Kryesia e Kuvendit/ Sot caktohet seanca për votimin e Qeverisë në Kosovë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mblidhet sot me kërkesë të mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili i ka kërkuar caktimin e datës së mbajtjes së seancës për votimin e ekzekutivit.

Sipas afatit kushtetues, Albin Kurti ka kohë deri më 4 shkurt që t’ia paraqesë për votim kabinetin e tij deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

VV dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës, për shkak të mospajtimeve rreth postit të kryeparlamentarit dhe atij të presidentit.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit do të mblidhet në ora 09:00 për të shqyrtuar kërkesën e Albin Kurtit.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit.

Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti mandaton kandidatin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.

Për disa javë me radhë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë zhvilluar negociata, mirëpo ato nuk kanë sjellë si rezultat ndonjë marrëveshje koalicioni.

Aktualisht, Kosova qeveriset nga qeveria në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, por e cila ka kompetenca të kufizuara.

Përderisa Vetëvendosjes, si parti fituese, LDK-ja nuk ia ka kontestuar pozitën e kryeministrit, kjo e fundit ka kërkuar që si baraspeshë në ndarjen e pushtetit, ta ketë pozitën e kryetarit të kuvendit, të cilën e ka marrë nën drejtim Vetëvendosje që nga data e konstituimit të Kuvendit, më 26 dhjetor./Gazeta Express

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne