Kryeprokurori “zbarkon” te Krimet e Rënda, mesazhi që u dha prokurorëve: Hetimet për pasojat e tërmetit në Durrës treguan…

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela “zbarkoi” sot ne Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku zhvilloi një takim me prokurorët e kësaj prokurorie përpara përfundimit të aktivitetit nga ana e saj, e cila u shkri ne funksion te krijimit te SPAK.

Gjate takimit, ai vlerësoi punën e kryer përgjatë 15 viteve të funksionimit të saj, duke theksuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë model për rajonin dhe ka arritur rezultate të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar.

Prokurori i Përgjithshëm shprehu besimin se eksperienca që ata kanë do të jetë shumë e vlefshme për prokuroritë ku ata do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet.

Ndërkohë që u ndal edhe tek vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për transferimet e prokurorëve të kësaj prokurorie, si shenjë e mbështetjes dhe vlerësimit që ky organ dha për karrierën e prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Duke nënvizuar kuadrin e ri ligjor në të cilin veprojnë prokurorët, ai theksoi se ‘pavarësia është elementi thelbësor që do të karakterizojë punën e prokurorëve; dhe siguroi se do të jetë mbështetës dhe garant i kësaj pavarësie.

“Rezultatet e hetimit në çështjet që lidhen me pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës janë provë e funksionimit të pavarësisë reale të prokurorëve dhe vlerësoi punën e tyre në këtë drejtim”- tha ai./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne