Kudsi, dimensioni meta-historik i Islamit

Nga Samet Vata

Në Natën e 2-të Të Palestinës organizuar nga Ambasada Palestineze dhe Insituti i Medias së Lirë dt. 21 qershor 2017

Mesxhidi Aksaja së bashku me dy shtëpitë e tjera të shenjta, Qaben dhe Mesxhidin Profetik, përbëjnë trekëndëshin e shenjtë mbi të cilin është ngritur tradita fetare Islame. Secila në vetvete përmban një biografi historike, por në të njejtën kohë i ofrojnë botës edhe një vlerë metafizike dhe spirituale, e cila i tejkalon limitet kohore-gjeografike. Nëse Mesxhidi Profetik na shfaqet më vonë në skenën historike, dy xhamitë e tjera i shohim të themeluara gjatë jetës së Profetit Ibrahim a.s dhe që prej asaj kohe pikat nevralgjike të botës sonë, u duk se ishin të dyja xhamitë. Dërgimi i profetëve të shumtë në zonën e Palestinës nga njëra anë dhe vendosja e Ibrahimit a.s në Qabe nga ana tjetër (e cila u pasua edhe nga vizita të shumta të profetëve të tjerë për pelegrinazhin e Haxhit), janë indikatorë se ky segment do të shërbente si busulla globale, e cila do të përsosej me ndërtimin e Xhamisë Profetike në Medine.

Megjithatë, po të vërehet që prej kohëve më të hershme e deri edhe në ditët tona, jeta e të dy xhamive nuk ka qenë edhe aq e ngjashme. Aksaja që ndodhet në Palestinë, duke qenë se ka qenë më e afërt me jetën politike botërore dhe që modeli i një shteti është vërejtur më herët aty, ka bërë që ajo të kalojë nëpër momente dhe kriza më të mëdha sesa Xhamia e Qabes. Ndërsa kjo e fundit, nga ana tjetër ka jetuar më e qetë dhe e paqtë në aspektin politik. Pozita jo e lakmuar gjeografike dhe klimaterike, ka bërë që askush të mos interesohet rreth saj, më tepër sesa në rrafshin peligrinal dhe adhurues. I vetmi rast sporadik që na paraqitet në histori, në të cilin Qabeja rrezikohet ekzistencialisht, është rasti i sulmit të mbretit Jemenas i cili kërkonte ndërtimin e një “Qabeje” në Jemen, rast i cili u neutralizua me një mrekulli nga ana e Allahut fuqiplotë.

Gjithë sa u shpjegua më lart, ishte si qëllim prezantues i pozicionit të shtëpive të shenjta përpara shfaqjes si Profet të Muhamedit a.s, nëpërmjet trashëgimisë së të cilit do të tregohet se si qëndrojnë Xhamitë e Shenjta në rrafsh ontologjik dhe cfarë pozicioni qëndrojnë kur shfaqen si ekzistenca historike. Duhet pasur parasysh se historia nuk është tjetër vecse mishërim i Idesë së Levhi Mahfudhit në realitet, me qëllimin e vetëm që të realizohet përmbushja e vullnetit të Zotit nëpërmjet njeriut. Pasi se sic thoshte edhe Sheling: “historia tregon jo thjesht procesin njerëzor, por një proces kozmik, një proces në të cilin bota arrin ta realizojë vetveten në vetndërgjegje si shpirt”.

Në traditën Islame, Palestina dhe Xhamia Aksa na shfaqen në dy momente. Momenti i parëështë paraqitja e xhamisë Aksa si kah për drejtimin e besimtarëve gjatë kryerjes së faljeveditore. Ndërsa rasti i dytëështë në kohën që Profeti Muhamed udhëton në atë që u quajt Israja dhe Miraxhi, në të cilën edhe obligohet falja pesë herë në ditë. Sic shihet, sa herë që përmendet Aksaja, patjetër se në diskutim do të implikohen ngjarje të jashtëzakonshme, do të flitet për mrekulli, për thyerje të rregullave kozmike, për meta-fizikë.

Ibrahimit a.s i lindi djali në moshë të thyer, Zekerijas a.s po ashtu. Meremja a.s u përgëzua me djalë kur ishte në Xhami. Profeti Muhamed a.s u ngjit në udhëtimin qiellor prej oborrit të Xhamisë. Këto dhe shumë fenomene tjera, na bëjnë të meditojmë dhe të kuptojmë se pa dyshim një shpirtëri e pamasë e rrethon territorin e Shtëpisë së Shenjtë. Kështu na paraqitet edhe në një prej sureve të Kuranit Famëlartë tregohet se:

Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit) (17:1)

Dimensioni i të jetuarit dhe i të jetësuarit pa dyshim se implikon prezencën e shpirtit dhe të shpirtërisë. Që një element apo një substancë të marrë jetë, shpirti është ai që bën diferencimin. E duke ditur se profetët janë ‘Jeta’ e ekzistencës njerëzore, ardhja e tyre në botë në Xhaminë Aksa na jep të kuptojmë se kjo e fundit është institucioni i shpirtit në sipërfaqen e tokës.

Duke ditur tashmë se vargu profetik është mbyllur dhe përfunduar, në cfarë forme duhet kuptuar dhe qasur Kudsit si institucioni shpirtëror i fesë.

Në një prej traditave Profetike më të famshme na mësohet se feja i ka tre shtylla themelore: të besuarit, orto-praktika dhe të përjetuarit [Hadithi i Xhibrilit]. Në rrafshin institucional, këto tre dimensione i kemi të mishëruara në tre xhamitë e Shenjta. Elementi i Besimit është i mishëruar në Xhaminë e Qabes, elementi i ortopraktikës është i mishëruar në Xhaminë Profetike dhe elementi i të përjetuarit është i mishëruar në Xhaminë Aksa. Dy dimensionet e para të fesë janë kalitës dhe disiplinues të karakterit të individit besimtar, ndërsa fusha e tretëna paraqitet si dimensioni i lirisë së shpirtit. Qabja paraqet Vullnetin e Përgjithshëm të Zotit, pra një determinizëm të pashmangshëm dhe Xhamia Profetike aludon në vullnetin e lirë që ka njeriu brenda këtij determinizmi, ndërsa Aksaja është metodologjia sesi njeriu me këtë vullnet të lirë i qaset Zotit determinues.

Kthimi kah Aksaja në pesëmbëdhjetë vitet e para të shpalljes Hyjnore, ishte mesazh për rëndësinë e Xhamisë në konsolidimin e besimit të besimtarëve. Mendoj se drejtimi kah ajo, më tepër sesa orientim gjeografik, ishte një orientim spiritual dhe simbolik, për të treguar se për të qenë në gjendje optimale për t`iu drejtuar Xhamisë së Vjetër (Qabes), nevojitej një purifikim shpirtëror dhe të ndërtuarit e një busulle të brendshme. Prandaj edhe përjetimi i Miraxhit apo arritja në prezencën e Allahut, implikon ndalesën paraprijëse në Xhaminë Aksa [Ngjarja e Israse dhe Miraxhit].

Një arsye tjetër se përse Aksaja ka një vlerë kaq madhore, është se duke qenë institucioni i shpirtit në sipërfaqen e tokës, luan edhe rolin e një matësi të spiritualitetit në mënyrë të përgjithshme në glob. Pra gjendja e Aksasëështë në të njejtën kohë indikator i raportit njerëzor me materien dhe shpirtin. Historia ka treguar shpesh se Aksaja është rrënuar kur njerëzimi është zhytur në errësirën e materializmit dhe korrupsionit, ndërsa ka shkëlqyer për ka kohë Selami dhe Paqja kanë sunduar mbi to.

Në ditët të cilat po jetojmëështë vështirë të thuhet se spiritualiteti po përjeton ditët e tij më të mira. Kapitalizmi i modernizmin dhe postmodernizmit duket se e ka nxjerrë gjithcka në ankand dhe i ka vendosur një cmim. Asgjë nuk duket se po i shpëton tregut të mallrave. Fausti tashmë e ka shitur edhe gjënë më të shtrenjtë që kishte, shpirtin e tij. Nëse edhe elementi më transhedent në qenien e njeriut arriti të dilte në ankand vallë c`mund të thuhet për fushat e tjera të jetës.

Këtë krizë të brendshme të njeriut e shohim të pasqyruar edhe në Xhaminë e Aksasë e cila prej mëse një shekulli nuk e gëzon qetësinë dhe paqen sublime. Kjo është shenjë e destabilizimit të njeriut, tek i cili shpirti i është nënrenditur nevojave biologjike dhe fiziologjike të tij.

Nga ana tjetër, një fenomen mjaft shqetësues për shekullin të cilin kemi hyrë, është edhe feja pa fetari apo, besimi dhe adhurimi pa shpirtëri. Kriza substanciale e spiritualitetit, ka bërë qëfesë t`i kushtohet kujdes dhe rëndësi vetëm në rrafshin juridik, në norma dhe rregulla, në parime të thata të cilat shpesh më tepër sesa qetësi, i sjellin njeriut lodhje dhe dhimbje koke. Kjo ndodh për shkak se dimensioni i tretë e Islamit është lënë në harresë dhe mënjanë. Dimension ky i cili është katalizator dhe gjenerator për një dinamizim dhe rivitalizim të jetës shpirtërore të njeriut besimtar. Është e vërtetë se sot praktikimi i parimeve të fesëështë në nivele mjaft të kënaqshme, por në kuadër të mungesës së përjetimit të tij, besimtari nuk do të mund të arrijë kurrë në miraxh [Fjala është për hadithin profetik: Namazi është miraxhi i besimtarit.]

Eh për të arritur në përjetimin e adhurimit të Zotit Fuqiplotë nevojitet një unifikim me xhaminë e Aksasë apo një përshpirtëzim i saj në brendinë e secilit prej nesh. Nevojitet ndërtimi i një busulle të brendshme për të vendosur një stabilitet në qenien tonë. Nëpamundësi të arritjes së kësaj grade, më e pakta që mund të bëhet është të qëndruarit përkrah atyre të cilët janë në gjendje ta realizojnë dhe e bëjnë dicka të tillë.

Ashtu si diskutimi dhe përkujtimi rreth Zotit e bëjnë prezenencën dhe madhështinë e tij të ndjeshme për besimtarit, në të njejtën mënyrë diskursi mbi shenjat dhe ajetet e Krijuesit në tonë, i bëjnë ato pjesë integrale të qenies tonë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne