Kryebashkiaku musliman merret në pyetje në aeroportin e New Yorkut

Mohamed Khairullah i cili që prej 13 vitesh ushtron detyrën si kryetar i Bashkisë Prospect Park në New Jersey të SHBA-ve, pas kthimit nga pushimet është marrë në pyetje për 3 orë në aeroportin e New Yorkut.

Duke folur për median lokale, bashkiaku Khairullah ka shpjeguar se për shkak të identitetit musliman është marrë në pyetje për 3 orë në një dhomë së bashku me bashkëshorten dhe 4 fëmijët nga 1 deri në 10 vjeç nga zyrtarë të Doganës dhe Mbrojtjes së Kufijve (CBP) në aeroportin JFK të New Yorkut.

Gjatë marrjes në pyetje, Khairullah ka bërë të ditur se është përballur me pyetje se cilat vende ka vizituar gjatë pushimeve në Turqi ku ai është diplomuar dhe se nëse është takuar apo jo me ndonjë terrorist. Ai ka thënë se gjatë kësaj i është sekuestruar edhe celulari i cili brenda kishte mesazhe private dhe foto familjare.

“Për dikë që njeh Kushtetutën dhe ligjet ishte një shkelje e plotë. Kur mendova se nuk ishte Amerika që njihja, kjo ishte vërtetë e dhimbshme. Kjo ishte një fyerje e plotë”, është shprehur Khairullah.

Ndërsa zëdhënësi i CBP duke bërë të ditur se për shkak të Ligjit Federal të Privatësisë nuk mund të komentojë lidhur me rastet individuale, për çështjen në fjalë ai është mjaftuar duke thënë se “të gjithë udhëtarët ndërkombëtarë dhe pajisjet elektronike që vijnë i nënshtrohen kontrollit”.

Ndër të tjera kryetari i Bashkisë Prospect Park, i cili është ankuar edhe tek dega e Këshillit të Marrëdhënieve Amerikano-Islamike (CAIR) për New Yorkun, ka theksuar se pas marrjes në pyetje, ka marrë përsëri celularin e tij pas 12 ditësh me ndihmën e avokatëve.

Në prill, Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) sipas të dhënave gjyqësore, në një proces gjyqësor të ngritur për një çështje të ngjashme, njoftoi se CBP në vitin 2018, ka kryer kontrolle ndaj 33.295 pajisjeve elektronike që u përkisnin udhëtarëve dhe se ka konfiksuar gjithsej 172 prej tyre.

Khairullah, është një ish-arsimtar 44 vjeç që ka emigruar nga Siria në SHBA në vitin 1980. Ai ka shërbyer si kryebashkiak i Prospect Park që nga viti 2006 dhe njihet si një nga zyrtarët kryesorë muslimanë të zgjedhur në shtetin e New Jersey.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne