Sociale

Ku po shkon martesa shqiptare?! Divorcet në nivele rekord, dyfishohen në dy dekada

Divorcet arrijnë në një nivel rekord që pas viteve ’90 në vendin tonë. Sipas përllogaritjeve të Monitor me shifrat e bëra publike nga INSTAT, nga viti 1990 që numri i tyre ka qenë 2675, në 2018 numri i tyre ka arritur në 4846, thuajse me një dyfishim në dy dekada. Ekspertët e fushës ligjore theksojnë arsyet ekonomike si shkakun kryesor për rritjen e tyre…

Nuk është më një surprizë që muaji më i preferuar që shqiptarët lidhin martesë është gushti dhe ky fakt mbështetet nga statistikat pesë vjeçare të INSTAT. Një fakt tjetër të cilin statistikat çdo vit e më tepër po tregojnë, është edhe rritja e normës së divorcit në mesin e shqiptarëve. Sipas INSTAT, në vitin 2018 janë regjistruar në zyrat e gjendjes civile rreth 23 mijë martesa, ose ndryshe 8,1 martesa për 1.000 banorë. Ndërsa, në vitin 2018 divorcet shënuan rritje, duke regjistruar 4.846 raste, nga 4.240 divorce të ndodhura në 2014, pra me një rritje prej 12 % në 5 vite.

Gjatë viteve 2014-2018 vihet re një rritje e kësaj norme, nga 1,5 divorce për 1.000 banorë në 2014, në 1,7 divorce për 1.000 banorë në 2018. Në vitin 2017, sipas INSTAT, norma e divorcit pësoi sërish rritje, duke arritur 19.9 divorce në 100 martesa.

Sipas ekspertëve të fushës ligjore, arsyet që ccojnë drejt një divorci janë kryesisht ekonomike. Por, gjithashtu, një ndërgjegjësim i grave të cilat vitet e fundit kanë një nivel arsimor dhe profesional, që i lejon të përballojnë jetesën, edhe në raste kur ka fëmijë të përfshirë në mes. Av. Denisa Daka thotë për Monitor se gjatë 2018 kemi hasur raste gjithnjë e në rritje të padive për divorce, evidenca të tilla që krahasuar me vitet e mëparshme tregojnë qartë rritjen. Sipas avokates Daka, arsyet janë situata e vështirë ekonomike, dëshpërimi, pasiguria kanë nxitur rritjen e tyre. Procesi i divorcit sipas saj, ndiqet nga niveli po në rritje i emigracionit, sepse në kushtet e gjetjes para situatës së pashpresë, secili gjen mundësinë për t’u larguar nga vendi.

Grafik Sakte Divorci 768x398

/Monitor

OPINIONE