Kur edhe në Perëndim gratë bënin plazh “ngujuar në çadër”

Ende vijojnë fragmente debati, përgjithësisht në media sociale, mbi cadrat në plazh, aty ku sipas cinikëve ngujohen me pahir gra prej burrash namuzqarë, të cilat provohen të dalin e lahen në dot, porsi bashkëshortët e tyre zemrëngushtë.

Nga ana tjetër, janë mbrojtësit e “të ngujuarave”, të cilët i quajnë spekulacione dashakeqëse informacionet e përhapura në formë komentesh kritike. Sipas tyre, sigurisht që ekziston një etikë e detyrueshme fetare në veshje për prezencën në publik, edhe kur është fjala për në plazh; porse padyshim që dhe femrat, porsi meshkujt kanë lirinë dhe mundësinë për t’u kredhur në det pa asnjë diferencë gjinore, veç fshehjes së kurmit nga sy grabitqarë.

Gjithsesi, ajo që përbën më të rëndësishmen në këtë rast, është që të dihet se namuzi ka shoqëruar dhe botëkuptimin perëndimor mbi etikën e paraqitjes në plazhe dhe se nuk është diçka ekskluzivisht lindore, siç përpiqen ta sheshin cinikët.

Madje ky “namuz” i shpërfaqur edhe si konservatorizëm fetar, mund të jetë ende i pranishëm në shumë zona të hapësirave perëndimore .

Ajo çfarë përcjellin këto foto, është e dhëna se “çadra” paska qenë diçka e zakonshme në plazhet europiane. Dikush, këtë të djeshme mund ta quajë “prapambetje”, edhe europiane, e të sotmen modernitet; të tjerët mund të thonë se e sotmja është një shpërfytyrim etik në raport me të djeshmen, edhe europiane, përballë një konservatorizëm simpatik.

Tek e fundit gjithçka vërtet në hapësirat e lirisë së zgjedhjes…për mënyrën e të bërit plazh, dje, sot, apo nesër; me çadër ose pa çadër, me qillota, bikini, ose hixhab.

Fotot e sjella u përkasin plazheve në fund të shek.19 dhe fillim të shek.20. /tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne