Kryeministri i Sllovenisë në Shkup: Siguria juaj është edhe siguri e jona

Kryeministri i Sllovenisë, Marjan Sharec, po qëndron në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është pritur nga delegacioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev.

Në konferencën e përbashkët për media, dy kryeministrat theksuan marrëdhëniet e fuqishme dhe afatgjate mes dy vendeve në të gjitha sferat, duke u shprehur të bindur se ato do të përforcohen më tej në të ardhmen.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, rikujtoi se Sllovenia ishte vendi i dytë që ka ratifikuar protokollin për anëtarësim të vendit në NATO, duke shtuar se Sllovenia është një mbështetës i zëshëm i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut edhe në Bashkimin Evropian (BE).

“Për ne, ka një rëndësi të veçantë që Bashkimi Evropian t’i njeh dhe t’i vlerësojë përpjekjet tona dhe hapat e guximshëm politikë. Ardhmëria jonë është në Bashkimin Evropian dhe në këtë rrugë mund të mësojmë shumë nga eksperiencat e Sllovenisë. Sllovenia është një mik i madh i yni, mbështetës dhe partner strategjik ekonomik”, tha Zaev.

Kryeministri i Sllovenisë, Marjan Sharec, tha se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dëshmohen edhe në praktikë. Ai foli edhe për bashkëpunimin në sferën e sigurisë, duke u shprehur se “siguria juaj është edhe siguri e jona”.

“Më gëzon shumë fakti që Sllovenia në Maqedoninë e Veriut do të hapë edhe zyrë për këshilltar të mbrojtjes, i cili do të fillojë të punojë nga janari i vitit 2020. Qëllimi ynë është i njëjtë me qëllimin tuaj. Siguria juaj, është edhe siguri e jona!”, tha Sharec.

Në kuadër të vizitës së tij, kryeministri Marjan Sharec gjithashtu do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin.

Gjatë vizitës së kryeministrit të Sllovenisë në Maqedoninë e Veriut, është paraparë që ai bashkë me nikoqirin Zoran Zaev të vizitojnë edhe pjesëtarët e policisë kufitare në kufirin me Greqinë, pjesë e së cilës është edhe kontingjenti i policisë së Sllovenisë.

“Përmes dialogut të gjendet zgjidhje për emigrantët”

Gjatë konferencës së përbashkët për media të dy kryeministrave, ata u pyetën nëse mund të ketë krizë të re të emigrantëve në kufirin jugor të Maqedonisë së Veriut, duke përmendur raportimet nga Turqia se emigrantët dhe refugjatët mund të lihen të lirë të vazhdojnë rrugën nga Turqia drejt BE-së.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u shpreh i bindur se çështja e emigrantëve do të zgjidhet përmes dialogut.

“Ajo që ne presim, është që dialogu, bisedimet dhe diplomacia t’i gjejnë zgjidhjet. Unë besoj se do të gjendet zgjidhje. E lexova diku lajmin se diçka e re po ndodh në këtë pjesë. Besoj se edhe Evropa, edhe të gjithë ne këtu do të gjejmë zgjidhje për pakënaqësi të caktuara që shfaqen ndonjëherë”, tha Zaev.

Kryeministri i Sllovenisë, Marjan Sharec, gjithashtu tha se diplomacia është rruga e duhur, duke shtuar se duhet të përdoren të gjitha mjetet.

“Është me rëndësi që të jemi të vetëdijshëm që duhet gjatë gjithë kohës të jemi të kujdesshëm, gjatë gjithë kohës duhet të kemi dialog me Turqinë. Çdo dialog, edhe pse ndoshta ndonjëherë është në nivel më të ulët, është më i mirë sesa të mos ketë fare dialog dhe jam i bindur se edhe në të ardhmen do të gjejmë zgjidhje të tilla që do ta zgjidhin problemin me emigrantët në mënyrë efikase”, tha Sharec.

Kryeministri i Sllovenisë gjithashtu theksoi nevojën që të gjendet në zgjidhje e unifikuar e BE-së për çështjen e emigrantëve, duke u shprehur se deri më tani, shtetet anëtare e kanë zgjidhur këtë çështje “secili në mënyrën e vet”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne