Kryebashkiakët me 3 mandate/ PS i rihap rrugë kandidimit të Sejdinit e Dakos, PD ka Mziun e Ismailin (EMRAT)

Partia Socialiste iu ka hapur dje rrugë rikandidimit në bashkitë kryesore të vendit, të krerëve aktualë, që kanë më shumë se 3 mandate në këtë funksion.

Në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” të miratuar në vitin 2015, theksohet se kryetarët e bashkive u kufizohet e drejta për të kandiduar për këtë post nëse do të kalojnë tri mandate radhazi. Por edhe pse kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, është në detyrë që prej vitit 2006, numërimi i mandateve të tij do të nisë të numërohet pikërisht nga hyrja në fuqi e ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”.

E njëjta gjë dhe për Qazim Sejdinin, kryebashkiakun e Elbasanit. Qazim Sejdini është zgjedhur në krye të Bashkisë së Elbasanit që në vitin 2007. Edhe ai, sipas ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, llogaritet të ketë kaluar vetëm një mandat në këtë funksion dhe ligjërisht i takon e drejta për të rikandiduar edhe për dy mandate të tjera. Në nenin 59 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, ku flitet për kryetarin e bashkisë, theksohet se: “Kryetari i bashkisë mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm 3 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë, me të drejtë rizgjedhjeje”.

FUQIA

Ligji “Për vetëqeverisjen vendore” nuk ka fuqi prapavepruese për t’iu hequr të drejtën kryebashkiakëve që kanë fituar tri mandate të një- pasnjëshme në pushtetin vendor. Si i tillë, e drejta e rikandidimit për kryetar bashkie do të mbetet në dorën dhe në vullnetin e kryetarëve të Partive Politike. Këtë fakt e ka konfirmuar dje dhe sekretari i përgjithshëm i PS-së, i cili tha se nuk ka asnjë pengesë ligjore për Sejdinin dhe Dakon.

“Sqarimi që është bërë në vitin 2014 ka qenë i qartë, që prej sot e tutje fillon numërimi i mandateve. Ky është vlerësimi im juridik, pjesa tjetër është vlerësim politik që unë ju thash që mos hyni në emra, sepse nuk është momenti për të hyrë në emra. Të gjithë kanë të drejtë të garojnë, por do të jetë PS dhe strukturat e saj ajo që do vlerësojë se kush do të ketë nderin të përfaqësojë kombëtaren e PS-së në zgjedhjet e 2019”, ka thënë dje Balla.

Duke qenë se viti i ardhshëm është vit i zgjedhjeve vendore, Partia Socialiste nuk ka asnjë pengesë ligjore për të rikandiduar në Bashkinë e Durrësit Vangjush Dakon, në Elbasan Qazim Sejdinin, në Poliçan Adriatik Zotkajn dhe në Konispol Shuaip Beqirin. Nga parashikimet ligjore përfiton edhe Partia Demokratike, e cila mund të rikandidojë në Bashkinë e Kamzës me Xhelal Mziun dhe në Vorë, Fiqiri Ismailin.

Nga kryebashkiakët e sotëm mund të cilësohet si “rekordmen” Gëzim Topçiu në Maliq, i cili drejton bashkinë nga viti 2000. Ai ka fituar zgjedhjet në vitin 2000, 2003, 2007, 2011 dhe 2015. Ndërsa nga kampi i Partisë Demokratike, Fiqiri Ismaili i Vorës, e drejton këtë bashki që nga viti 2003.

kryebashkiaket me 3 mandate

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne