Kryeparlamentarja Osmani kritikon deklaratën e Borrellit për shkëmbim territoresh

Kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani ka kritikuar deklaratën e kryediplomatit të BE Josep Borrell se BE-ja nuk është kundra shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Unë u bëj thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë që të përmbahen nga legjitimimi i ideve të prapambetura në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Çdo zgjidhje e propozuar që nuk ka një bazë të fortë në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës do të refuzohet me vendosmëri nga populli ynë, ” shkroi Osmani në Twitter të martën si përgjigje ndaj deklaratës së Borrell.

Në një shkrim më të gjatë në Facebook, Osmani tha se BE-ja nuk mund të shërbejë thjesht si një forum për dialogun Kosovë-Serbi, por gjithashtu duhet të sigurojë udhëzime të bazuara në parimet dhe vlerat e BE: “Ndryshimi i kufijve etnikë nuk është pjesë e këtyre parimeve dhe vlerave. ”

Ajo u bëri thirrje aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në dialog të hedhin poshtë përpjekjet e Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje mes dy vendeve mbi bazën e shkëmbimit të territorit.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i refuzojë përpjekjet e individëve të caktuar për të shtyrë përpara çfarëdo propozimi për zgjidhje mbi bazën e ndarjeve etnike dhe të ndryshimit të kufijve, sepse në thelb kjo do të ishte edhe kundër vlerave të Bashkimit Evropian dhe nuk siguron paqe të qëndrueshme në rajon. Mbi të gjitha, zgjidhje të tilla nuk do të përkraheshin nga qytetarët tanë e rrjedhimisht do të mbeteshin të pazbatueshme. Historia na mëson se zgjidhjet e idetë pa mbështetje qytetare përfundojnë me dështim,”shkroi Osmani.

Partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) gjithashtu e kundërshtoi deklaratën e Borrellit si “të dëmshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit, dhe e cilësojmë si qasje destruktive në raport me rolin e tyre si lehtësues në dialogun e udhëhequr nga Amerika për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë.”

Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe partia e tij Vetëvendosje e kundërshtojnë planin për shkëmbimin e territoreve për të cilat dyshohet se është diskutuar që prej vitit 2018 midis Presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç.

Dy partitë e tjera më të mëdha, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë reaguar ndaj deklaratës së Borrell./exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne