Kush është grupi iranian i vënë nën shenjestrën e bombave por që është shumë i dashur për aleatët e Trumpit?

Saeed Kamali Dehghan (theguardian)

Muxhahedin Khalq (MeK), grupi ekstremist i opozitës iraniane i cili ishte objekt i një sulmi me bombë në Francë, dikur ishte një armik i betuar i Shteteve të Bashkuara. Grupi iranian i kultit ishte përgjegjës për vrasjen e gjashtë amerikanëve në Iran në vitet 70; në vitin 1979, me entuziazëm përshëndeste zaptimin e ambasadës amerikane në Teheran, kur studentët e zemëruar mbanin peng 52 diplomatë amerikanë për një periudhë prej 444 ditësh.

Megjithatë kundërshtia i Mek-ut ndaj sundimtarëve aktualë të Teheranit ka bërë që grupi të fitojë aleatë të fuqishëm në perëndim, veçanërisht në mesin e amerikanëve të prirur për ndryshimin e regjimit.

Rudy Xhuliani, avokati personal i Donald Trumpit, ju adresua të shtunën e kaluar një tubimi të MeK-ut në Paris, ku bëri thirrje për ndryshim të regjimit iranian. Të hënën, autoritetet belge thanë se katër vetë, duke përfshirë edhe një diplomat të ambasadës iraniane në kryeqytetin austriak Vjenë, u arrestuan pasi u akuzuan për përgatitjen e një sulmi me bombë në Francë ku shënjestra ishte tubimi i MeK-ut.

Shumë prej atyre 4,000 personave të mbledhur të cilëve ju adresua Xhiuliani, ishin europiano-lindorë që kishin udhëtuar për të marrë pjesë në këtë aktivitet në këmbim të një udhëtimi turistik në Paris. Xhuliani vjen prej politikanëve të profilit të lartë amerikan, përfshirë John McCainin dhe John Boltonin, të cilët e kanë takuar udhëheqësen e MEK-ut, Maryam Rajavin dhe kanë folur nëpër mitingjet e saj.

Ishte vetëm viti 2012 kur SHBA e nxorri atë jashtë listës së grupeve terroriste. Por ardhja e John Boltonit, avokatit më të fuqishëm të MEK-ut, si këshilltar i sigurisë kombëtare në SHBA, i ka dhënë grupit nje afërsi të pashembullt me Shtëpinë e Bardhë dhe një situate të re në jetën politike.

“Sot ekziston një opozitë e qëndrueshme ndaj sundimit të ajatollahëve dhe ajo opozitë sot gjendet në këtë dhomë”, tha Bolton në një tubim të MEK-ut në Paris vitin e kaluar. “Sjellja dhe objektivat e regjimit nuk po ndryshojnë, prandaj zgjidhja e vetme është ndryshimi i vetë regjimit”.

Ngjitja e Boltonit në Shtëpinë e Bardhë e ka ringjallur grupin, thonë analistët, duke ngritur pyetje rreth rreziqeve që sjell afrimiteti në rritje i grupit me presidentin amerikan. Ekspertët thonë se grupi për të varrosur të kaluarën e tij të errët dhe për ta portretizuar veten si grup demokratik dhe si alternativa me e mirë ndaj Republikës Islamike, përdor shkeljet e të drejtave të njeriut.

Që ku MeK u krijua në vitet 60 për të shprehur një përzierje të marksizmit dhe islamizmit, besohet të ketë midis 5.000 deri në 13.000 anëtarë. Ai i nisi fushatat e sulmeve me bomba kundër Shahut dhe i vazhdoi edhe pas revolucionit islamik të vitit 1979, kundër Republikës Islamike. Në vitin 1981, gjatë një serie sulmesh, vrau 74 zyrtarë të lartë, duke përfshirë 27 deputetë. Më vonë, në po atë vit, ata vranë në një sulm me bombë presidentin dhe kryeministrin e Iranit.

Gjatë luftës tetëvjeçare Iran-Irak të viteve 80, MEK u strehua në kampet e Irakut. Grupi luftoi kundër Iranit në krah të diktatorit irakian Saddam Hussein. Pushtimi i Irakut prej Shteteve të Bashkuara në vitin 2003 ishte një pikë kthese për grupin, i cili deshi që ta paraqisë veten si forcë demokratike.

Sot, ai funksionon si një grup ekstremist në mërgim me karakteristikat e një kulti që punon për ndryshimin e regjimit iranian, megjithëse brenda vendit ka pak mbështetje të dukshme. Ai e portretizon veten si një institucion politik demokratik edhe pse struktura e tij e brendshme nuk ka asnjë lidhje me demokracinë.

Eli Clifton, një anëtar i institutit the Nation Institute, tha se ndikimi i MEK-ut në SHBA është i shumëllojshëm. “Kur anëtarët e MeK-ut shkojnë dhe gëlojnë në Capitol Hill dhe kërkojnë takime me anëtarët e Kongresit,” thotë Clifton,” ata shpesh janë zërat e vetëm që dëgjohen, sepse në Capitol Hill thjesht nuk ka një prani te madhe iraniano-amerikane”.

Clifton tha se MeK, i cili vepron nën një seri emrash të disa grupeve të tjera, firmos çeqe me shuma tepër të mëdha për personat që flasin në eventet e tyre. Sipas vlerësimeve, shumat variojnë nga 30,000 dollarë deri në 50,000 dollarë për fjalim. Bolton llogaritet të ketë marrë mbi 180,000 dollarë për të folur në tubimet e shumta të MEK-ut. Një e dhënë e fundit financiare tregon se ai ishte paguar me 40,000 dollarë për një fjalim në një tubim të MEK-ut vitin e kaluar.

Gazetari iraniano-amerikan i Washington Postit, Jason Rezaian, i cili u burgos në Teheran për më shumë se një vit, shkroi në mars se gjatë shtatë viteve që ai jetoi atje, pa shumë kritika ndaj ajatollahëve, por “asnjëherë nuk takoi një person që mendonte se MEK ishte një alternativë e besueshme”.

Clifton tha se MEK “ka me shumicë cilësitë e një kulti”. Ky përshkrim u përsërit nga Iraj Mesdaghi, një aktivist iranian i bazuar në Suedi, i cili u burgos në Iran që nga viti 1981 deri në vitin 1991 për lidhjet e tij me MEK-un. Mesdaghi u largua nga Irani në vitin 1994 dhe punoi në selinë e MEK-ut në Auvers- sur-Oise, Francë, deri në vitin 2001.

“Në Mek, gjithçka vërtitet rreth lidershipit, dhe lidershipi do të thotë Masoud Rajavi [burri i Merjem Rajavit, i zhdukur që nga viti 2003]. Jo vetëm zemra dhe çdo dashuri e juaja i përket atij por edhe dashuria për bashkëshortin, nënën, fëmijët duhet të jenë vetëm për të”, tha ai.

Ai e krahasoi punën me MEK-un si të mbaje në dorë një tel elektrik. “Ju duhet të ndiqni rrugën, duhet të transferoni atë që ju jepet, as mos e mendoni të shtoni apo të hiqni dicka dhe fjala “nëse” aty nuk akziston”.

Një raport i Departamentit të Shtetit i vitit 2007 përfshinte pohimet se MEK i kishte detyruar anëtarët e tij që të shkurorëzoheshin. Human Rights Watch, në një raport prej 28 faqesh, ka hedhur dritë mbi keqtrajtimin e anëtarëve të grupit, duke përfshirë pretendimet se ata që dëshirojnë të largohen nga grupi kanë qenë subjekt i “izolimeve të gjata, rrahjeve të shpeshta dhe torturave”.

Irani, i cili e konsideron grupin si një organizatë terroriste, gjithashtu ka një histori të keqtrajtimit të mbështetësve të MEK-ut. Në verën e vitit 1988, mijëra majtistë dhe përkrahës të MEK-ut u ekzekutuan në një masakër të të burgosurve politikë.

Mesdaghi thotë se anëtarët e MEK-ut të pozicionuar në një kompleks të madh ushtarak në Shqipëri janë në një situatë jo të mirë, sepse statusi i refugjatit nuk u është dhënë dhe për mbijetesë varen vetëm nga lidershipi i grupit. Nga marsi 2013 deri në shtator 2016, rreth 3,000 anëtarë të MEK-ut besohet se janë strehuar në Shqipëri, pasi u transferuan nga Iraku.

Masoud Khodabandeh, një ish zyrtar i lartë i MEK-ut, ka shkruar se anëtarët e MEK-ut në Shqipëri mbahen në mënyrë efektive në gjendjen e një skllavërie moderne”. Në një intervistë të kohëve të fundit, ai e përshkroi grupin si një “kult shkatërrues” i cili i kontrollon anëtarët e tij financiarisht, fizikisht dhe emocionalisht.

MEK nuk i është përgjigjur pyetjeve me email ku kërkoheshin disa komente.

Djavad Khadem, një bashkëthemelues i Unitetit për Demokraci në Iran (UDI), një grup ombrellë i grupeve të opozitës iraniane në mërgim, tha se bashkëpunimi i MEK-ut me Sadamin kundër popullit iranian nuk do të fshihet kurrë nga kujtesa e popullit iranian.

Khadem tha se emërimi i Boltonit nga Trumpi mund të jetë dukur si një grusht shteti për MEK-un, por ai argumentoi se Boltoni ishte i detyruar të vepronte më me përgjegjësi në administratë. “Megjithatë Boltoni do t’i përdorë ata si një instrument presioni ndaj regjimit,” tha ai. “Kjo është një taktikë e keqe, sepse regjimi islamik do ta përdorë atë për të trembur klasën e mesme në Iran, siç kanë bërë për 40 vitet e fundit”.

Clifton tha se pretendimet e MEK-ut mbi zbulimet e agjenturës rreth Iranit shpesh ishin si “me të qëlluar”, ku në disa raste me dështime totale. Megjithatë, grupi me anë të agjenturës se tij arriti të bënte zbulimin lidhur me programin bërthamor të Iranit, të cilin Clifton thotë se ka të ngjarë që grupit informacionin t’ia ketë kaluar Izraeli ose Arabia Saudite. Në vitin 2016, Princi Turki al-Faisal, ish-kreu i agjencisë saudite të zbulimit, ishte një nga personat VIP që morën pjesë në një konferencë të MEK-ut në afërsi të Parisit.

Clifton thotë se MEK e paraqet rrëfenjën për veten sikur është një qeveri e gjallë, laike dhe demokratike e cila qëndron në pritje duke pasur një mbështetje të madhe brenda Iranit.

“Kjo është ndërtuar mbi shumë gënjeshtra,” tha ai. “Është e frikshme nëse politikëbërësit do t’ia vinin veshin dhe do ta besonin këtë përallë”. theguardian/ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne