Kurti thotë se me Kushtetutë lejohet formimi i qeverisë pa Listën serbe

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka vazhduar me takime të shumta me zyrtarë të lartë në Kosovë si dhe jashtë saj. E përderisa grupet punuese të Vetëvendosjes dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës po takohen për ti përafruar qëndrimet për një koalicion nga i cili do të dilte qeveria e re e Kosovës, kreu i VV-së Kurti ka thënë se nuk llogaritë në Listën Serbe, si pjesë të qeverisë së re.

“Nuk kemi nevojë për koalicion politik me Listën serbe, është obligim Kushtetues një ministër nga Komuniteti serb në qeverinë tonë. Ne do ta respektojmë Kushtetutën dhe në qeverinë tonë do të ketë së paku një ministër serb”, u shpreh Kurti.

Kurti ka paralajmëruar për të hënën një takim të rëndësishëm në mes të Vetëvendosjes dhe të LDK-së për çështje të ekonomisë. Kurti ka thënë që synimi është që numri i ministrive të jetë 12, ndërsa i zëvendësministrave më pak se 30.
Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

*

Presidenti Thaçi dhe Albin Kurti flasin për paqe në Ballkan

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se arrija e një marrëveshjeje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kontribuonte në paqe afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Thaçi në Samitin e Paqes së Evropës Juglindore që u mbajt në Tiranë, poashtu ka thënë se Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të përfundonte me njohje reciproke, por sipas tij, shumë raste janë humbur që të arrihet një gjë e tillë.

Në Samitin për Paqe në Evropën Juglindore ka marrë pjesë edhe udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Kurti ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kultivojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.

*

Korrupsioni e nepotizmi pengesë të zhvillimit ekonomik 

Në Konferencën Shkencore “Marrëdhënia dhe ndërveprimi midis Zhvillimit ekonomik dhe Menaxhimit të emergjencave”, është potencuar ndikimi negativ në ekonominë e Kosovës të korrupsionit dhe nepotizmit. Profesori  Blerim Burjani tha se korrupsioni dhe nepotizimi po pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

“Korrupsioni është dëmi më i madh që i bëhet këtij vendi dhe ndikon në uljen e investitorëve të huaj dhe uljen edhe të interesimit të biznesmenëve vendorë, ose mund të vjen edhe deri të rrënimi gradual i zhvillimit ekonomik të vendit duke pas parasysh se varfëron qytetarin, korrupsioni, nepotizimi dhe format e tjera që e kanë pruar vendin në këtë gjendje çfarë jemi ne sot”.

Në këtë publikim është kërkuar përmirësimi i kulturës së sipërmarrjes, sistemit financiar, tregje pune efikase etj. Pjesëmarrësit u treguan kritikë ndaj politik-bërjes së vendit që sipas tyre po pengon zhvillimin ekonomik.

*

Kosova bie në renditjen e Bankës Botërore të të bërit biznes

Kosova është renditur e 57-ta në raportin e Bankës Botërore të lehtësisë së të bërit biznes për vitin 2020. Banka Botërore publikoi raportin “Lehtësia E Të Bërit Biznes” për vitin 2020, i cili përfshin 190 ekonomi në gjithë botën. Raporti vlerëson zbatimin e gati 300 reformave në periudhën maj 2018 – maj 2019. Kosova në këtë raport renditet e 57-ta dhe është në mesin e ekonomive të mbarë botës që ka pasur disa përmirësime në reformat e të bërit biznes, por për këtë vit ka zbritur për 13 vende, krahasuar me vendin e 44-të ku ka qenë vitin e kaluar. Kështu thuhet në indeksin e publikuar të enjten nga Grupi i Bankës Botërore. Kosova radhitet e 12-ta në hapjen e një biznesi, e 15-ta në marrjen e kredisë, e 31-ta në tregtinë ndërkufitare, e 160 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 128-ta në mbrojtjen e investitorëve, e kështu me radhë. Lista e Bankës Botërore kryesohet nga Zelanda e Re, pas saj vijnë Singapori dhe Hong Kongu, ndërsa në fund të listës janë Somalia e Eritrea. Raporti thekson se ekonomitë me përmirësimin më të dukshëm janë Arabia Saudite, Jordania, Pakistani, Kuvajti, Kina, e të tjerë.

*

Vendosen 4 monitorë për identifikimin e cilësisë së ajrit 

Katër monitorë të cilët do të bëjnë identifikimin e cilësisë së ajrit në Prishtinë, janë instaluar dhe përuruar të premten në kryeqytetin e Kosovës. Monitorët janë dhuruar nga JICA (Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar) në kuadër të një projekti bashkëpunues me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Ministri në detyrë Fatmir Matoshi, tha se kjo po bëhet në kuadër të përkushtimit për të përmirësuar ajrin në kryeqytet dhe për t’i njoftuar qytetarët në kohë reale me gjendjen e ajrit. Matoshi tha se me JICA kanë filluar një projekt në vitin 2017 me vlerë rreth 4 milion euro, ndërsa do të vazhdohet deri në vitin 2020. Përfaqësuesi i zyrës së JICA-s për Ballkan, Jiro Takeichi, tha se rëndësia e çështjes së ndotjes së ajrit në Kosovë është e madhe dhe ka shumë sfida që të përmbushen direktivat e Bashkimit Evropian (BE). Takeichi tha se për t’u përmbushur këto standarde dhe politika duhet të jenë të bazuara në evidenca ose të dhëna teknike. Në deklarim për media u tha gjithashtu se qytetarët do të kenë mundësi ta shikojnë ndotjen e ajrit duke u bazuar në disponimin e fytyrës së “smiling”-ut. Në raste kur ajri do të jetë i ndotur në nivel të lartë, ai do të bëhet me ngjyrë të kuqe. Monitorët do t’i ndihmojnë qytetareve në Prishtinë që t’i monitorojnë nivelet e ndotjes së ajrit me SO2, NO, NO2, PM10, PM2.5, O3 dhe CO.

*

Mbahet Festivali i IT-së

Në Prishtinë, është mbajtur edicioni i 8-të i festivalit të teknologjisë ‘KosICT’ i cili sipas organizatorëve, Shoqatës për Teknologji Informative, ka një rëndësi të veçantë, sidomos për inkuadrimin e gjeneratave të reja në këtë fushë. Kësaj radhe, tema kryesore e KosICT-së është fokusuar në “OUTSOURCING” dhe ndikimi i tij në zhvillimin e ekonomisë lokale, si dhe në ndryshimet në strukturat e kompanive për tu adaptuar me trendët dhe nevojat globale në mënyrë që ta ngritin nivelin e konkurueshmërinë dhe kualitetin e shërbimeve të ofruara. Përgjatë dy ditëve të konferencës, folësit e shumtë, ekspertët e fushave të caktuara, kanë ndarë dhe inspiruar audiencën me trendët e reja ne industrinë e TIK, teknologjitë e reja, aplikimin e metodave dhe proceseve bashkëkohore në udhëheqjen e kompanive dhe shumë tema të tjera.

*

Themelohet Qendra për Karrierë në Shkollën “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë 

Duke e kuptuar rëndësinë e orientimit për karrierë për nxënësit e shkollave profesionale, Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) ka themeluar Qendrën për Karrierë në Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë. Kjo qendër, është themeluar si rezultat i një partneriteti dhe bashkë-investimi në mes të Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur dhe projektit Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Qendra për Karrierë do të ndihmojë rreth 1,100 nxënës të kësaj shkolle për të zhvilluar një karrierë të suksesshme arsimore, profesionale dhe jetësore, si dhe ndërlidhjen më të mirë me tregun e punës. Drejtori i kësaj shkolle profesionale, Faik Salihu e ka mirëpritur këtë ceremoni.

Përveç kësaj qendre për karrierë në Prishtinë, janë themeluar edhe tetë qendra tjera në shkolla profesionale të ndryshme në Kosovë.

*

Rrezikon të mbyllet qendra mësimore për komunitetin rom, ashkalinj dhe egjiptas

Zyrtarë të BE-së kanë paralajmëruar se pas dymbëdhjetë viteve të funksionimi rrezikon të mbyllet Qendra  Mësimore për fëmijët e komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptas në Fushë Kosovë. Sipas zëvendësshefit të Zyrës së BE në Kosovë, Riccardo Serri kjo qendër rrezikon të mbyllet për mungesë fondesh. Qendra Mësimore, e cila ka funksionuar në kuadër të projektit EU SIMRAES 2, nga viti i ardhshëm rrezikon të mbyllet për mungesë përkrahjeje financiare. Drejtori i Qendrës Mësimore në Fushë Kosovë, Muhamet Arifi, theksoi se donatorët po vlerësojnë se arsimimi i këtij komuniteti është përgjegjësi e institucioneve qeverisëse, tha Arifi. Rikardo Serri, zëvendësshef i Zyrës së BE në Kosovë, theksoi se këta fëmijë duhet të përkrahen për të qenë të barabartë me të tjerët. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani,  tha se për ketë çështje duhet të alarmohen të gjithë institucionet  në nivel lokal dhe qendror. Në ketë Qendër Mësimore aktualisht vijojnë mësimin rreth 1600 fëmijë të komunitetit  rom, ashkalinj dhe egjiptian.

*

Lansohet projekti që ndihmon të rinjtë e SOS fshatrave 

SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë kanë lansuar projektin “Fuqizimi dhe aftësimi i të rinjve përmes mundësive të reja”. Qëllimi i këtij projekti është krijimi i mundësive të reja për punësim për të rinjtë në Kosovë dhe disa vende të rajonit.

Në këtë projekt ku përfshihen 1600 të rinj, 300 janë nga Kosova. Pjesë e këtij projekti  janë persona me të ardhura të ulëta dhe të paaftë të cilët i takojnë moshës 16 deri 35-vjeç. Nezahate Salihu, drejtoreshë Nacionale e SOS Fshatrave të Kosovës, tha se po bëhet një punë e madhe për aftësimin dhe fuqizimin e këtyre të rinjve për një jetë të pavarur. Gordana Vuçiniq, menaxhere Regjionale e Projektit, njoftoi se vlera e këtij projekti është 3.2 milionë euro.

*

Ekspozohen veshmbathje “Made in Kosova”

15 kompani vendore ekspozuan modelet më të fundit të veshmbathjeve, në Konventën e tretë të veshmbathjeve të Kosovës. Përfaqësues të USAID, theksuan se Kosova i është përgjigjur tregut botëror për të dizajnuar brende në ngjarje të rëndësishme.

Ndërsa Bardha Sadrija, kryetare e Bordit Drejtues të Shoqatës së veshmbathjeve të Kosovës, tha se shoqata që ajo drejton, vazhdimisht ka mbështetur bizneset në promovim.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se nevojitet bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë për njohje të potencialeve.

*

Majlinda Kelmendi fiton medaljen e artë në Abu Dhabi 

Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin e xhudos, që u mbajt në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Kampionia Olimpike (-52 kg) mposhti me ipoon italianen Odette Giuffrida, pas një luftë të ashpër që zgjati rreth 10 minuta. Italianen e kishte mundur edhe në finalen e Lojërave Olimpike Rio 2016. Në përgjithësi, Majlinda fitoi pesë luftëra, të cilat i sjellin edhe 1 mijë pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020. Majlinda në këtë grand slam mposhti xhudistet Salimata Fofana (Bregu i Fildishtë), Anna Kazyulina (Kazakistan), Park Da Sol (Kore Jugore), dhe Chelsie Giles (Britani e Madhe)./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne