Bota

Kryebashkiaku i Londrës, Khan nën mbrojtje të policisë pas kërcënimeve

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, është vënë nën mbrojtje 24-orëshe të policisë pas abuzimit dhe kërcënimeve të përsëritura në mediat sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Khan, i cili për t’u bërë kryebashkiak në vitin 2016 mundi kundërkandidatin e tij Zac Goldsmith, ka theksuar se intensiteti i abuzimit është rritur në mënyrë të dukshme që nga referendumi i Brexit-it në vitin 2016.

“Unë nuk do të frikësohem nga këta njerëz, por nuk mund t’i shpëtoni faktit se ata që janë afër meje janë të shqetësuar”, tha Khan në një intervistë për Guardian.

Khan, kryebashkiaku i parë musliman i një qyteti global i cili po ashtu zhvilloi fushatë për të qëndruar në BE, tha se fushata e referendumit tre vite më parë ka lejuar gjërat të dalin në sipërfaqe, si dhe ka normalizuar sjelljet dhe idetë e caktuara që nuk duhet të normalizohen.

Kryebashkiaku i Londrës po ashtu paralajmëroi se kërcënime të tilla, nëse mbeten të padiskutueshme, mund të çojnë në dhunë dhe të japin shembullin e vrasjes së deputetit laburist, Jo Cox, i cili u qëllua dhe u sulmua me thikë nga një terrorist ekstremist para referendumit.

“Çfarë lloj mesazhi dërgon kjo te fëmijët e mi që duan të përfshihen në politikë”, tha Khan.

Në muajt e fundit, një numër i madh i deputetëve thuhet se kanë marrë kërcënime dhe abuzime me vdekje pas qëndrimit të tyre publik kundër Brexit-it. Këto kërcënime janë marrë në internet dhe personalisht.

Një studim i zhvilluar vitin e kaluar nga Universiteti i Londrës zbuloi se 1 në 12 kandidatë parlamentarë nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 ishte abuzuar fizikisht dhe 60 për qind ishin të frikësuar se sulme të tilla mund të ndodhin përsëri. Sipas anketës, gratë dhe deputetët që bëjnë fushatë për një referendum të dytë përballen me kërcënime më të mëdha./ AA

OPINIONE