Kroacia humb çdo vit 15 000 banorë

Largimi në masë i trurit nga vendet anëtare të BE-së nga Lindja drejt Perëndimit është një çështje ekzistenciale, ndërkohë që gjysma e BE-së po përballet me pakësimin e popullsisë dhe ky është një problem që duhet diskutuar në nivel europian, u shpreh kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç për të përditshmen franceze “Le Monde”.

“Kroacia po humbet çdo vit një qytezë me 15 000 banorë dhe, për Kroacinë, kjo është një çështje ekzistenciale”, tha Plenkoviç gjatë intervistës.

“Falë turizmit, ky problem është më i vogël në Dalmaci, por në Kroacinë Lindore, për shkak të plakjes së popullsisë dhe mungesës së vendeve të reja të punës, njerëzit po largohen për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në vende të tjera europiane”, vazhdoi ai duke theksuar se populistët marrin shumicën e votave në Kroacinë Lindore.

Pyetjes, nëse duhet kufizuar liria e lëvizjes për të frenuar problemin, Plenkoviç iu përgjigj negativisht, duke thënë se vënia në pikëpyetje e lirisë së lëvizjes do të nënkuptonte ngacmimin e shtyllës kurrizore të projektit europian.

“Vendet e reja anëtare duhet të vazhdojnë të përdorin ndihmën europiane me qëllim që t’i afrohen hapit të vendeve më të zhvilluara dhe për të reduktuar hendekun social. Ne duhet të kemi, gjithashtu, edhe një rregullore publike për rivitalizimi demografik, që ka qenë i suksesshëm në vendet e përballura me të njëjtat probleme”, tha kryeministri kroat, duke përmendur edhe uljen e taksave për të rinjtë nga ana e qeverisë kroate./Tch

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne