Kryeministri i Pakistanit dënon sulmin e forcave indiane

Kryeministri i Pakistanit ka dënuar forcat indiane për pretendimet për sulm dhe përdorim të municioneve të ndaluara thërrmuese kundër civilëve në afërsi të Linjës së Kontrollit (LOC), që faktikisht është kufiri që ndan rajonin Xhammu dhe Kashmir.

Imran Khan ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombete të Bashkuara (KS-OKB) që t’i kushtonte vëmendje përdorimit të bombave thërrmuese nga forcat indiane.

“Dënoj sulmin e Indisë në LOC ndaj civilëve të pafajshëm dhe përdorimin e municioneve duke shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar dhe angjazhimet e veta në bazë të Konventës 1983 të Armëve të Caktuara Konvencionale. KS-OKB patjetër të ketë parasysh këtë kërcënim ndërkombëtar ndaj paqes dhe sigurisë”, shkroi Khan në rrjetet sociale.

Kjo deklaratë vjen para takimit urgjent të Komitetit për Siguri Kombëtare në Islamabad mes zyrtarëve të lartë civil dhe ushtarak.

“Është koha t’i japim fund natës së gjatë të vuajtjeve të popullit të Kashmirit të okupuar. Atyre patjetër t’u lejohet që të ushtrojnë të drejtën e tyre për vetëvendosje sipas rezolutës së KS-OKB-së. Rruga e vetme drejt paqes dhe sigurisë në Azinë Jugore shkon përmes zgjidhjes paqësore dhe të drejtë për Kashmirin”, shtoi Khan.

Duke përmendur ofertën e muajit të kaluar të presidentit amerikan Donald Trump për të ndrëmjetësuar mes Indisë dhe Pakistanit në lidhje me kontestin e Kashmirit, Khan tha se veprime të tilla tani janë të nevojshme pasi situata po përkeqësohet në LOC me “aksione të reja agresive” që ndërmerren nga India.

“Kjo ka potencialin që të shpërthejë në një krizë rajonale”, paralajmëroi Khan.

Të shtunën, ushtria pakistaneze pretendoi se ushtarët indianë përdorën municion thërrmues duke “synuar qëllimisht” civilët, duke përfshirë këtu edhe gra dhe fëmijë, në luginën Neelum në afërsi të LOC-së, në kundërshtim me Konventën e Gjenevës dhe ligjin ndërkombëtar humanitar.

Për shkak të ndikimit të rëndë ndaj civilëve, përdorimi i bombave thërrmuese është i ndaluar në bazë të Konventës Ndërkombëtare të vitit 2008 për Municion Thërrmues.

Megjithatë, Forcat e Armatosura të Indisë përgënjeshtruan pretendimet si “gënjeshtra, mashtrime dhe dinakëri”.

“Ushtria e Pakistanit vazhdimisht tenton të nxisë terroristët përmes infiltrimeve dhe zhbllokimeve me një mori armësh për t’i ndihmuar”, thuhet në kumtesë.

Dy fqinjët e Azisë Jugore të pajisur me armë bërthamore vazhdimisht akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit përgjatë linjës së kontrollit në vitet e fundit në Kashmir, pasi kanë zhvilluar tre luftëra në vitet 1948, 1965 dhe 1971 që nga ndarja e tyre në vitin 1947. Dy prej këtyre luftërave janë zhvilluar shkaku i Kashmirit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne