Kush do ta udhëheqë Ulqinin në 4 vitet e ardhshme?

Ulqin, përndryshe komunën më të madhe me shumicë shqiptare në Mal të Zi, dje u organizuan zgjedhjet lokale. Tetë parti politike dhe dy koalicione kanë propozuar kandidatët e tyre për 33 këshilltarë sa numëron Asambleja Komunale e Ulqinit. Sipas rezultateve paraprake ende jo-zyrtare Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), përndryshe partia më e madhe në pushtet në Mal të Zi ka fituar 9 mandate. Të njëjtin numër të mandateve për këshilltarë ka marrë edhe Forca e Re demokratike e kryetarit aktual të Ulqinit, Nazif Cungu. Menjëherë pas saj pason Partia Demokratike (PD) e udhëhequr nga Fatmir Gjeka me 7 mandate, Unioni Demokratik i Shqiptareve (UDSH) me kryetar Ministrin aktual të pakicave Mehmet Zenka 3, Social-Demokratët (SD) 3 këshilltarë si dhe lëvizja qytetare Ura dy këshilltarë. Duhet theksuar se asnjëra nga partitë dhe koalicionet nuk ka numrin e nevojshëm të mandateve për të formuar vetë pushtetin, prandaj në ditët në vijim pritet të zhvillohen bisedime për formimin e koalicioneve, të cilat do te udhëheqin Ulqinin në 4 vitet e ardhshme.

Rëndomë pushtetin lokal në Ulqin e kanë udhëhequr partitë shqiptare, respektivisht koalicionet e tyre, mirëpo sipas bartësit te listës së Partisë Demokratike të Socialisteve (DPS) z. Loro Nrekiq, kësaj radhe kryetari i komunës do të duhet të jetë nga radhët e kësaj partie. Duhet theksuar se sipas rezultateve paraprake të publikuara mbrëmë vonë në mesnatë Partia Social Demoktate (SDP), Partia Boshnjake (BS) si dhe koalicioni i Partisë Socialiste Popullore dhe Frontit Demokratik nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor për të pasur këshilltarë në asamblenë e re të komunës së Ulqinit.

Përndryshe për këto zgjedhje kanë treguar interesim për ecurinë e tyre faktori ndërkombëtar OSBE–ODHIR, zyra e Bashkimit Evropian (BE) e akredituar në Podgoricë si dhe përfaqësues të Ambasadave të ndryshme në Mal të Zi. Si zakonisht zgjedhjet kanë kaluar në një atmosferë të qetë dhe demokratike pa ndonjë incident të theksueshëm e po ashtu edhe fushata parazgjedhore ka qenë e qetë.

Ulqini si komuna më jugore me shumicë shqiptare e Malit të Zi me një trup prej rreth 20 mijë votues, shquhet si qytet me tolerancë zgjedhore dhe gjatë të gjitha zgjedhjeve qofshin ato parlamentare apo lokale, nuk ka pasur incidente që mund të tërhiqnin vëmendjen e opinionit. Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, të drejtë vote në Ulqin kanë 19.869 qytetarë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne