Kryediplomati i Kosovës, Konjufca: Serbia nuk jep porosi të mira të bashkëpunimit në rajon

Sundimi i Ligjit, migracioni, siguria dhe kërcënimet hibride ishin temë e diskutimit në panelin e parë të ditës së sotme në kuadër të Think Tank forumit me titull “Stimulimi i autonomisë strategjike, kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e përbashkët evropiane” që po mbahet nga e diela në Shkup.

Në panel, fjalime të tyre kishin ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov; ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca; ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj; zv/ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës, Josip Brkiç; zv/ministre e shtetit për çështjet evropiane e Britanisë së Madhe, Wendy Morton; Sekretari i Përgjishëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Themistoklis Demiris; drejtoresha për Evropën Juglindore dhe Turqinë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schütz; si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Ministri Dimitrov në fjalimin e tij tha se metodologjia e re e bisedimeve për anëtarësim në BE adreson shqetësimet e shteteve që ishin më skeptike. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm, duke shtuar se duhet të fillojë bisedimet për anëtarësim.

“Nëse na thuhet jo, në esencë dëmtohet besueshmëria ndaj Evropës në këtë rajon dhe ndikimi i saj. Besueshmëria dhe ndikimi. Mendoj se shoqëria jonë është më e pjekur. Mendoj se kriza politike e viteve 2015-16 ka dhënë mësimet që ne i kemi mësuar”, tha Dimitrov.

Zv/ministri Brkiç gjatë fjalimit të tij tha se çdo vendim i institucioneve të BE-së në raport me ndonjë nga vendet e Ballkanit, ka ndikim edhe në vendet tjera.

“Nuk ka ndonjë vendim pozitiv apo negativ ndaj një vendi të Evropës Juglindore që nuk ka efekt ndaj vendeve tjera. Kështu që ju lutem të jeni të vetëdijshëm. Kur ne e pamë që pas gjithë asaj që kanë bërë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, e nuk u përmbush nga ana tjetër, kjo ngre alarmin”, tha Brkiç.

– Diplomati grek thotë se nuk është hera e parë që përballen me krizën e migrantëve

Sekretari i Përgjishëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Themistoklis Demiris, gjatë fjalimit të tij u ndal në çështjet e migrantëve, me ç’rast tha se nuk është hera e parë që përballen me krizën e migrantëve, por theksoi se kësaj radhe ka dallime të caktuara.

Gjatë fjalimit të tij, ai gjithashtu u shpreh i kënaqur me nivelin e solidaritetet që Greqia e ka pranuar nga shtetet evropiane dhe nga shtetet Ballkanike.

– “Serbia nuk jep porosi të mira të bashkëpunimit në rajon”

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore.

Ai theksoi se duke marrë shembull nga Maqedonia e Veriut e cila nuk arriti përparim në integrimet evropiane pa arritur marrëveshje me Greqinë, potencoi se është e qartë që Kosova duhet të arrijë marrëveshje me Serbinë.

Konjufca tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme të heqë taksat e vendosura ndaj mallrave serbe nga qeveria e mëparshme, siç njoftoi kryeministri Albin Kurti më 27 shkurt, por thekoi se nuk sheh sinjale të bashkëpunimit nga pala serbe.

“Porosia e keqe që e dërgoi Serbia ishte 24 orë pasi kryeministri Kurti sqaroi këtë projekt për tërheqjen e taksave. Një rast i tërheqjes së njohjes ndodhi, Sierra Leone, dhe Serbia festonte për këtë. Kjo nuk është porosi e mirë e bashkëpunimit në rajon”, tha Konjufca.

Gjatë panelit fjalim kishte edhe ministri Cakaj, i cili tha se raporti i Komisionit Evropian ka vërtetuar se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për fillim të bisedimeve. Ai përmendi procesin e vetingut në sistemin gjyqësor dhe reformat tjera, për të cilat tha se bëhet për të mirën e qytetarëve, e jo “për hir të BE-së”.

Diplomatja britanike Wendy Morton dhe ajo gjermane Susanne Schütz, gjatë fjalimeve të tyre shprehën mbështetjen e fuqishme të vendeve të tyre për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Think Tank forumi organizohet nga instituti për demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Politikë të Jashtme.

Më vonë gjatë ditës do të mbahet edhe takim i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, me çka do të shënohet kryesimi i përbashkët i këtij procesi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të BE-së dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne