Kundër bazave të huaja në Kuçovë

Nga Nderim Lushi

Kryemininistri i Republikës së Korruptuar të Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar hapjen e një baze ajrore të NATO-s në Kuçovë. Teknikisht ky vendim duhej të raportohej përmes një konference për shtyp dhe jo përmes një statusi të parëndësishëm në facebook. Raportimi i këtij vendimi të rëndësishëm has në 3 mosqëndrueshmëri:

1-Lajmi u raportua  ditën e shtunë, pra në një ditë pushimi.

2-Ky vendim u raportua në Gusht, muaj pushimesh, çka nënkupton që ky vendim strategjik është marrë më parë.

3-Rama dhe NATO, zgjodhën facebook-un e Ramës për të raportuar lajmin dhe jo kanalet zyrtare që duhet të përdoren në të tilla raste.

Të tre pikat vërtetojnë qëllimin e Ramës për ta paraqitur vendimin si të parëndësishëm, duke tentuar kështu që të anashkalojë vëmendjen e qytetarëve Shqiptarë.

Vendosja e Bazës në Kuçovë është një hap tepër i rëndësishëm për interesat dhe luftërat huaja, gjithçka në një  vend ku të huajt nuk kanë investuar asgjë (në 28 vitet e fundit), por kanë grabitur çka kanë mundur, prandaj raportimi  i këtij lajmi në atë mënyrë kërkon të anashkalojë vëmendjen e publikut.

Në një sondazh simbolik në facebook, me 19 votues, 95% e pjesëmarrësve kërkojnë që të vendoset përmes një referendumi ndërtimi i një baze të huaj dhe jo të vendoset tiranisht dhe personalisht nga kryeministri Rama.

Shqiptarët, për shkak të varfërisë dhe propagandës, njihen botërisht si pro gjithçkaje të huaj, por pas 28 vitesh sistem korruptiv dhe padrejtësi shtetërore, Shqiptarët kanë filluar të zgjohen dhe nuk pranojnë baza të huaja, veçse në rastet kur ato prezantohen me investime civile dhe vende pune në mbarë Shqipërinë.

Të kundërshtosh një bazë të tillë do të jetë më tepër një nismë politike dhe duhet organizim politik, pasi vetë vendimet për bazën janë politike dhe prekin interesat gjeopolitike të superfuqive.

Nuk mund të pranojmë një bazë të huaj, pa dëshmuar më parë zhvillim ekonomik, vende pune dhe një sistem demokratik, prandaj baza duhet kundërshtuar fuqishëm, sistematikisht dhe në mënyrë të organizuar, kjo në terma afatgjatë.

Jo i pa qëllimtë  duket dhe debati në Kosovë, debat për shkëmbime territoresh, kur dihet që debate dhe pazare të tilla janë mundësi e Amerikës dhe jo e kukullave të tyre në Ballkan. Jo pa qëllim dita e prezantimit të bazës, u zgjodh për të ndezur një debat mes Berishës dhe Thaçit, gjithçka e bërë enkas për të zhvendosur vëmendjen, gjithçka për të kontrolluar axhendën e publikut.

 

 

Burimi: nderimlushi.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne