Kryeministri britanik Johnson kthehet në detyrë pas 22 ditësh

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, është kthyer në detyrë pas 22 ditësh trajtim si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Johnson mbrëmë u kthye në kryeministri, e njohur si Numër 10, ndërsa sot do të kryesojë një takim të Këshillit të Ministrave i cili do të mbahet përmes videokonferencës. Po ashtu, është paraparë që Johnson të marrë pjesë edhe në konferencën ditore për media.

Ndërkohë, siç shkroi gazeta Telegraph, Johnson këtë javë pritet t’i njoftojë planet në lidhje me atë se si mund të lehtësohen masat kufizuese.

Një ndihmës i kryeministrit britanik, ka folur në kushte anonimiteti për gazetën, duke thënë se Johnson mund t’i zbusë masat.

Ai ka deklaruar se 7 maji është dita kur qeveria duhet t’i shqyrtojë ligjërisht masat e karantinimit.

“Megjithatë, Boris mund ta bëjë këtë nëse dëshiron të ndryshojë kufizimet më herët ose të paktën të njoftojë diçka përpara kësaj. Shprehja ‘ndërprerje e karantinës’, është e gabuar. Shprehja ‘ndryshim i karantinës’ do të jetë më e saktë”, ka theksuar ndihmësi i kryeministrit të Britanisë.

Ndryshe, më 23 mars u ndërmorën kufizime mbi daljen e qytetarëve, ndërsa u mbyllën të gjitha bizneset, me përjashtim të marketeve dhe farmacive.

Karantina e pjesshme u zgjat për tri javë të tjera më 16 prill.

Shërimi i Johnson zgjati 1 muaj

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, rezultoi pozitiv në COVID-19 më 27 mars.

Ai u shtrua në spital më 5 prill, pas vazhdimit të simptomave dhe përkeqësimit të gjendjes, ndërsa një ditë më pas u vendos në kujdes intensiv.

Johnson u lirua nga kujdesi intensiv më 9 prill, kurse më 12 prill u largua edhe nga spitali.

Ai kishte dekluar se para kthimit në punë, do të pushonte për një kohë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne