Kryeministri irlandez: Një Brexit i vështirë do të ‘kërcënojë’ bashkimin e dy Irlandave

Çështja e bashkimit të Irlandës dhe Irlandës së Veriut e cila është nën qeverisjen britanike do të lindë në mënyrë të pashmangshme nëse Britania largohet nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje divorci më 31 tetor, tha kryeministri irlandez Leo Varadkar.

Ai gjithashtu paralajmëroi se një Brexit i ashtuquajtur i vështirë mund të ‘minonte’ vendin e Skocisë në Mbretërinë e Bashkuar. Komentet e tij të premten nxitën një qortim të mprehtë nga partia më e madhe pro-britanike e Irlandës së Veriut, Partia e Bashkimit Demokratik, anëtari i parlamentit i të cilit Ian Paisley, tha se gjuha e qeverisë irlandeze ishte “e padobishme dhe e panevojshme agresive”.

I pyetur në një forum politike nëse qeveria irlandeze kishte për qëllim të fillonte të planifikonte publikisht një Irlandë të bashkuar, Varadkar u përgjigj se kjo nuk do të ndodhte, pasi ajo do të shihej si provokuese nga unionistët pro-britanikë në Irlandën e Veriut. “Por në rast të një Brexit të vështirë, këto pyetje do të lindin,” tha ai. “Nëse Britania e heq Irlandën e Veriut jashtë Bashkimit Europian kundër dëshirave të shumicës së njerëzve në Irlandën e Veriut, heq shtetësinë e tyre europiane dhe minon Marrëveshjen e së Premtes së Mirë, dhe duke bërë kështu, do të ngrihen këto pyetje, nëse na pëlqen apo jo ,” tha Varadkar në konferencën e Shkollës Verore MacGill në veriperëndim të Irlandës. “Ne do të duhet të jemi gati për këtë”.

Në referendumin e vitit 2016, 56% në Irlandën e Veriut votuan për të qëndruar në BE. Mbi 3.600 vetë vdiqën në tre dekada nga dhuna midis nacionalistëve irlandezë që kërkonin një Irlandë të bashkuar dhe forcave britanike të sigurisë dhe “unionistët” pro-britanikë. Marrëveshja e së Premtes së Mirë e vitit 1998, e cila ndërpreu dhunën, parashikon mbajtjen e referendumeve në të dy anët e kufirit për bashkimin e ishullit nëse Londra dhe Dublini shohin mbështetje publike për këtë. Qeveria britanike thotë se nuk beson se ka mbështetje të mjaftueshme tani.

Varadkar sugjeroi gjithashtu se votuesit në Skoci, ku 62% votuan për të mbetur në BE në referendumin e vitit 2016, mund të bënin një shtysë të re për pavarësinë. “Ironikisht një nga gjërat që me të vërtetë mund të minojë bashkimin, Bashkimin e Mbretërisë së Bashkuar, është një Brexit i vështirë, si për Irlandën e Veriut ashtu edhe për Skocinë. Por ky është një problem me të cilin ata do të duhet të përballen,” tha Varadkar./tema

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne