Dalin detaje të reja nga grupi hetimor për grupin e të rinjve që u kapën ditën e djeshme me 9 mina me telekomandë në Lezhë.
Policia, ndoshta edhe për shkak të hetimeve, po edhe për shkak të rrezikshmërisë së lartë që mbart ky akt, nuk bën me dije nëse është gjetur personi pritës, ndërsa jo zyrtarisht, burime të besuara policore bëjnë me dije se është jo vetëm identifikuar por edhe marrë në pyetje, paçka se ka mohuar gjithçka që pretendohet të jetë thënë nga dy të arrestuarit në kushtet e flagrancës.
Policia bën me dije se ka përdorur një oficer të infiltruar, për të kapur grupin. Ajo që po hetohet me intesitet është e dhëna se personi për të cilin janë porositur minat me telekomandë, flitet se është një biznesmen i madh në zonën e veriut.
Policia e Lezhës ka arrestuar dy të rinj që po transportonin mina me telekomandë nga Tirana në Lezhë. Njëri ndër ta, vetëm 18 vjeç, është djali i një biznesmeni ndërtimi që u vra në Tiranë katër vjet më parë. 9 minat me telekomandë, të pajisura me telefon për shpërthim në distancë, iu sekuestruan dy të rinjve nga Tirana, të cilët u arrestuan në Lezhë, në kuadër të operacionit të koduar “Etalon”.
Ata ishin në vëzhgim prej disa kohësh nga policia, që kishte informacione në rrugë operative mbi aktivitetin e tyre kriminal. Në çantën që iu sekuestrua 21-vjeçarit, Franko Çinari dhe 18-vjeçarit, Stavro Kotorri, policia gjeti edhe materiale të tjera që shërbenin për përgatitjen e minave. Në kërkim është shpallur edhe një 30-vjeçar po nga Tirana, ndërsa, sipas burimeve nga policia, nga grupi mund të siguroje një minë të telekomandueshme në distancë për 3 mijë euro.
Po sipas burimeve, dyshohet se 9 minat që janë sekuestruar do t’i dorëzoheshin një biznesmeni nga veriu i vendit, megjithatë për këtë rast Policia e Lezhës po vijon hetimet. Po ashtu mësohet se nga të dhënat e para se njëri nga dy të arrestuarit është vetë personi që realizon gjithë procesin e realizimit të një mine.
Policia mësohet se i ka ndjekur ditën e djeshme që nga Tirana të rinjtë deri në Lezhë, po nuk dihet se përse nuk është lënë të shkojë deri në fund “puna” e djemve me mina për të bërë të mundur edhe vënien në pranga të personit për të cilin ishin realizuar nëntë armët vrasëse.