Kufiri detar me Greqinë – Rama: Shqipëria merr atë që i takon

“Ne nuk i hapëm çështjet e vjetra që të ulemi në tryezë për të bërë një marrëveshje tjetër të dëmshme për Shqipërinë, po për një marrëveshje të re, që i jep Shqipërisë atë që i takon! As më shumë, as më pak.”

Kështu deklaroi të martën në mbrëmje Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke komentuar deklaratat e bëra nga të ftuarit në studion e emisionit “Opinion” lidhur me negociatat që po zhvillohen me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar.

“Komentatorëve që shanë, fyen, akuzuan e baltosën gjatë këtij emisioni, u përkushtoj të gjithë keqardhjen time dhe u them vetëm kaq: Ne nuk i hapëm çështjet e vjetra që të ulemi në tryezë për të bërë një marrëveshje tjetër të dëmshme për Shqipërinë, po për një marrëveshje të re, që i jep Shqipërisë atë që i takon! As më shumë, as më pak. Fatmirësisht në këtë rast nuk është me tha ai, tha ajo, thanë ata, thonë këta apo them unë”, shkruan kryeministri përmes rrjetit social “Facebook”.

Sipas tij, “në fund, të vërtetën do ta thonë kartat e shkruara e të nënshkruara dhe pastaj deti do të marrë puplat e rëna të kakaritësve shurdhues të katundit politik e mediatik”. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne