Kurti: Për 18 vite kemi pasur Ramazan për qytetarët, Bajram për pushtetarët

I nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Prizrenit, bashkë me kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës, ku ka premtuar drejtësi e zbatim të ligjit dhe se do të punojë vetëm për popullin.

Kurti është shprehur i bindur se qytetarët e Prizrenit, siç tha ai “do të bashkohen në këtë qytet të bashkimit”.

Kurti tha se në secilën ditë të këtyre 4 viteve të fundit, por edhe të 18 viteve të pasluftës, kemi pasur Ramazan për qytetarët dhe Bajram për pushtetarët. Por, ai premtoi se me qeverisjen e VV-së, kjo do të jetë anasjelltas.

Kurti: Vetëvendosje e do shtetin e Kosovës

“Pas 11 qershorit nuk do të ketë më qytetarë të dëgjueshëm ndaj politikanëve, por politikanë të dëgjueshëm ndaj qytetarëve. Vetëvendosja është kushti dhe mundësia, është dëshmia dhe garancia për këtë. Vetëvendosje e do shtetin e Kosovës me sovranitet, ekonominë e Kosovës me prodhim, gjyqësinë me drejtësi, shoqërinë me barazi, politikën e Kosovës me ideale, institucionet e Kosovës me ligj e me moral dhe popullin e Kosovës me Vetëvendosje e demokraci. Jo vetëm tash në muajin e shenjt të Ramazanit, por në secilën ditë të këtyre katër viteve të fundit, por edhe të 18 viteve pas luftës, në Prizren patëm Ramazan për qytetarë, e Bajram për qeveritarët. Kjo me VV-në do të ndryshojë plotësisht, do të bëhet Bajram për qytetarët e Ramazan për qeveritarë”, tha Kurti.

Ai u zotua se me qeverisjen e VV-së do të investohen në bujqësi 240 milionë euro në mandatin e parë. Si dhe u zotua se qeverisja e VV-së do ta fus tërë ekonominë brenda ligjit.

Mytaher Haskuka , kandidatë për deputet i nominuar nga Prizreni nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se ky pushtet e la të vrarë Astritin, komandant Drinin, e vrasësit të lirë.

Haskuka: Prizreni i thotë jo korrupsionit

“Jo korrupsionit. Prizreni po i thotë përfundimisht jo “Zajdnicës”. Jo Vuçiqit, jo Daçiqit. Prizreni po i thotë jo dorëzimit, jo rrënimit të shtetit, jo koalicionit të natës dhe koalicionit të dorëzimit, që e shkatërruan shtetin. Prizreni po i thotë jo atyre që i zbrazen fabrikat nga makinat, e makinat nga punëtorët. Jo aty që i lan punëtorët pa punë, e tokat në djerrin. Minierat i lanë të shkreta. Prizreni po i thotë boll më, pushtetit që i la të humburit të pagjetur, atyre që e lan Ukshin Hotin të harruar dhe të pa gjetur. Këta e lanë edhe Universitetin pa shkencë, kulturën e lan pa libra. Trashëgiminë kulturore të braktisur, bizneset me fajde. Rininë e lanë pa punë në gurbet. Nënat pa djem, e vajza. Këta e lanë komandant Drinin të vrarë, e vrasësin të lirë. E kush i mposhtë këta vrasës, që e vranë Drinin, që e vranë po ashtu Astritin. Këta janë ata që i lanë Gjykatat pa drejtësi, këta e lan Republik ën pa publike. Deshën me marrë vendime për Kosovën, me të tjerët, po ne i ndalëm. Prizreni sot po thotë nuk ka vendim pa popull. Prandaj deri më 11 qershor nuk ka mu ndal. Të gjithë do të punojmë me zemër për numrin 35, që me 11 qershor të kemi një kryeministër me zemër. Të mençur e të guximshëm. Dhe të kemi Albin Kurtin kryeministër. Të punojmë gjithë bashkë derë më derë, familje në familje, shokë me shokë, që më 12 qershor të festojmë 18 vjetorin e çlirimit të Prizrenit, po ashtu të festojmë edhe fitoren e Vetëvendosjes, fitoren e popullit”, tha Haskuka.

Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet, Shpend Ahmeti, në fjalimin e tij ka thënë që ndjehet shumë i lumtur me pritjen në këtë qytet. Ai ka shtuar se pjesëmarrja në këtë tubim është mesazhi më i mirë për ata që thonë se rrëzimi i klanit “Pronto”, është i pamundur. Ai ka numëruar disa nga sukseset e qeverisjes së Prishtinës.

Ahmeti: Ne e luftuam korrupsionin në Prishtinë

“Po me qeshë fytyra, po më lotojnë sytë edhe po më bëhet zemra e madhe, kur po ju shoh juve këtu. Nuk mundem pa e komentuar faktin që subjektet tjera politike ju frikësuan sallës së “Sezair Suroit”. I mbajtën tubimet në shtëpinë e kulturës dhe e quajtën tubim i madh. Ne po e mbajmë në sallën më të madhe në Prizren dhe po e quajmë tubim i vogël. Në Komunën e Prishtinës, sot fëmijët kanë më shumë çerdhe, fëmijët kanë shujta, studentët kanë praktika në kompani të ndryshme, punëtorët kanë pagën minimale, e cila është më e lartë se në gjithë Republikën e Kosovës. Të moshuarit i kanë biletat falas të transportit publik. Sot dhe këtë javë do të fillojmë ndërtimin e qendrës për fëmijë me sindromin doën dhe me autziëm. Sot nuk ka më me rëndësi, nuk ka korrupsion në Komunën e Prishtinës dhe e kemi luftuar krimin e organizuar”, tha Ahmeti.

“Ne i kemi provuar që 17 vjet këto parti. Pra kombinimet e tyre i kemi pa, s’ka kombinim të tyre që nuk e kemi provuar. Në një mënyrë a në një tjetër të gjitha këto parti e kanë qeverisë shtetin në Kosovë. Dhe tani kemi Kosovën si shtetin më të varfër në Evropë. Pra boll ma me këto parti. Është koha jonë”, tha Ahmeti para prizrenasve.

Po ashtu edhe Arbër Rexhaj, kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje për deputet nga qyteti i Prizrenit, ka thënë se Vetëvendosja në Prizren me vite të tëra ka mbajtur opozitarizmin brenda dhe jashtë institucionit.

Rexhaj: Kemi qenë shembull për opozitë

“Kemi dhënë shembullin jo vetëm të opozitës, por edhe të alternativave tona në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Kur kemi nisur rrugëtimin tonë pothuajse mes secilin prej jush, jemi takuar. E para se të nisemi na kanë thënë aty Vetëvendosja nuk mundet, sepse është PDK-ja edhe partitë tjera si motra, të cilat kanë privatizuar fshatrat për vete iu kanë kapur dhe frikësuar qytetarët e këtyre rajoneve dhe të lagjeve gjithë andej Prizrenit. Por bashkimi ynë rreth një qëllimi është mesazh i një lirie qytetare, e cila na ka munguar sot e kaherë. Po që sot e tutje do të bëhet realitet dhe fakt i pa ndryshueshëm. Fitoren e VV-së nuk do ta ndal askush, sepse ajo tashmë ka marrë rrugë. Qytetarët kanë vendosur me zemër dhe për Albinin kryeministër”, tha Rexhaj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne