Kryeministri i Rusisë thotë që regjimi amerikan do rrëzojë Trumpin

Kryeministri rus Dmitry Medvedev është shprehur në një postim në Facebook se establishmenti amerikan e ka Trumpin tërësisht në dorë dhe se vepron me të si të dojë, deri në momentin kur ta largojë atë krejtësisht nga pushteti. Postimi i tij i plotë vijon si më poshtë:

Nënshkrimi i Paktit të sanksioneve të reja kundër Rusisë do të ketë disa pasoja. Së pari, ai u jep fund shpresave për përmirësimin e marrëdhënieve tona me administratën e re amerikane. Së dyti, ai është një deklaratë e një lufte të plotë ekonomike ndaj Rusisë. Së treti, administrata Trump ka treguar dobësinë e saj të plotë duke i dorëzuar pushtetin ekzekutiv Kongresit në mënyrën më të turpshme. Kjo ndryshon balancën e fuqisë në qarqet politike amerikane.

Çfarë do të thotë kjo për ta? Establishmenti amerikan e ka Trumpin tërësisht në dorë; presidenti nuk është i kënaqur me sanksionet e reja, megjithatë ai nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të nënshkruajë projektligjin. Çështja e sanksioneve të reja ndodhi kryesisht si një mënyrë tjetër për t’i ulur hundën Trumpit. Hapa të rinj do të pasojnë, dhe në fund ata do të synojnë ta largojnë atë nga pushteti. Një lojtar jo sistemik duhet të hiqet. Ndërkohë, interesat e komunitetit të biznesit amerikan janë injoruar të gjitha, me politikën që ka zgjedhur një qasje pragmatike. Histeria anti-ruse është bërë pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme të SHBA-së (që ka ndodhur shumë herë), dhe e politikës së brendshme (që është një risi).

Regjimi i sanksioneve është kodifikuar dhe do të mbetet në fuqi për disa dekada, përveçse nëse ndodh ndonjë mrekulli. Ky legjislacion do të jetë më i ashpër sesa amendamenti i Jackson-Vanik, pasi ai është gjithëpërfshirës dhe nuk mund të hiqet me një urdhër të veçantë presidencial pa miratimin e Kongresit. Kështu, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të jenë jashtëzakonisht të tensionuara pavarësisht nga përbërja e Kongresit dhe pavarësisht se kush është president. Përpara janë diskutimet e gjata në trupat dhe gjykatat ndërkombëtare, si dhe tensionet ndërkombëtare në rritje dhe refuzimi për të zgjidhur çështjet kryesore ndërkombëtare.

Çfarë do të thotë kjo për ne? Ne do të vazhdojmë punën tonë për zhvillimin e ekonomisë dhe sektorit social, do të bëjmë përpjekje për të zëvendësuar importet dhe do të zgjidhim detyrat kryesore kombëtare, duke u mbështetur kryesisht tek vetja. Ne kemi mësuar ta bëjmë këtë në vitet e fundit, në kushtet e tregjeve financiare pothuajse të mbyllura, si dhe nga frika e investitorëve dhe kreditorëve të huaj për të investuar në Rusi pas ndëshkimit me sanksione ndaj palëve dhe vendeve të treta. Deri në një farë mase, kjo ka qenë edhe në avantazhin tonë, megjithëse sanksionet janë përgjithësisht të pakuptimta. Ne do t’i përballojmë. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne