Kushdo të zgjidhet nesër, pasnesër do të kemi dy Parti Demokratike

Nga Artur Zheji

Shanset janë padyshim për Lulëzim Bashën si kryetar të Pd. Por sigurisht do të jetë paskëtaj një Kryetar partie i dëmtuar jo pak në imazh, sepse për herë të parë mbas shumë vitesh te Demokratikja, sahanët janë pa kapak dhe eksponentë të rëndësishëm, tashmë eksponentë të djeshëm, kanë sulmuar egërsisht dhe pa më të voglin filtër.

Sidomos kampi i kundërshtarëve të Bashës, që e kanë goditur kryetarin e ngrirë, poshtë brezit dhe duke kaluar madje edhe në sharje direkte. Basha sidoqoftë, ka ruajtur një profil më politik dhe nuk ka shërbyer kundërshtarët në mënyrë reciproke, ndoshta dhe sepse është ndjeshëm më shumë në avantazh se sa Selami.

Porse, edhe mbas fitores së nesërme, pothuajse të sigurt të Lulit, Pd, nuk do të jetë më ajo e para. Grupi kundërshtar i Bashës, duke lexuar në mënyrë të paqartë, qëndrimin e dyzuar dhe prej sfinksi të Berishës, që mbetet një pikë referimi, e kanë shpallur pothuajse armik të Pd, kryetarin e ngrirë dhe ndoshta sigurisht kryetarin e nesërm të Pd. Mos ruajtja e masës në polemikat e tyre kundër tij, duket se me rizgjedhjen e Lulëzim Bashës, kryetar të Pd, kanë lënë pak ose aspak hapësira, për të filluar një bashkëpunim me Lulin, të cilit u përpoqën ti shkulin dhëmbë e dhëmballë, edhe në planin familjar.

E pra, duke djegur çdo urë, ndryshe nga Selami i moderuar, një pjesë e madhe e “grupit të zjarrit” anti-Basha, vështirë se do të mund ta gjejë përsëri veten në kupolën e lartë të Pd, sepse nëse deri sot kanë humbur 50% të peshës, nesër me Bashën kryetar të Pd, kanë rrezikuar edhe 50% të tjera, që mbeten.

Duke gjykuar edhe faktin se Topalli, Patozi, Mustafaji dhe të tjerë, janë energjikë dhe ambiciozë, nuk se do të pranonin të shuheshin në rreshtat e fundit të vendimmarrjes së Pd, me një kryetar, të cilit e kanë quajtur maskë, të pashpresë, të paaftë, të korruptuar, uzurpator… e të tjera si këto.

Për paradoks, historia politike e Bashës, ngjan jo pak me atë të Ramës në Ps. Ramën e soli Nanua si outsider dhe Berisha solli në skenë Bashën, po ashtu. Kjo duket një “padrejtësi” ndaj atyre që kanë bërë një jetë partie të vazhdueshme, në pritje të shpërblimit natyral të karrierës dhe të qëndrueshmërisë. Porse kapriçiot e kapërcimeve të etapave, janë në të vërtetë edhe ato, një gjë e zakonshme në politikë. Rasti i Italisë me Renzin, në Francë me Macron, apo në SHBA me Trump, janë raste karrierash vertikale duke djegur etapat normale dhe duke krijuar padyshim një reaksion të ngjashëm njerëzor, si edhe rasti i Ramës, dje në Ps, apo i Bashës në Pd.

Kështu që grupin, tashmë të fuqishëm anti-Basha, e pret një sfidë poshtëruese brenda Pd, me fitoren e Bashës dhe një sfidë e pabarabartë nëse vendosin të krijojnë një Parti të re.

Nëse Basha humbet nesër, gjë që ka fare pak gjasa, gjithë çfarë thamë për të tjerët, vlen edhe për të, sepse ai nesër nëse humb, do të ishte sakaq njeriu më i persekutuar në Pd.

Pra, Partia Demokratike u ça. Dhe kjo dëshmon se roli i Berishës sot, është dukshëm një rol tejet i zbehur dhe me një fuqi të ulët vendimmarrëse. Berishën pra, e kanë gjithmonë e më pak frikë në Pd dhe pamvarsisht Marrëveshjes Rama-Basha, ky pozicion i sotshëm i Doktorit, është padyshim, përtej dialektikës, edhe një produkt i Ramës. Që ja doli të ushtrojë peshën e duhur në hallkën më të dobët të sistemit të sotëm politik, duke çarë dhe përçarë Partinë Demokratike.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne