Rajoni

“Kroacia mbështet fuqishëm rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut”

Zv/kryeministri i Maqednisë së Veriut për çështje evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në kuadër të vizitës së tyre të punës në Kroaci, në Zagreb janë takuar me ministrin kroat të Punëve të Jashtme, Gordan Grliç – Radman.

Në takimin në selinë e Ministrisë së Jashtme kroate janë konfirmuar marrëdhëniet e mira tradicionale midis dy vendeve ndërsa gjithashtu është konfirmuar edhe rruga euroatlantike e Maqedonisë së Veriut. Një temë e rëndësishme diskutimi ishte metodologjia e re e Komisionit Evropian për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.

Zv/kryeministri Osmani shprehu shpresë që në mars, gjatë presidencës kroate të Këshillit të BE-së, do të hapen bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“Ne pretendojmë të jemi kandidatë të mirë, por në këtë proces po hymë me 30 për qind të legjislacionit të BE-së të transferuar në legjislacionin tonë”, tha Osmani.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov tha se periudha e kryesimit të Kroacisë me Këshillin e BE-së është një kohë e mundësive të mëdha për vendin e tij.

Dimitrov e vlerësoi si cilësi propozimin e metodologjisë së KE-së të paraqitur dje për vendet që zbatojnë reformat.

“Ne nuk kemi interes të jemi një vend që është një nxënës i keq dhe që mbetet prapa dhe për këtë arsye do t’i shfrytëzojmë të gjitha benefitet e metodologjisë së re”, tha Dimitrov.

Ai shprehu shpresë se Ballkani Perëndimor dhe samiti i BE-së në Zagreb do të arrijë sukses të rëndësishëm.

Dimitrov theksoi se Maqedonia e Veriut është ekonomikisht e lidhur me vendet e BE-së dhe se bëhet fjalë për një vend i cili është kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2005.

“Kroacia mbështet fuqishëm hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut pa vonesa të mëtejshme, të cilat ne vazhdimisht i theksojmë te partnerët tanë në BE. Qeveria kroate do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar që vendimi për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të merret dhe miratohet gjatë presidencës sonë të Këshillit të BE-së”, ministri i Jashtëm kroat, Grliç -Radman.

Ai tha kontribut drejt kësaj do të japë takimi i liderëve të BE-së, samiti i Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në maj të këtij viti, 20 vjet pas samitit të Zagrebit i cili hapi një perspektivë evropiane për Kroacinë, por edhe për tërë Evropën Lindore.

“Ne besojmë se metodologjia e re me vlerësimet e reja të Komisionit Evropian, të cilat do të prezantohen së shpejti, mbi përpjekjet e reformës së Maqedonisë së Veriut do t’i mundësojë Këshillit Evropian në mars të vendosë për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Radman.

“Kroacia shpreh mbështetje të fortë për Maqedoninë e Veriut pasi të përfundojë procedurat e nevojshme për t’u bërë anëtare e plotë e NATO-s sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Grliç-Radman.

OPINIONE