Kryeparlamentari Xhaferi takon nënkryetarin e PE-së, Papadimoulis

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka realizuar takim me nënkryetarin e Parlamentit Evropian (PE) nga Republika e Greqisë, Dimitrios Papadimoulis.

Siç bëhet e ditur në kumtesën e lëshuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, Xhaferi ka shprehur kënaqësinë nga takimi i sërishëm me Papadimoulis dhe ia uroi rizgjedhjen edhe në këtë përbërje parlamentare.

Xhaferi konstatoi që PE demonstron mbështetje konkrete për proceset eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, gjë që paraqet sinjal për realizimin e të gjitha vlerave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kryetari Xhaferi e njoftoi bashkëbiseduesin për proceset eurointegruese, procesin e përmbylljes së ratifikimit të Protokollit Aderues për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe pritjen e marrjes së datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Fillimin e negociatave e vlerësoi si akt të valorizimit nga ana e BE-së për reformat tona të ndërmarra dhe mbylljen e çështjeve të hapura me fqinjët, gjë që vetvetiu nuk nënkupton edhe anëtarësim në BE, por fillim të një faze të re në procesin eurointegrues, finalizimi i të cilit do të varet nga vetë ne dhe nga dinamika e reformave të ndërmarra”, thuhet në kumtesë.

Lidhur me bashkëpunimin me Republikën e Greqisë, njoftohet se Xhaferi ka theksusr që bashkëpunimi i vazhdueshëm parlamentar pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës do të vazhdojë edhe me përbërjen aktuale të Parlamentit grek.

Nënkryetari Papadimoulis shprehu kënaqësi të madhe nga takimi i sërishëm, duke e shprehur mbështetjen e tij personale për integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, Marrëveshja e Prespës është gurthemeli që jep bazë të mirë për ndërtimin hap pas hapi të orientimit evropian të vendit.

Njëkohësisht, Papadimoulis shprehu mbështetjen e partive politike në PE, në Komisionin Evropian dhe në Këshillin e Evropës ndaj kësaj marrëveshjeje si “dritare për tërë rajonin dhe integrimin e tij në BE”.

“Ai theksoi se nisja e negociatave për anëtarësim në BE do t’u dërgojë mesazh të rëndësishëm qytetarëve se i inkurajon që të vazhdojnë me reformat. Në këtë moment, është veçanërisht e rëndësishme që secili vend të vlerësohet veç e veç për hapat që i ndërmerr dhe të shpërblehet në mënyrë përkatëse, si dhe të dërgohet mesazh se edhe krahas daljes së disa shteteve nga Unioni, megjithatë ai mbetet i hapur për pranimin e vendeve të reja anëtare”, thuhet në kumtesë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne