicioneve dhe e ‘vëllait të madh’ ka mbaruar, dhe dominimi politik, monopolizimi i sigurisë, okupimi dhe pushtimi nuk do të sjellë asgjë tjetër përveçse pasigurisë”, shkroi Abutalebi në Twitter. “Sot po shkruaj se edhe epoka e sanksioneve ka perënduar, dhe prerja e lidhjeve diplomatike, mbyllja e kufijve, vendosja e bllokadave dhe nxjerrja e vendeve nga koalicioni nuk është rruga e duhur për të dalë nga kriza” shtoi ai. Tensionet u përshkallëzuan midis Riadit dhe Dohas pas vizitës së Trump, për shkak të një artikulli në agjencinë shtetërore të lajmeve të Katarit, në të cilën emiri kritikoi SHBA-në, Arabinë Saudite dhe shtetet e varura prej tyre për përpjekjen për të nxitur tensionet me “fuqinë islame” Iranin.

Mediat saudite akuzuan Katarin se kishte “tradhtuar” vendet e tjera arabe veçanërisht në një kohë kur ata kishin tentuar të bënin një demonstrim të “unitetit” kundër Iranit. Abutalebi kritikoi Arabinë Saudite dhe aleatët e saj për koalicionin “e brishtë”, duke thënë se këto vende nuk kanë asnjë mundësi tjetër, veçse të fillojnë dialogun rajonal. “Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni, të cilat janë në një pozicion të brishtë përballë një vendi të vogël, nuk kanë rrugë tjetër përveç demokratizimit brenda tyre dhe dialogut në rajon”, tha ai. “Pyetja është se si një vend i vogël si Katari ka qenë në gjendje të rrëzojë qeverinë e Bahrejnit, të mbështesë ISIS-in dhe al-Kaidën, si dhe ekstremizmin në gadishullin Sinai dhe të shkaktojë ndarje në koalicion!?”, shkroi ai, duke iu referuar secilës prej akuzave që katër vendet kanë cituar për prerjen e lidhjeve me Katarin. SHBA e cilësuan Iranin si objektiv të marrëveshjes së armëve me Arabinë Saudite, duke thënë se ajo kishte për qëllim të frenonte atë që Trump e quajti “ndikimin negativ” të Republikës Islamike në rajon. “Ju nuk mund të hidhni një valle me shpatë në një vend diktatorial, dhe të gjykoni të tjerët diku tjetër,” tha zëvendës shefi i stafit të presidentit iranian./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne