Kryeministri nuk ia beson Gent Cakës kryesimin e OSBE, kthesë në marrëdhënien politike Rama-Bushati?

Në janar të 2019 Kuvendi me propozim të kryeministrit Rama shkarkoi nga detyra e Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushatin post që “de juro” e mori përsipër vetë kreu i qeverisë.

Por pas një viti mes përplasjesh dhe qëndrimesh të kundërta mes tyre, kryeministri Rama ka treguar se nuk e ka humbur konsideratën për ish-ministrin e tij të Jashtëm kur e ka caktuar si të dërguarin e tij të posaçëm në OSBE.

Drejtimi i Presidencës nga Shqipëria do të jetë impenjativ dhe në çdo takim ku kryeministri Rama do të mungojë, vendin e tij në krye të tryezës do ta ketë Ditmir Bushati.

Pozicioni i të dërguarit të posaçëm nuk është një post ekzistues në hierarkinë e OSBE-së, por me pëlqim të kryeministrit do të jetë pikërisht Ditmir Bushati ai që do të përcjellë qëndrimet e drejtuesit të organizates dhe reflekton qëndrimet e Shqipërisë në çdo takim ku Rama do të mungojë.

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj do të vijojë punën e tij si ministër i jashtëm, ndërkohë që axhenda e OSBE-së i është besuar e gjitha ish-ministrit Bushati dhe ambasadorit të OSBE-së për Shqipërinë, Igli Hasani.

Emri i Bushatit është postuar edhe në faqen zyrtare të organizatës, duke kryesuar ekipin i cili do të drejtojë Presidencën shqiptare në të gjitha fushat ku do të përfshihet kryesimi i Shqipërisë.

Ky rikthim i besimit në drejtim të Ditmir Bushatit shënon edhe kthesën e parë të marrëdhënieve të tij politike me Edi Ramën. /abcnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne