Kryeministri Tsipras njofton zgjedhje të parakohshme

Kryeministri grek Alexis Tsipras ka pranuar pak para mesnatës së të dielës rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Europian dhe ka deklaruar se në fund të javës tjetër do të shkojë te presidenti i vendit për të kërkuar zgjedhje të parakohshme në fund të muajit qershor. “Nuk do ta braktis betejën, nuk do të largohem apo të jap dorëheqjen nga lufta për barazi, solidaritet dhe drejtësi sociale. Menjëherë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale do t’i kërkoj Presidentit të Republikës shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve kombëtare”, tha Tsipras. Vota e grekëve ka nxjerrë fitues për zgjedhjet e Parlamentit Europian konservatorët e “Demokracisë së Re”, të cilët kryesojnë me 32.27%, gati 9.4 pikë më shumë sesa partia qeveritare, dhe udhëheqësi i tyre Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Tsipras. “Kryeministri duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Për të mirën e vendit, ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhjet kombëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Kyriakos Mitsotakis, kreu i “Demokracisë së Re”.

Por, vota e grekëve ka nxjerrë gjithashtu edhe një lajm pozitiv, që është humbja e fuqisë së neonazistëve të “Agimit të Artë”, të cilët nga forcë e tretë politike kanë shkuar në vendin e pestë, me 4.8% të votave, duke humbur gati 40% të mbështetësve të tyre. Një forcë e re politike, me bazë kryesisht në Selanik dhe Greqinë e Veriut, “Zgjidhja Greke” duket se ka mbledhur këta përkrahës të së djathtës ekstreme dhe për herë të parë do të hyjë në PE, pasi ka përqëndruar 4.1% të votave. Në vendin e tretë rreshtohet “Lëvizja për Ndryshim” me 7.17% , që ka bazë kryesisht socialistët e PASOK-ut, ndërsa pasojnë komunistët grekë me 5.7%. Triumfi i konservatorëve është kurorëzuar edhe me zgjedhjet lokale që zhvilloheshin në të njëjtën ditë, pasi përfaqësuesit e tyre kanë fituar edhe në shumicën e njësive administrative të vendit./rtsh

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne