Bota

KS-OKB rrëzon propozimin rus për përgjysmimin e ndihmës ndërkufitare për Sirinë

Këshilli i Sigurimit të OKB-së hodhi poshtë të mërkurën projekt-rezolutën ruse, e cila kërkonte të zgjasë ndihmën ndërkufitare për Sirinë për gjashtë muaj përmes një porte kufitare.

Propozimi rus fitoi vetëm mbështetjen e Kinës, Vietnamit dhe Afrikës së Jugut dhe votën e saj. SHBA, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Belgjika, Estonia dhe Republika Dominikane votuan kundër projekt-rezolutës, të cilës i duheshin të paktën nëntë vota “pro”.

Tunizia, Nigeri, Indonezia, Shën Vincenti dhe Grenadinet abstenuan.

Rezoluta ruse kërkoi të zgjasë mekanizmin ndërkufitar për gjashtë muaj të tjerë dhe të kufizojë numrin e pikave të kalimit në vetëm Bab Al-Hawa.

Të martën, Rusia dhe Kina vendosën veto ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të zgjatur dërgesat e ndihmës nga Turqia në Siri.

Autorizimi, i cili ka hyrë në fuqi që nga viti 2014 do të skadojë të premten. Rezoluta u hartua nga Gjermania dhe Belgjika.

Sipas rezolutës aktuale, ndihma e OKB-së dorëzohet nga Turqia në veri-perëndim të Sirisë përmes vendkalimeve kufitare Bab al-Hawa dhe Bab al-Salam.

Moska argumenton se vendkalimi Bab Al-Hawa mund të mbulojë të gjitha nevojat humanitare të popullatës në Idlib, ndërsa Bab Al-Salam siguronte vetëm 14 për qind të dërgesave të përgjithshme të ndihmës.

Megjithatë, zyrtarët e OKB-së kanë përsëritur se të dy kalimet nga Turqia në Siri janë “një rrugë shpëtimi për miliona civilë të cilët OKB nuk mund t’i arrijë me mjete të tjera”.

Sipas OKB-së, 70 për qind e 3 milionë banorëve të provincës së Idlibit kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011 kur regjimi i Bashar al-Asad u përpoq të shtypë me dhunë të paparë protestat pro-demokracisë.

Që atëherë, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë zhvendosur./AA

OPINIONE

INTERVISTA