Ku ka humbur Erjon Veliaj? Zhduket para protestës së opozitës

Sa herë ka lajmëruar dhe organizuar protesta opozita, para dhe pas tyre, një gjë ishte e sigurt. Erjon Veliaj shfaqej dendur dhe provokonte rëndë. Kërkonte të mos dëmtohej qyteti i tij, të mos bëhej pis, dhe sillej më pas si polic i rreptë duke vënë gjoba.

Një qëndrim që ka merituar tërë urrejtjen e protestuesve dhe demokratëve. Por Veliajt, një protagonist 24 orë në ditë, pak i bëhej vonë. Edhe pse kish zgjedhur këtë lloj provokimi e mënyre aspak simpatike, megjithëse ai vetë vjen, si të thuash, rrënjët i ka te protesta, sërish ia dilte të merrte vëmendje.

Portreti i tij ishte gjithnjë i atashuar me protestat. Diskutohej mesazhi, pjesëmarrja, aktet, gjestet, dhe çfarë bëri Veliaj.

Krejt ndryshe po ndodh këtë radhë. Po bëhen dy javë që Veliaj është zhdukur nga ekrani, ndërkohë që kjo e kësaj të shtune, po mendohet si protesta më vendimtare e opozitës. Ka shumë mister, pritshmëri, dhe skenarë që përfliten.

Po Veliaj mungon. Asnjë lajmërim për higjienën e qytetit, për trotuaret, pllakat. Asnjë paralajmërim për gjoba. Nuk janë të paktë ata që besojnë se Veliaj po agjëron mediatikisht, jo sipas një rituali a reflektimi personal, por i detyruar nga humori i Edi Ramës.

Fakti që shefi i mazhorancës ende nuk e thotë copë se Veliaj do të jetë kandidat për Tiranën, e ka tulatur, e ka shpupluar Veliajn. Në Pogradec, do thonin e ka tarkalisur. Për shembull dje në Lezhë, Edi Rama tha se do kandidojë Pjerin Ndreun. Është në dhjetëra takime në Tiranë ku gjendet edhe Veliaj, po asnjëherë deri sot, kreu i PS, nuk e ka nxjerrë nga goja atë të shkretë fjali, që aq shumë po pret Veliaj, se po, ai do të jetë kandidati. Pra, një arsye e tërheqjes, mund të jetë që mos i dalë buallit përpara se do të marrë gjithë gjynahet e mizave që po e pickojnë atë ngado. Urtë, me kokën ulur, duke pritur.

Po të shumtë janë ata që kanë një tezë tjetër, dhe rrethanat e faktet mund t’u japin të drejtë. Nuk është aspak çudi se Erjon Veliaj po pret me një lloj emocioni protestën, ndoshta duke kalkuluar e shpresuar që Rama të bjerë. Dhe nëse kjo ndodh, një yll i ri mund të ndriçojë për kryetarin e Bashkisë, pasi ai shihet si pasardhësi i Ramës në krye të socialistëve. Publikisht, ai nuk guxon ta nxjerrë mbi stomak këtë ide. Por në bisedat e darkave vonë, në udhëtimet e takimet jashtë, në paktet që bën me faktorë të rëndësishëm në Tiranë, ai i jep zë këtij projekti.

E nuk bën aspak habi, që Erjon Veliaj, të jetë sot në garë me shumë opozitarë e njerëz të pakënaqur e të dërrmuar nga qeverisja, se kush gëzon më shumë për largimin e mundshëm të Ramës.

Një motiv të fortë e ka. Karriera e tij e mëtejshme, është tërësisht e varur nga humori i kryeministrit. Nëse ai i ndalon kandidimin në Bashki, i këput vijën e ujit të mullirit, ku po bluan miellin e ëndrrave për pushtetin e madh. Pra, sa të jetë Rama, ai ka mbi krye një rrasë të fortë guri. Ikja e tij, do t’i jepte mundësinë e hapësirën për t’u ngjitur atje ku ai mendon se i takon, në krye të socialistëve./Mapo

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne