Kur dhe si mund të shpëtojë Shqipëria nga krizëbërësit

Roli që po luajnë ish-kryetarët e shtetit, Sali Berisha, Bujar Nishani ose Bamir Topi, kryetari i tanishëm i shtetit, Iir Meta, kryeministri Edi Rama, si dhe ish-kryeministra, ministra apo pushtetarët e partiakët më të lartë në krizën e tanishme shqiptare dëshmojnë se gjatë 30 vjetëve të demokracisë në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë burra shteti, por vetëm politikanë mjeranë dhe krizëbërës

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

 “Tashmë ka dalë qartë se cilët kanë qenë krizëbërësit në Shqipëri qysh nga viti 1991. Janë ata që kanë kryesuar klane politike, si kryetarë partish ose kryetarë fraksionesh nëpër partira, që kanë zënë disa herë poste me rëndësi në qeveri, presidencë, parlament, administratën e lartë shtetërore, në krye të disa shoqatave dhe në krye të disa gazetave e kanaleve televizive.

Midis këtyre janë shquar më shumë njerëz që kanë përbërë kupolën e “klubit partiak ramizian” qysh në fillim, apo që bënë karrierë të vrullshme më pas nën hijen e njërit apo tjetrit nga krerët e këtij klubi, të Sigurimit të Shtetit e të politikave të huaja. Ndër krizëbërësit e Shqipërisë disa shquhen për rol, peshë e ndikim më të veçantë, si Fatos Nano, Gramoz Ruçi, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Ilir Meta, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Skënder Gjinushi, Arben Imami, Sabri Godo e ndonjë tjetër.

Tani në këtë fazë të acaruar të tejzgjatjes së krizës politike në Shqipëri krizëbërësit më të rrezikshëm për vendin e shoqërinë po tregohen Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Sali Berisha, Rexhep Meidani, madje dhe Edi Rama. Janë këta njerëz që duhen frenuar në çmendurinë e tyre krizëbërëse.

Ilir Meta ka disa kohë që u bë strumbullari i një grupimi shumë sherrxhi në krizëbërjen në Shqipëri. Janë pikërisht ai grup deputetësh e politikanësh që kanë marrë emrin “metistë”, me të cilët u bashkua dhe Rexhep Meidani, që kanë krijuar pa kurrfarë nevoje e logjike politike atë që quhet krizë e qeverisë, e cila sipas dukurisë së ortekut ka sjellë poshtë rrëpirës edhe shumë të këqija të tjera që kërcënojnë vendin me një prishje të mëtejshme të stabilitetit të rremë politik, të cilit në njëfarë mënyre po i gëzoheshim vetëm që të mos shohim më një pranverë të dytë të zezë si në vitin 1997.

Ilir Meta dhe përkrahësit tij nuk kishin asnjë arsye të pranueshme politike të fusnin shtetin shqiptar në atë që quhet krizë qeveritare. Pavarësisht nga pakënaqësitë që kishin Meta dhe grupi i tij në luftën për pushtet brenda Partisë Socialiste ata nuk mund të gjejnë justifikim as për dorëheqjen e Metës, as për bllokimin e plotësimit të vendeve të mbetura vakant në përbërje të qeverisë. Nëse ata për muaj të tërë mbajnë këtë krizë të ndezur atëherë duhen cilësuar vetëm si sherrxhinjtë më të mëdhenj të krizëbërjes në Shqipëri dhe duhet t’i vejë para përgjegjësisë në radhë të parë anëtarësia e PS-së pastaj në momentin e përshtatshëm elektorati shqiptar.

Por, ndërkohë këta krizëbërës të papërmbajtur vetëm për ambicie të tyre pushtetore dhe jo për logjikë politike ose për të mirën e vendit duhet t’i vënë para përgjegjësisë edhe mjediset e forcat tjera politike. Për hir të vendit dhe për logjikë e parimësi politike këta krizëbërës duhej t’i kishte frenuar pjesa tjetër e parlamentit. PD i ka inkurajuar tej mase ata në krizëbërjen e tyre. Partitë e vogla në parlament nga frika se mos po i akuzojnë për bashkëpunim me Nanon kanë favorizuar grupimin më të rrezikshëm krizënxitës në Shqipëri, duke humbur kështu një rast për të treguar vlerën e partive të vogla në çaste të vështira për vendin.

Grupimi i Metës duhet izoluar që të mos thellojë më tej krizën dhe të mos i japë përmasa të reja teknologjisë e teknikës së krizëbërjes në Shqipëri. PS do bënte shërbim të mirë për politikën shqiptare nëse arrin të frenojë në kohën e duhur edhe ambiciozë, si Edi Rama që tregon shumë shenja se po të lihet të vazhdojë si e ka nisur në revanin e tij krijon rrezikun për një tjetër “dukuri Enver Hoxha” në Shqipëri. Tani që janë marrë vesh shumë nga mëkatet dhe pendimet e atyre që i lanë rrugën hapur “dukurisë Enver Hoxha” nuk duhen lënë më hapur shtigje për të njëjtat ambicie karrieriste. Me Fatos Nanon janë më të qarta gjërat. Njihen tashmë ambiciet, metodat e stili i tij i punës, njihet mirë shkalla e rrezikut që përbën dhe që i ka konsumuar mjaft energjitë negative. Shihet që ai nuk ka më rezerva të mëdha rreziku për të hedhur në veprim. Kujdes duhet me “xhonturqit” socialistë, të cilëve u është hapur oreksi shumë” (artikull i botuar në gazetën “Rimëkëmbja”, 25.11.2003).

Të nderuar lexues,

Janë dy arsye që më shtyjnë ta ribotoj, pa asnjë ndryshim këtë shkrim të para 16 viteve:

  1. Jam edhe më i bindur se atëherë se gjendja e rëndë që është krijuar në Shqipëri (një “shthurësi masono-demokratike”, sipas temave me të cilat dikur Eqrem bej Vlora ka pas karakterizuar zhvillimet në vitet 1920-1924), është pasojë e veprimtarisë së krizëbërësve, jo ndëshkim nga Perëndia, as ndonjë katastrofë e shkaktuar nga forca madhore të natyrës.
  2. Shkrimi i mësipërm aktualizohet në mënyrë të papritur nga shpërthimet e pakontrolluara të kryetarit të shteti shqiptar, Ilir Meta, më 22 maj 2019 në simpoziumin me temë “Sfidat e sigurisë në Ballkan dhe roli i faktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, të organizuar nga “Qendra Marshall”. Në fjalën e tij tejet nervoze dhe në kundërshtim me predikimin e tij të shpeshtë për “dashuri, me qetësi”, kryetari i shtetit të Shqipërisë lëshoi akuza të rënda kundër politikës qeverisëse shqiptare dhe diplomacisë euroatlantike për krizën politike në Shqipëri. Nga këto akuza u mundua ta përjashtonte vetëm veten e tij dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin. Dhe, disi, Sali Berishën e Lulzim Bashën, që bashkë me Monikën (më shumë me vetë Ilirin) përbëjnë treshen kryesuese të koalicionit për përmbysjen e kryeministrit Edi Rama, në mos më 25 maj, siç kanë kërcënuar se do të bëjnë “luftën finale”, me “siguri” më 30 qershor, po nuk hoqi dorë Rama nga mbajtja e zgjedhjeve deri atë ditë.

Kryetari i shtetit shqiptar, më në fund, doli haptas kundër reformës në drejtësi që po gatuhet me shumë mundim për tri vite me radhë në Shqipëri nga SHBA-të dhe Bashkimi Europian. Ai e shpalli të dështuar këtë reformë deri tani. Ai akuzoi si të paaftë dhe të manipuluar politikisht e në dëm të sovranitetit të Shqipërisë misionin EURALIUS, që ka ndihmuar deri tani për hartimin e zbatimin e reformës. Meta propozoi konkretisht që çdo gjë të nisë nga e para, duke ngritur një mision monitorimi mbi këtë reformë. Me këto shpërthime, ai provoi se janë të bazuara akuzat e bëra se Meta bëhet përçues i sulmeve të atyre politikanëve që kanë frikë nga zbatimi i reformës, sidomos nga shtrirja e “Vetingut” nga pushteti gjyqësor në pushtetin politik. Me mënyrën se si kryetari i shtetit i trajtoi çështjet, praktikisht ai e sulmoi vetë shtetin dhe gjithë miqtë e tij ndërkombëtarë, që janë mbështetësit kryesorë të kësaj reforme dhe që e vlerësojnë reformën si shembull edhe për vende të tjera. Meta ka hyrë përfundimisht në luftë të vështirë e të rrezikshme në emër të shtetit, po për hir të pushtetit të tij, të bashkëshortes së tij dhe të aleatëve të saj politikë Berisha, Basha, Mediu e disa të tjerëve. Këto zhvillime na bëjnë ta kujtojmë shprehjen kuptimplote të një kryetari shteti të Francës para disa dekadash, Zorzh Pompidu: “Burrë shteti është ai politikan që e vë veten në shërbim të kombit. Politikan është ai burrë shteti (më saktë duhet përkthyer pushtetar – A.B.) që e vë kombin në shërbim të tij” (The Oxford Dictionary of Quotation: f. 580). Roli që po luajnë ish-kryetarët e shtetit, Sali Berisha, Bujar Nishani ose Bamir Topi, kryetari i tanishëm i shtetit, Iir Meta, kryeministri Edi Rama, si dhe ish-kryeministra, ministra apo pushtetarët e partiakët më të lartë në krizën e tanishme shqiptare dëshmojnë se gjatë 30 vjetëve të demokracisë në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë burra shteti, por vetëm politikanë mjeranë dhe krizëbërës. Ndryshe nuk mund të shpjegohet që Shqipëria kalon nga një krizë në një tjetër, nga një episod lufte civile në një tjetër, ndonëse nuk kanë pushuar pazaret politike, dialogët, ujditë hipokrite, por gjithmonë nën marshet çjerrëse të luftës për pushtet.

Nuk është sjellje prej burri shteti kur vetë kreu i shtetit sulmon gjithkënd që të justifikojë pafuqinë, më saktë mungesën e dëshirës së tij për të luajtur rolin e kryetarit të shtetit në gjetjen e rrugëdaljes nga kriza, kur atë e shohim dhe një herë në rolin e krizëbërësit të madh, sikurse ka vepruar edhe në plot raste në të kaluarën, duke tundur fort “kartën e blofit politik”, kur ka qenë ministër, zëvendëskryeministër, kryeministër, kryetar parlamenti, kryetar partie, bashkëkryetar koalicioni qeveritar e opozitar. Në rastin e tanishëm ai nuk e pati më guximin të përdorë blofin e “vetëvrasjes politike” (dorëheqjes) as të vetësakrifikimit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, sipas shembullit të ish-presidentit Alende të Kilit. Kësaj radhe përcolli mesazhin inatçor e akuzues se pret që “vetëvrasjen politike” ta bëjnë Edi Rama e pushtetarët qeveritarë shqiptarë dhe diplomacia euro-atlantike, që vepron në Shqipëri. I kapërceu vërtet të gjithë kufijtë e rrëmbimit dhe nuk e fshehu dot më frikën nga “vetingu politik”, që po duket në horizont edhe për politikanët, pushtetarët, ish-pushtetarët (nuk ka siguri se do të bëhet, sepse të gjithë krizëbërësit tremben prej tij dhe jo të gjithë ndërkombëtarët që fusin hundët në punët e pista të bandokracisë shqiptare duan që ai të bëhet).

Por, qysh të nesërmen Meta u shfaq sërish si “president pishmani” e la të kuptohet se është gati të shkelë kushtetutën e të dekretoje datë tjetër zgjedhjesh nëse këtë ia kërkonin forcat politike. Madje, premtoi se ishte gati të jepte dorëheqjen nëse kjo do të shërbente për daljen nga kriza, gjë që nuk ka lidhje me thelbin e krizës.

Edhe më trishtuese ishte kur kryetari i shtetit të Shqipërisë lëshoi shigjetat e tij më të helmatisura kundër çështjes së bashkimit kombëtar shqiptar, duke e vënë bashkimin në një rrafsh me zgjidhjen problemeve që ka Bosnja dhe me kërkesat shoviniste serbe për bashkimin e serbëve. Ai guxoi të shprehë idenë se ata që e kërkojnë bashkim kombëtar shqiptar bëkan mëkatin më të rëndë se po kaluakan nga një folklorizëm në një diabolizëm kombëtar. Pra, kriza politike shqiptare, për të cilët flet kryetari i shtetit shqiptar, mori përmasë e ngjyrim edhe më mjeran se deri tani dhe është një paralajmërim ogurzi në politikën shtetërore të Shqipërisë. Pra ,Meta nuk u përmbajt dot dhe e shpërfaqi si asnjëherë tjetër anti-nacionalizmin e tij.

Kur vepron kështu kryetari i shtetit, duhet të ndjehen të mjerë të gjithë shtetasit shqiptarë. Ky mjerim duhet të nxisë çdo njeri me ndjesi kombëtare ta vrasë pakëz më shumë mendjen se ku është burimi i madh dhe cilët janë shkaktarët kryesorë të krizave të shumta e të thella, nëpër të cilat po kalon kombi e shtetet shqiptare. Ky burim është “KRIZA E MADHE KOMBËTARE”, e shkaktuar nga copëtimi i kombit dhe i trojeve etnike shqiptare. Pa u zgjidhur kjo krizë, të mos presim demokraci të vërtetë, përparim e begatim si të tjerët, respekte, vlerësim si për të tjerët në Europë e në botë.

Ka vend për ta shtruar seriozisht pyetjen: a jemi ne shqiptarët sot seriozisht të rrezikuar si komb? Përgjigjem pa ngurrim PO. Për këtë më bindin shumë analiza për zhvillimet shqiptare gjatë tre shekujve të fundit. Për këtë më bind fati i shumë kombeve të tjera gjatë historisë. Për këtë më bind dhe mençuria e filozofisë së lashtë politike kineze. Dijetari e mentari kinez Sun CU para 2500 vjetesh paralajmëronte se “një komb mund të zhduket nga një komb tjetër pa qenë nevoja që i dyti të nxjerrë shpatën nga këllëfi, por nëpërmjet teknikave të luftës subversive’, që ndjekin pesë kritere”:

  1. “Të zhvlerësohet çdo gjë e mirë në vendin e kundërshtarit”. Sot veprojnë shumë forca, duke përfshirë shtete e qeveri, që përpiqen t’i njollosin, turpërojnë e fyejnë sa më shumë shqiptarët dhe të përdhosin çdo gjë të mirë që ende mund të ketë mbetur në Shqipëri. Për më tepër, janë vetë politikat shqiptare dhe krizëbërësit shqiptarë, që tregojnë zell të papërmbajtur për ta ushqyer diskreditimin nga të huajt.
  2. “Të bëhen qesharake traditat e kundërshtarëve”. Kjo e keqe shqiptarëve po u vjen nga të gjitha anët, sidomos nga brenda shoqërive të tyre
  3. “Të nxiten mospajtime e kontradikta në vendin e kundërshtarit”. Kjo praktikë rrënuese po vazhdon me intensitet të paparë në Shqipëri.
  4. “Të nxiten të rinjtë kundër të vjetërve”. Edhe këtë dukuri e vërejmë përditë në jetën shqiptare. Madje, pikërisht kohëve të fundit ka shpërthyer një sherrnajë krejt e kotë midis komunistëve fanatikë dhe të persekutuarve politikë, që etiketohen si neofashistë sikur të ishim ende në vitet Luftës së Dytë Botërore. Krizëbërësit në moshe të re po tregohen edhe më arrogantë se të moshuarit në sherrnajën politike
  5. “Të dobësohet vullneti për qëndresë i luftëtarëve nëpërmjet këngës, muzikës, artit, jetës së shkujdesur e metodave të e tjera.” Edhe këto dukuri janë mjaft të pranishme në mjediset shqiptare. Nën ndikimin e këtyre dukurive ka një dëshirë të papërmbajtur tek shumë të rinj për ta braktisur atdheun “për jetë më të mirë”. Dëgjojmë shpesh njerëz që thonë se nuk kemi më armiq, nuk ndodhemi para rreziqesh serioze, se lirinë e demokracinë na i garanton NATO, ku jemi anëtarësuar tashmë prej 10 vjetësh e japim kontributin tonë. Por, NATO të siguron mbrojtjen e kufijve nga një armik ose sulm i jashtëm, por nuk të mbron dot nga subversioni i jashtëm ose nga marrëzitë e krizëbërjet e brendshme. Qysh në fëmijëri kemi dëgjuar fjalët edukuese “Zoti ka thënë ruaju, të të ruaj”. NATO të mbron për aq sa janë funksionet e kompetencat e saj politike-ushtarake, por nuk është në gjendje të të mbrojë nga arroganca e pushtetit dhe administratës, nga papërgjegjshmëritë e qeverisë, nga çmenduritë e politikës, nga ndezja e luftës civile e hedhja e bombave molotov për të marrë me dhunë pushtetin. NATO, edhe sikur të përpiqet, nuk të mbron dot nga drejtimi i keq dhe sabotimet e gjithfarshme në ekonomi, nga korrupsioni, nga etja për pasurim të shpejtë e të paligjshëm, as nga manipulimet zgjedhore. NATO nuk të mbron dot nga shumë plagë të tjera, që i shkaktojnë infeksionet që i përhapin vetë krizëbërësit shqiptarë.

Prandaj, do të kalojmë nga një krizë në tjetrën, do të kemi në krye pushtetarë e kryetarë shtetesh si këta që na kanë kaluar nëpër kriza të shumta herë në emër të mbijetesës, herë në emër të lumturisë, që do të sillte fitorja e socializmit në botë, e në këto tri dekadat e fundit të mrekullisë së integrimit në BE.

Tashmë dihet mirë se kush janë krizëbërësit dhe çfarë dëmi i kanë bërë Shqipërisë dhe demokracisë. Janë ata, krizëbërësit socialistë e demokratë, që e goditën rëndë demokracinë zgjedhore të Shqipëri, më 26maj 1996. Janë krizëbërësit socialistë, që e varrosën këtë demokraci më 29 qershor 1997. Janë të dyja palët që deri në ditët e sotme me manipulimet zgjedhore e kanë përdhosur pa pushim rendin politike juridik. I theksoj këto faktet, sepse edhe bubullimat, shkreptimat e luftës së tanishme civile e kanë si sebep e marrin frymëzim nga demagogjia për “kthimin e zgjedhjeve të ndershme dhe të votës së lirë” në Shqipëri dhe e quajnë se kanë të drejtë të hedhin vendin në zjarr për këtë mashtrim. Dihet se zgjedhje të ndershme e votime të lira nuk ka pasur asnjëherë në Shqipëri dhe votuesit shqiptarë nuk e kanë idenë për këtë. Nuk mund të presim të na rregullojnë shpejt këtë demokraci zgjedhore ata që e kanë rrënuar për tri dekada rresht ose disa imitues të tyre rinoshë e fanatikë. Në “Shenja” të muajit të kaluar i përmenda disa ermra të fajtorëve. Ndërkaq në shkrimin e datës 25.11.2003 kanë qenë shënuar disa emra, që luajnë rol jo të vogël politik edhe sot. Edhe më herët nuk kam pas ngurruar të bëja një listë emërore të pesë politikanëve shqiptarë që e mbanin përgjegjësinë kryesore për rrugën e gabuar që morën zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe konkretisht: Ramiz Alia, Fatos Nano, Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Sabri Godo. Dy prej tyre nuk jetojnë më (Alia e Godo), Nano e Meksi kanë kaluar në hije, Berisha vazhdon t’i trazojë ujërat si kurdoherë, ndërsa Godo ka lënë mëkëmbës “të denjë” të politikës së tij Fatmir Mediun. Ky i fundit, që ka një mal me mëkate jo vetëm politike mbi shpinë, gjen guximin të marrë rolin e “të vetëmandatuarit” të montojë qeverinë kalimtare “shpëtimtare nga kriza politike” (“Panorama”, 16 maj 2019), ku propozon të jenë: ish-politikani i fishkur qysh në nisje të karrierës së tij dhe ish-president pas rebelimit të armatosur, Rexhep Meidani, ish-kryeministri i qeverisë së dështuar të stabilitetit në vitin 1991, Ylli Bufi (punisto-socialist), Arben Malaj, ish-ministër financash në qeveritë e Fatos Nano, që dështoi ta sfidonte Ramën në PS, ish-ministrja socialiste e Punëve të Jashtme, Arta Dade, që i përket tani një grupimi politik-propagandistik tejet agresiv ndaj Ramës në periferi të Partisë Socialiste, si dhe Ndre Legisi e Ethem Ruka, që Rama nuk i begenisi me poste qeveritare. “I vetëmandatuari” për të rekrutuar njerëzit e qeverisë tranzitore ka përzgjedhur nga krahu demokrat për qeveritarë Besnik Mustafajn, ish-ministër i Jashtëm i pasuksesshëm i Berishës, Rexhep Ukën, Maksim Cikulin e Myqerem Tafajin, të cilët vetëm përkëdheli kanë gëzuar në PD, pa bërë ndonjë sakrificë në luftërat e vështira të Lëvizjes Demokratike. Mediu nuk ka lënë jashtë propozimeve të tij as bijën e Sabri Godos, që kur ishte babai i saj gjallë Berisha e bëri disa kohë ministre të shëndetësisë. Pra, kemi të bëjmë me pazarllëqe të vjetra në stinën e pazareve të reja. Ka shumë papërgjegjësi, cinizëm të shpëlarë e megallomani në një thirrje në armë të krizëbërësve të vjetër për ta nxjerrë vendin nga kriza.

Kjo është një provë se krizëbërësit po përpiqen që krizat t’i thellojnë jo t’i frenojnë. Prandaj, titullin e shkrimit të para16 viteve “Kur dhe si mund të shpëtojë Shqipëria nga krizëbërësit”, e risjell jo për retorikë publicistike, por si një ngacmim të mendimit politik. Mua më duket e pabesueshme që gjendjes së “shthurësisë masono-demokratike”, që zgjat prej tri dekadave në Shqipëri mund t’i gjejnë shërimin e duhur pikërisht përgjegjësit kryesorë për krijimin e kësaj gjendjeje, si Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, Lulëzim Basha, Fatmir Mediu, Monika Kryemadhi ose ata “katër muskëtjerët pa shpata (parti) politike serioze”, si Dashamir Shehi, Agron Duka, Vangjel Dule e Nard Ndoka, që u shkon nga pas dhe Shpëtim Idrizi, ky në emër të çamëve. Nuk kam arritur ta kuptoj motivin politik përse Kryeministri i Kosovës u bëri aq temena “muskëtjerëve pa shpata”, duke i pritur si kalorës nga “fronti anti-Rama”! Përse edhe politikanët e pushtetarët shqiptarë në Kosovë tregojnë kaq etje për bidate të reja!

Lexuesi me të drejtë mund të pyesë po si i bëhet që Shqipëria të shpëtojë nga krizëbërësit në politikë e në drejtimin e shtetit dhe të shoqërisë? Askush nuk mund të japë receta për kurimin e kësaj sëmundje. Mund të bëj vetëm një sugjerim: parulla politike të jetë “KRIZËBËRËS, IKNI”. Në shkrimet e mia kam ngulur këmbë në idenë se shqiptarëve u nevojitet së pari një përmbysje e thellë në mendimin e tyre politik rreth krizës madhore, burimore të të gjitha krizave, rreziqeve, fatkeqësive “KRIZËS KOMBËTARE”. Pa shtruar si duhet domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar, betejat e tjera për zgjidhje krizash të veçanta do të jenë ose të humbura ose gjumëvënëse. Shqipëria londineze nuk u bë asnjëherë shtet vital. Dy shtete të cunguara shqiptare, Shqipëria e Kosova, nuk po bëhen dot vitale. Madje, po ndodhin sherrosje të papërligjura midis tyre, aq sa kryetari shtetit i Shqipërisë më 22 maj spekuloi tej çdo kufiri (për politikë pushtetore e jo shtetërore apo kombëtare), duke marrë në mbrojtje sovranitetin të shtetit të Kosovës nga kërcënimet prej politikës së qeverisë së Shqipërisë (pra, jo më nga rreziqet serbe). Është krijuar një tablo politike e turpshme, kur për hir të lojës politike për marrje ose mbajtje pushteti, për përmbysjen ose ngjitjen në post të këtij ose atij politikani, krijohen dhe rreshtime fatkeqe midis politikanësh e pushtetarësh shqiptarë dhe kosovarë. Kryeministri i Kosovës rreshtohet politikisht e publikisht në krah të presidentit dhe të opozitarëve jashtëparlamentarë të Shqipërisë, që kërkojnë përmbysjen e qeverisjes së Edi Ramës. Presidenti i Kosovës vihet në krah të Edi Ramës. Berisha e Thaçi janë të garë për të akuzuar njëri-tjetrin si argatë të Serbisë. Pra, kriza kombëtare thellohet në të gjitha kahjet e saj. Fatkeqësisht, shqiptarët nuk kanë opinion të konsoliduar politik, nuk e kanë armatën e duhur intelektuale, nuk i kanë mjetet e duhura propagandistike për t’u bëtë barrikadë këtyre prirjeve. Kur ekziston një krizë e tillë themelore, të gjitha të tjerat janë të pashmangshme. Po ndalem në këtë pikë, ndonëse ka shumë gjëra që duhen trajtuar. Më 25 maj opozita shqiptare u betua se do ta bëjë “luftën finale” të saj.

Nuk mund ta mbyllja këtë shkrim pa pritur të shihja si do të venin punët më mbrëmjen e 25 majit, meqenëse opozita kishte kërcënuar “më seriozisht” se herë të tjera se do të zhvillonte “luftën finale” për ta përmbysur Kryeministrin Edi Rama e qeverinë e tij. Ndërkohë, kryeministri prej disa ditësh kishte intensifikuar “komedinë e letrave” dërguar Lulzim Bashës me ftesën e ulje në “dialog pa kushte”. Se si mund të bëhet “dialog pa kushte”, kur dy palët nuk janë në gjendje të shpallin publikisht as tematikën e këtij “dialogu shurdhësh”, nuk merret vesh. Marrëzisë së opozitës në këmbënguljen “Rama dorëzo pushtetin para se të nisim dialogun”, qëndrimit të patundur të kryeministrit “nuk iki dhe zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor” iu shtua dhe një farsë politikanësh ndërkombëtarë “merruni vesh sa më shpejt se nuk ju durojmë më”. Orët e mbrëmjes së 25 majit mbartnin misterin e këtij kombinimi marrëzish, komedish e farsash. Disa tregonin frikë e ankth e disa shpërfillje për atë që do të ndodhte. Sipas shenjave paraprake që kishin dhënë Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha, kishte lindur njëfarë dyshimi se “lufta finale” do të shtyhet, ndoshta për në datën 30 qershor. Gjithçka u mbyll si në filma me “fund të lumtur”, me përfundim paqësor e gati miqësor të betejës shëtitëse, që nuk u kthye në “luftë finale”. Hamendësimet e menjëhershme qenë se u hap rruga për një pazar të madh politik midis dy palëve që po ndeshen prej muajsh dhe gjithçka mund të kurorëzohet me një “shkelje bashkërisht të kushtetutës” nga Rama e Meta, shtyrjen e zgjedhjeve, kthimin e PD-së në fushatë zgjedhore, se kështu mund të qetësohen më mirë edhe ndërkombëtarët. Krizëbërësit, shqiptarë e të huaj, janë të shkathët e për tri dekada me radhë kanë gjetur zgjidhje të tilla që krizëbërjen e lënë si gangrenë. Krizëbërësit, shqiptarë e të huaj, janë më të interesuar të vazhdojnë krizat./shenja

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne