Shqiperia

Kur krimi elektoral i lejohet vetëm narkoshtetit

Fatos Lubonja/ Dalja në “Bild” e krimit elektoral të kryer nga Partia Socialiste në Dibër dhe reagimet e ditëve të fundit të Ramës ndaj tij duhen parë ngushtësisht të lidhura me njëri-tjetrën për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe ku po shkon Shqipëria në këtë fazë të historisë së shtetit të saj. Përgjimet treguan se ata që duhet të luftojnë krimin elektoral – që nga shefi i Policisë deri te Ministri i Brendshëm, – janë shfaqur si autorët kryesorë të tij. Së bashku me ta kanë vepruar edhe deputetë, edhe ministra të qeverisë. Si prapavijë të tyre kanë vepruar edhe njerëz të krimit.

Në krye të gjithë këtij organizmi qëndron Kryeministri, të cilit, në fund, këta i raportojnë që misioni është kryer. “Tërmet!”, – e quan ministri Gjiknuri suksesin e arritur në këtë mënyrë. Për ata që e kanë harruar, kujtoj se në fjalimet që mbante asokohe përpara dibranëve deputeti i PS-së, Sadri Abazi, thoshte se Edi Rama do të rrinte në pushtet edhe dhjetë vjet të tjera, prandaj ata kishin të gjithë interesat të votonin për të. I gjithë ky kuadër flet qartazi, pa ekuivokë, se Edi Rama dhe partia e tij kanë vepruar si një organizatë kriminale; se kemi të bëjmë me një projekt të kësaj organizate për ta përjetësuar pushtetin duke kapur çdo pushtet.

Ky projekt njohu si hap të dytë zgjedhjet e përgjithshme të 2017 – siç tregojnë edhe përgjimet e Durrësit. Kjo është njëra anë e medaljes. Le të shohim tani anën tjetër: reagimin e Ramës dhe të PS-së ndaj këtyre përgjimeve. Reagimi i tyre mund të sintetizohet në deklaratat e Ramës se përgjimet dhe protestat kundër zgjedhjeve janë organizuar nga “antishteti”, që kërkon të përmbysë “shtetin”, por se ata nuk do t’ia arrijnë kurrë ta mundin shtetit dhe se në 30 qershor (me fitoren 100% të pushtetit lokal) “Do t’i japim fund njëherë e mirë kësaj historie”. Vini re: një njeri në krye të një organizate që ka kryer krim zgjedhor (dhe jo vetëm), guxon e thotë, pa i bërë syri tërr, se kush i kundërvihet krimit të tij, do të dënohet. Është njëlloj sikur një grabitës të vijë të të grabisë në shtëpi dhe në momentin që ti fillon e bërtet “kapeni hajdutin”, ai thërret Policinë dhe të arrestojnë.

Nuk duhet shumë inteligjencë për të kuptuar se një grabitje të tillë mund ta bëjë vetëm shteti. Mesazhi i qartë që po jep Rama përditë, është që sot e tutje krimin elektoral mund ta bëjë e do ta bëjë vetëm shteti. Mjafton kaq për të kuptuar se këtu jemi përpara instalimit të një regjmi që na sjell jehonën e atyre kohëve të diktaturës kur njerëzit futeshin në burg pse ankoheshin për krimet që u kishte bërë regjimi. Një diktaturë sui generis në Europë, pasi siç provojnë edhe përgjimet, bazohet mbi forcëntë drogës që ka kapur shtetin. Problemi që ngrihet sot është sesi rrëzohet një regjim i tillë?

– Me votë dhe në mënyrë institucionale, – thonë një pjesë, që nuk shikojnë se ajo që ka ndodhur në Dibër e në Durrës e gjetkë tregon se kjo është e pamundur.

– Me dhunë thonë të tjerë, – që harrojnë se kur nis një luftë, duhet të llogaritësh nëse ke forca të mjaftueshme për ta fituar atë dhe raporti i forcave duket qartazi në favor të narko-shtetit.

– Duke e lënë të degjenerojë derisa të bjerë vetë, – thonë të tjerë, duke harruar se bashkë me Rilindësit në këtë rast do të bjerë në humnerë edhe Shqipëria.

– Nga ndërkombëtarët që s’mund të lejojnë një diktaturë të tillë në Europë, – shtojnë të tjerë që nuk hapin sytë për të parë se sa diktatura kanë mbështetur dhe mbështesin vende si SHBA dhe demokracitë perëndimore.

– Me një opozitë tjetër që të mos ketë prapa të kaluarën e bashkëpunimit me të njëjtët njerëz, – propozojnë të tjerë pa parë se me një regjim të tillë shanset për të krijuar opozita vijnë duke u pakësuar. Ajo që vihet re në këta propozime (e të tjera që nuk i përmenda) është harresa më e rëndësishme nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, ajo e shtrimit të pyetjes: çfarë duhet të bëj unë që të bjerë ky regjim? Një pjesë jo e vogël vazhdojnë të strehohen tek argumenti i atyre që thonë se kështu ka qenë gjithmonë, se vota gjithmonë është vjedhur në Shqipëri nëpërmjet të fortëve, prandaj s’kemi pse bërtasim, as protestojmë për grabitësit e radhës.

Në fakt, kjo është alibia e vetme e organizatës dhe, po të vesh re, shumë nga ata që e shtrojnë këtë argument, kanë interesa të lidhura me organizatën. Përgjimet e “Bild” dhe reagimi i Ramës ndaj tyre, duke shkuar i vetëm në zgjedhjet e 30 qershorit, flasin për një hap të madh përpara krimit në kapjen e shtetit. Sot, krimi, me fjalët dhe veprat e Kryeministrit, po identifikohet haptazi me shtetin.

Mjaft të kujtosh mburrjen që u bëri para durrsakëve, Dakos së bandës së Avdylajve të dosjes “339”. Këto qëndrime i bëjnë thirrje cilido që ka një minimum ndërgjegjeje demokratike, që të distancohet nga një organizatë kriminale kaq e rrezikshme. Plani i Ramës për 30 qershorin si “dhënie fund njëherë e mirë e historisë” me opozitarë e kundërshtarë që ai i identifikon me antishtetin, për të instaluar regjimin ku krimi elektoral i lejohet vetëm narkoshtetit, rrezikon t’i ndajë për një kohë të gjatë shqiptarët, si në kohën e komunizmit, në bashkëpunëtorë të regjimit dhe viktima të tij. Kundër këtij plani duhet vepruar sa nuk është vonë, duke filluar që nga refuzimi për të votuar në 30 qershor.

Burimi:KI

OPINIONE