Sadik MEHMETI
(24 marsi 1990 dhe kujtimi im që nuk shuhet)
Gjatë dy viteve të fundit të mësimit tim në Medresenë “Alaudin” të Prishtinës (1988–1990), për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalonte arsimi në veçanti dhe Kosova në përgjithësi, ishte bërë pothuajse e zakonshme që dikush nga drejtoria e shkollës të vinte në mes të ndonjë ore të rregullt dhe, me fletoren e formatit A4, me kapak të trashë, të gjelbër, të na komunikonte ndonjë vendim apo njoftim jo fort të zakonshëm.
Kishte nga ato njoftime për kujdes të shtuar për shkak të situatës në Kosovë, për hyrje-daljet nga objekti i shkollës, por kishte edhe njoftime shumë më të rënda, si ai për vrasjen e nxënësit dhe kolegut tonë, Mustafë Veseli, dy-tri rrugë më larg Medresesë, gjatë demonstratave të marsit të vitit 1989.
Prandaj, sa herë që ajo fletore e gjelbër dhe e trashë shfaqej në derën e klasës, ne mpiheshim dhe bëheshim të gjithë vesh. E dinim se pas saj mund të fshihej ndonjë lajm që nuk do të ishte i lehtë për t’u dëgjuar dhe që mund të na rëndonte edhe ditët që do të vinin.
Kështu ndodhi edhe më 24 mars 1990. Atë ditë, kur u hap fletorja e gjelbër, askush prej nesh nuk e dinte se njoftimi që do të dëgjonim do të mbetej kaq gjatë në kujtesë.
Na u tha se do të shkonim në shtëpi për pushimet e Ramazanit.
Atëherë isha në klasën e katërt, maturant. Edhe rreth tre muaj na ndanin nga përfundimi i Medresesë. Në rrethana normale, këta tre muaj do të duhej të kalonin shpejt. Por për ne nuk ishte kështu. Tre muajt e fundit dukeshin të gjatë dhe përfundimi i Medresesë ende nuk shihej aq afër sa për të filluar ta ndienim gëzimin e maturantit. Madje, ngjarjet që po ndodhnin na e zbehnin edhe atë pak gëzim që kishim. Nuk e përjetonim atë ndjenjën e veçantë që zakonisht e kanë maturantët kur u afrohen ditëve të fundit të shkollës së mesme, kur fillojnë të mendojnë për përfundimin e shkollës, për ndarjen nga shokët dhe për atë që i pret më pas.
Por ne nuk i përkisnim asaj kategorie të maturantëve. Brezi ynë ishte rritur me demonstratat, dhunën, ndjekjet, burgosjet, rrahjet dhe maltretimet. Ishim rritur në një kohë kur edhe ecja nëpër rrugët e qytetit duhej të bëhej me kujdes. Shpesh ecnim nëpër rrugica, larg syve të atyre që mund të na ndalonin apo të na kërkonin llogari. Edhe të tregoje se ishe nxënës i Medresesë nuk ishte gjithmonë pa pasoja.
Ishim edhe brezi i nxënësve të helmuar nëpër shkolla, në një kohë kur pushteti po e shtonte presionin mbi shqiptarët dhe po i ngushtonte hapësirat e tyre në Kosovë. Demonstratat e studentëve të vitit 1981 u pasuan nga një periudhë e gjatë represioni nga pushteti jugosllav, e cila në vitet që pasuan nuk u ndal, por sa vinte e rëndohej. Kosova po përballej me një trysni gjithnjë e më të madhe, ndërsa autonomia e saj dhe të drejtat e shqiptarëve po cenoheshin hap pas hapi.
Prandaj, kur më 24 mars, ditë e shtunë, sepse ne bënim mësim edhe të shtunave, u hap ajo fletore e gjelbër dhe u lexua vendimi, mbetëm të habitur, jo me vetë vendimin, sepse edhe herëve të tjera, pak ditë para Ramazanit (i cili atë vit fillonte të mërkurën, më 28 mars), nxënësit e Medresesë shkonin në shtëpi. Shumë prej nesh gjatë muajit të Ramazanit shërbenin si imamë në vendlindjet e tyre ose në vende të tjera. Prandaj, në pamje të parë, nuk kishte ndonjë arsye të madhe për t’u habitur. Mirëpo, këtë herë kishte diçka ndryshe: po na dërgonin në shtëpi me një urgjencë dhe ngutje të pazakontë, pothuajse si një ultimatum.
E dinim se gjendja në Kosovë ishte e rënduar, por deri atëherë ende nuk e kuptonim se çfarë fshihej pas këtij vendimi. Mirëpo, arsyeja ishte e madhe. Studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës kishin mbetur pa strehim pasi ishin nxjerrë dhunshëm nga konviktet dhe, në atë kohë të vështirë, kishin nevojë për një vend ku të mund të banonin dhe të vazhdonin studimet.
Prandaj, në këto rrethana, drejtoria e Medresesë, në bashkëpunim me Kryesinë e Bashkësisë Islame, në varësi të së cilës ishte Medreseja, kishte marrë vendim që hapësirat e konviktit t’u viheshin në dispozicion studentëve të Universitetit të Prishtinës që pushteti serbo-sllav i kishte lenë pa konvikt.
Sot, kur e kujtoj atë ditë, mendoj se ne, nxënësit e atëhershëm, nuk e kuptonim plotësisht çfarë po ndodhte. Për ne ishte një njoftim që duhej zbatuar: të merrnim gjërat dhe të shkonim në shtëpi. Vetëm më vonë, kur iu ktheva me mend asaj dite, kuptova se nuk po largoheshim thjesht nga konvikti disa ditë më herët. Po i lironim dhomat tona që në to të hynin studentë të cilëve u ishte mohuar banimi në konviktet universitare.
Në atë moshë nuk mund ta shihnim tërë pamjen. Për ne ishte një largim i parakohshëm nga Medreseja; për ata studentë, ishte një strehë ku mund të banonin dhe të vazhdonin studimet. Ne po mendonim për kthimin pas Bajramit dhe për tre muajt e fundit që na kishin mbetur deri në përfundimin e Medresesë. Nuk e dinim se ajo që po bënim atë ditë do të mbetej, shumë vite më vonë, si një nga kujtimet më të veçanta të viteve tona të Medresesë.
Kështu, ne bëmë atë që na u kërkua nga drejtoria. Morëm me vete sa më shumë nga gjërat tona dhe i liruam dhomat, që në to të mund të vendoseshin studentët.
Unë banoja në dhomën 118, së bashku me cimerët e mi, Mersimin, Rexhepin dhe Nevzatin, të cilët ishin në vitin e tretë. Përveç librave, të cilët i sistemova në një qoshe, mora thuajse të gjitha gjërat e tjera me vete. Çelësat i lashë në dollap dhe dollapin e lashë hapur. Para se të dilja, hodha edhe një herë sytë nëpër dhomë, në atë vend ku kisha kaluar gati katër vjet të jetës sime, dhe dola. E mbylla derën pas vetes, pa e ditur se kush do të hynte aty pas meje dhe çfarë kujtimesh do të krijoheshin në atë dhomë…
…Studentët kishin filluar të vendoseshin në Konviktin e Medresesë “Alaudin” më 26-27 mars 1990. Numri zyrtar i studentëve të regjistruar si banues në konvikt ishte 214. Por ky numër, në të vërtetë, kishte qenë më i madh, sepse shumë prej tyre kishin edhe shokë që vinin nga jashtë dhe qëndronin me ta nëpër dhoma, pa qenë të regjistruar zyrtarisht si banues. Kjo rritje e numrit të studentëve vërehej sidomos gjatë shpërndarjes së shujtave. Ushqimi shpërndahej tri herë në ditë dhe, edhe pse numri zyrtar i banuesve ishte 214, personeli i kuzhinës kishte vërejtur se sasia e ushqimit që përgatitej dhe shpërndahej mjaftonte për një numër dukshëm më të madh njerëzish, madje deri në 400 veta. Këtë, vite më vonë, ma kishte konfirmuar edhe drejtori i atëhershëm i Medresesë, Resul Rexhepi. Drejtoria e kishte toleruar këtë gjendje, duke pasur parasysh rrethanat e vështira në të cilat ndodheshin studentët dhe gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej vendi….
Sidoqoftë, për ne që ishim nxënës të Medresesë, gjithçka ishte pjesë e një situate që po e përjetonim nga afër. Nuk e dinim se sa do të zgjaste qëndrimi i studentëve në konvikt dhe as se çfarë do të sillnin muajt e vitet që do të pasonin. Studentët që atëherë u vendosën në konvikt morën me vete kujtimet e atyre ditëve, ndërsa ne, pasi plotësuam muajt e mbetur, e përfunduam Medresenë dhe vazhduam secili në rrugën e vet.
Shumë vite më pas kam takuar studentë që ishin vendosur në konviktin e Medresesë. Disa prej tyre më vonë ishin bërë figura të njohura të jetës publike e kulturore. Sa herë që më ka rastisur të bisedoj me ta, më kanë folur me respekt e mirënjohje për Medresenë, për mësuesit dhe personelin e saj, për kushtet që kishin gjetur aty, për restorantin dhe ushqimin, për pastërtinë dhe për punën e punëtorëve teknikë. Disa prej tyre më kanë treguar edhe kujtime të bukura nga ato ditë. Ishte një kohë e vështirë, por në kujtesën e tyre kishin mbetur edhe shoqëritë, miqësitë dhe ndonjë ngjarje që ende i bënte të qeshnin kur e kujtonin. Këtë e kam dëgjuar veçanërisht nga studentët e besimit katolik, të cilët, duke qenë të vendosur në një mjedis medreseje dhe në një institucion me rregulla e tradita të caktuara, duhej t’u përshtateshin, aq sa ishte e nevojshme, rregullave të jetës së përditshme në Medrese. Megjithatë, edhe për ta, ato ditë kishin mbetur në kujtesë si një përvojë e veçantë, e shoqëruar me miqësi, mirëkuptim dhe kujtime që i sillnin me kënaqësi ndër vite.
Unë, megjithatë, ende nuk kam takuar atë që kishte fjetur në dhomën time, në dhomën numër 118, në krevatin e sipërm, në anën e majtë të dhomës. Por e di se, kur e lashë atë dhomë më 24 mars 1990, nuk mund ta merrja me mend se po bëhesha pjesë e një ngjarjeje, rëndësinë e së cilës do ta kuptoja vetëm shumë vite më vonë.
Dhe kjo më bën të ndihem mirë, jashtëzakonisht mirë, jo vetëm sepse Medreseja ishte shkolla ime, por edhe sepse ajo dëshmoi edhe një herë se ishte dhe është e popullit. Mbahej dhe mbahet nga populli, nga ndihmat e besimtarëve dhe të njerëzve të mirë e bujarë. Ndoshta edhe për këtë arsye, studentët që u strehuan aty e ruajtën atë respekt për Medresenë edhe shumë vite më vonë. Ajo që ndodhi në marsin e vitit 1990, pra, nuk ishte një ngjarje e shkëputur nga rruga e Medresesë. Por ishte pjesë e një qëndrimi që ajo e kishte dëshmuar edhe më parë dhe që do ta dëshmonte edhe më fuqishëm gjatë viteve që pasuan. Medreseja nuk e kishte parë kurrë veten të ndarë nga jeta dhe hallet e popullit. Kur arsimi ishte goditur, ajo kishte hapur dyert e veta. Kur studentët kishin mbetur pa strehim, ajo kishte liruar konviktin. Kur njerëzit kishin nevojë për një hapësirë ku të mblidheshin, të diskutonin e të organizoheshin, Medreseja kishte vënë në dispozicion hapësirat e saj.
Kjo u pa veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta. Në kohën kur shumë institucione shqiptare ishin nxjerrë jashtë objekteve të tyre dhe veprimtaria publike shqiptare ishte vështirësuar jashtëzakonisht, Medreseja “Alaudin” u bë një nga hapësirat ku vazhdoi të zhvillohej jeta arsimore, kulturore, shkencore dhe shoqërore. Në ambientet e saj u zhvilluan veprimtari të arsimit shqip, u mbajtën tubime e takime të rëndësishme politike e sindikale, u mblodhën njerëz të kulturës dhe të arsimit dhe u zhvilluan veprimtari të ndryshme të jetës publike shqiptare.
Dera e Medresesë vazhdonte të ishte e hapur edhe atëherë kur përdorimi i hapësirave publike nga shqiptarët ishte bërë gjithnjë e më i vështirë. Ajo nuk ishte vetëm një shkollë ku mësohej, por në ato vite, objekti i saj u kthye në një hapësirë ku zhvillohej një pjesë e rëndësishme e jetës shqiptare në Kosovë. Sipas burimeve të botuara për veprimtarinë e Medresesë, gjatë viteve 1989–1999 në të u mbajtën 1.230 tubime me karakter politik, kulturor dhe arsimor. Dhe kjo veprimtari nuk mbeti vetëm në fushën e arsimit, kulturës dhe politikës. Me fillimin e luftës në vitet 1998–1999, Medreseja dhe njerëzit e saj u përfshinë edhe në përpjekjet që lidhen me luftën për lirinë e Kosovës. 87 nxënës të dalë nga Medreseja iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej të cilëve 14 ranë dëshmorë. Kjo pjesë e historisë së Medresesë është një kapitull më vete dhe dëshmon se ajo që ishte bërë në vitet paraprake nuk kishte qenë vetëm një veprimtari brenda mureve të një shkolle…
Prandaj, kur sot e kujtoj Medresenë e atyre viteve, përveç si vendin ku mësuam dhe jetuam për katër vjet, e kujtoj edhe si një institucion që, në ditët e vështira, nuk qëndroi mënjanë. Ajo jetoi bashkë me kohën e vet, i ndjeu vështirësitë e popullit dhe, aq sa mundi dhe sa i takonte, i vuri dijen, hapësirën dhe njerëzit e saj në shërbim të tij.
Por ne, atëherë, nuk e kuptonim plotësisht çfarë po ndodhte. Sot, pas tridhjetë e gjashtë vjetësh, ajo ditë, 24 marsi i vitit 1990, më duket shumë më e madhe se sa dukej atëherë…
(Fletëz nga “Ditari im”)

















