Kush ishte Muhamet Liko, parodisti i Vlorës, futur në aktrim nga klasa punëtore

Gazetari vlonjat Çlirim Hoxha ka bërë një profil të Muhamet Likos, aktorit të grupt të parodistëve të Vlorës, i cili ndërroi jetë pas një arresti kardiak në Itali.

Ja ç’shkruan gazetari Hoxha për të, njohës i imtësishëm i artit vlonjat dhe figurave të tij:

Muhamet Liko lindi në qytetin e Vlorës në vitin 1956. Që në moshë të vogël u dallua për talentin e tij të humorin. Ishte diçka e brendshme dhe të gjithë sa ndodheshin pranë tij do të gajaseshin nga mënyra e interpretimit.

Muhamet Liko u dallua veçanërisht gjatë olimpiadave amatore të qendrave të punës të qytetit të Vlorës, ku si pjesëtar i ndërmarrjes së përpunim drurit do të rrëmbente disa çmime, duke u evidentuar mes të tjerëve.

Ky talent tërhoqi vëmendjen e drejtuesve dhe regjisorëve të Estradës Profesioniste të qytetit të Vlorës, të cilët do ta thërrisnin në gjirin e tyre krahas gjigantëve të tjerë të humorit si Leka Kruta, Myqerem Ferra, Qirjako Sava, të cilët e inkuadruan Metin në kompleksin simpatik të parodistëve së bashku me tre të mëdhenjtë e tjerë të këtij skuadroni brilant si Agron Hamo, Afrim Agalliu dhe Mane Lumani.

Dhjetëra role me estradën profesioniste të Vlorës, dhjetëra parodi njëra më e bukur se tjetra, dhjetëra turne nëpër Shqipëri dhe dhjetëra ture nëpër botë do ta ngrinin në piedestal talentin e lindur Muhamet Liko.

Meti kishte disa kulme gjatë viteve të interpretimit të tij në skenën e Teatrit “Petro Marko” dhe në skenat e tjera brenda dhe jashtë vendit, por njëri nga rolet dhe interpretimet e papërsëritshëm të tij do të mbetet i stampuar kudo në çdo memorie spektatori, në çdo celuloid televizioni dhe në çdo faqe internet dhe ky është interpretimi i tij i monologut famoz “Agai dhe qypi me mjaltë”. Shkalla e vështirësisë së këtij interpretimi arrinte kulmin e talentit që një aktor mund të arrijë gjatë karrierës së tij artistike.

Muhamet Liko mbante disa urdhra e medalje të akorduara nga Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Bashkisë Vlorë. Ai mban Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të I-rë dhe titullin “Mjeshtër i Madh” Akorduar nga Presidenti i Republikës si dhe është “Qytetar Nderi i Vlorës” akorduar nga Këshilli i Bashkisë Vlorë. /tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne