Kur Japonia dhe Kolumbia njihnin Ahmet Zogun si mbret të shqiptarëve

Prestigjiozja franceze, Le Figaro, ka botuar më 16 tetor 1928, në faqen n° 3 të saj, një shkrim në lidhje me njohjen e mbretërisë së Ahmet Zogut. Lideri strateg matjan sapo ishte shpallur mbret i Shqipërisë, më 1 shtator 1928. Nuk është nevojitur më shumë se një muaj, që dy vende të largëta si Japonia dhe Kolumbia ta njohin atë si mbret të Shqiptarëve.

Ja shkrimi në vijim :

Tiranë, 15 Tetor. Zyra e shtypit e Shqipërisë publikon lajmin në vijim :

Shkëlqesia e tij Z. Matsuda, ambasador i Japonisë në Romë, i ka komunikuar, gjatë 6 tetorit, Legatës së Shqipërisë në Romë, se qeveria imperiale japoneze e ka marrë parasysh ndryshimin e regjimit në Shqipëri dhe ngjitjen në fron të Madhërisë së Tij Zogu i I-rë, mbret i Shqiptarëve. Qeveria japoneze e njofton atë njëkohësisht për dëshirën e sinqertë për të mbajtur marrdhëniet miqësore që fatmirësisht ekzistojnë midis dy shteteve.Legata e Shqipërisë në Romë ka marrë, gjatë 8 tetorit, nga ana e Shkëlqesisë Z. Antonio Gomez Restrepo, ministër i Kolumbisë në Romë, një komunikatë, e cila falenderon në emër të qeverisë së tij, qeverinë mbretërore të Shqipërisë për njoftimin që ajo i ka dërguar në lidhje me ndryshimin e regjimit si dhe ngjitjen në fron të Madhërisë së tij Zogu i I-rë. Komunikata shpreh dëshirat e sinqerta të Kolumbisë për paqen e Shqipërisë dhe mbretërimin e begatë të Madhërisë së Tij./ Dritare.net

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne