Bota

Kryeministri i Irakut bisedime me delegacionin kurd për referendumin

Kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, zhvilloi bisedime me një delegacion kurd ku diskutuan për referendumin e planifikuar mbi ndarjen e rajonit kurd të Irakut verior.

Referendumi i shtatorit, i cili do të konsiderohet jo-detyrues, do të tregojë votën e banorëve të rajonit nëse do të deklarohet ose jo pavarësia nga qeveria qendrore e Irakut në Bagdad. Mirëpo, Bagdadi, nga ana e tij, hodhi poshtë referendumin e planifikuar, duke thënë se mund të ndikojë negativisht në luftën e vazhdueshme të rajonit kundër organizatës terroriste DEASH.

Qeveria e Irakut gjithashtu pretendon se kjo nismë do të shkelte kushtetutën e Irakut të vitit 2005 dhe do të ishte “pa përfitim politik apo ekonomik ndaj kurdëve të rajonit.”

Përmes një deklarate, zyra e marrëdhënieve me publikun e kryeministrit irakian tha se Haidar al-Abadi bëri thirrje për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut. Nga atje theksojnë se në takim u diskutuan përpjekjet e përbashkëta nga qeveria federale dhe rajoni kurd në luftën kundër DEASH-it.

“Në takim u konstatua një dialog i sinqertë dhe i thellë rreth mekanizmave të aktivizimit për të zgjidhur problemet e pazgjidhura në një atmosferë pozitive”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, anëtari i delegacionit kurd, Saadi Birah, tha se kryeministri irakian “ishte fleksibël gjatë takimit”. Ai shtoi se delegacioni kurd gjatë takimit ka shprehur shqetësimin për të ardhmen e Irakut.

Pavarësisht takimeve të përsëritura, Bagdadi dhe rajoni kurd nuk kanë arritur të zgjidhin disa çështje të pazgjidhura, siç janë zonat e kundërshtuara të naftës dhe pagat e forcave kurde Peshmerga.

Referendumin e planifikuar për me 25 shtator, gjithashtu edhe Turqia e kundërshton duke këmbëngulur se stabiliteti i rajonit është i lidhur me ruajtjen e integritetit territorial të Irakut.

SHBA-të po ashtu kanë shprehur shqetësimin se referendumi mund të shërbejë si një “shpërqendrim” nga çështjet tjera rajonale, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe stabilitetit të vendit “të lodhur nga lufta”./ AA

OPINIONE

INTERVISTA