Kryeministri shqiptar nuk merr dot premtimin e Merkel

GJERGJ EREBARA

Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian, por rekomandimi i komisionit i publikuar së fundmi, duhet të merret në shqyrtim nga krerët e shteteve anëtare, të cilët do të mblidhen në maj për ta diskutuar.

Në një përpjekje për të bindur mosbesuesit, kryeministri shqiptar Edi Rama vizitoi Berlinin të mërkurën duke u kryer takime në parlamentin e Gjermanisë si dhe me kancelaren Angela Merkel por nuk arriti të marrë ndonjë premtim konkret për mbështetjen e vendit më të rëndësishëm anëtar të BE-së.

“Çelja e negociatave kërkon plotësimin e një numri parakushtesh,” tha Merkel të mërkurën para medias në Berlin. “Shqipëria me shumë sforco i ka përmbushur disa syresh. Në javët e ardhshme ne do të krijojmë mendimin tonë përfundimtar se a ka gjëra që duhen bërë, a ka përparime dhe këtë duam ta bisedojmë edhe me kolegët tanë europianë”, shtoi ajo.

Para takimeve, Rama dha intervista me media të ndryshme ku dha disa argumente gjeopolitike në mbështetje të hapjes së bisedimeve ndërsa shmangu komentet mbi ecurinë e punës së qeverisë së tij për plotësimin e kushteve për anëtarësim.

Duke folur për agjencinë Reuters, Rama deklaroi se mohimi i perspektivës për anëtarësim mund të ushqejë radikalizimin islamik dhe të rrezikojë stabilitetin e rajonit. Ai shtoi se në mungesë të anëtarësimit, në rajonin tonë do të krijohet një hapësirë që mund të shfrytëzohet nga Rusia.

Gazeta gjermane Tagesspiegel ndërkohë raportoi mbi takimet e Ramës me deputetë të parlamentit federal të Gjermanisë dhe opinionet e ndryshme në këtë parlament, ku disa deputetë të Partisë KristianDemokrate të Merkel, mes të cilëve, edhe i shumëpërfoluri Gunther Krichbaum, kanë shprehur kundërshtimin publik të hapjes së bisedimeve me argumentin se Shqipëria nuk është ende gati. Nga ana tjetër, deputetë të forcave të tjera politike në Gjermani mendojnë se hapja e bisedimeve është një mundësi për të detyruar Shqipërinë të përgjigjet hap pas hapi për secilën nga qindra çështjet në të cilat Shqipëria duhet të bëjë përparime për të plotësuar kushtet për anëtarësim.

Ekspertët mendojnë se Bashkimi Europian konsideron si të gabuar vendimin për anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007, anëtarësim që u bë me parimin se kriteret e të qenit vend anëtar, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mund të realizohen më lehtë duke qenë anëtar.

Në vitin 2014, Komisioni Europian shpalli një pushim disavjeçar në procesin e zgjerimit ndërkohë që gjatë kësaj periudhe u përpoq të mbajë vendet e Ballkanit të angazhuara në reformat drejt integrimit. Por vendet e Ballkanit duket se e konsiderojnë ndryshimin e kërkuar nga Komisioni Europian si një çështje jo shumë të rëndësishme. Nga të 33 kapitujt ku vendet anëtare duhet të bëjnë progres, Shqipëria që nga viti 2015 ka marrë notën “pak progres” në shumicën dërrmuese të rasteve. Kjo është nota më e ulët kaluese në shkallën e vlerësimit të Komisionit Europian dhe kjo notë minimale jepet nga zyrtarë që janë veçanërisht mbështetës për zgjerimin dhe që duket se bëjnë përpjekje të mëdha për të gjetur sado pak progres e për të shmangur komentet negative.

Gjithesi, gjatë viteve të fundit, rikthimi i Rusisë në skenën ndërkombëtare dhe përkeqësimi i balancave delikate të pushtetit në shumë vende të Ballkanit, ka shtyrë zyrtarët e Brukselit të mendojnë për zgjerimin jo thjeshtë si çështje kriteresh por edhe si çështje gjeostrategjike, gjë që Rama u përpoq ta theksonte edhe më shumë.

Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Europian dhe personi i cili në vitin 2014 shpalli rëndësinë dytësore të zgjerimit në axhendën e presidencës së tij dhe ngrirjen e zgjerimit për “pesë vjet”, javën e kaluar theksoi se BE duhet të pranojë vende të reja anëtare nga Ballkani Perëndimor “për të shmangur rrezikun e një lufte të re atje”.

Por se sa do të bindë rreziku gjeopolitik për sigurinë e Europës vendet anëtare për përshpejtim të integrimit të Ballkanit pavarësisht ngathtësisë në plotësimin e kushteve nga kandidatët, kjo mbetet për t’u parë pas pak javësh. /BIRN/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne