Kuzhina turke prezantohet në Tiranë

Në ambientet e rezidencës së Ambasadës së Turqisë në Tiranë janë prezantuar gatimet tradicionale turke.

Me pjesëmarrjen e bashkëshorteve të përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri, qytetarëve shqiptarë dhe të ftuarve të tjerë, gatimet turke u prezantuan dhe u shijuan nga të pranishmit, duke përfshirë byrekë, bakllava, ëmbëlsira të ndryshme dhe gatime të tjera.

Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortja e Ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se Turqia ka një popull shumë mikpritës, dhe sipas saj, nisur nga kjo gjithmonë ka shumëllojshmëri ushqimesh të servirura pranë çajit.

“Arsyeja e mbledhjes sonë sot këtu është zhvillimi i një workshopi bashkë me bashkëshortet e ambasadorëve të disa vendeve të akredituara në Tiranë dhe me miqtë tanë shqiptarë për të mësuar se si gatuhet një ëmbëlsirë që tek ne përdoret gjerë, ‘ballı toplar’ (topat me mjaltë)”, tha Ayşegül Erdal Yörük, duke shtuar se kanë përgatitur edhe shumë produkte që në Turqi serviren bashkë me çajin.

Duke folur për gatimet që ishin përgatitur për këtë prezantim ajo tha se përveç ushqimeve me kripë janë përgatitur edhe ëmbëlsira të ndryshme.

Ushqimi për mua është thjesht një shkak për t’u mbledhur. Është gjithashtu një mision për të përforcuar miqësitë, por ajo që është më e rëndësishmja është se ne ushqimin e kemi më shumë si shkak për t’u mbledhur“, tha bashkëshortja e ambasadorit të Turqisë në Tiranë.

Arjana Sina, qytetare shqiptare e cila ishte e pranishme në këtë prezantim tha se ka edhe ngjashmëri mes gatimeve turke dhe atyre shqiptare. 

Kuzhina turke është e shumëllojshme. Unë jam ftuar disa herë në darka dhe dreka turke dhe në çdo rast ka kaq shumëllojshmëri dhe gjëra që nuk i kam provuar asnjëherë. Karakteristikë e tyre është që përdoret shumë pak brumë, qoftë në byrek qoftë në pite dhe brumi është aq i hollë dhe shumëllojshmëria e tyre është shumë e shëndetshme”, u shpreh Sina.

Duke folur në lidhje me ngjashmëritë me kuzhinën shqiptare ajo tha se: “Ka mbivendosje, nuk e gjej dot nga është origjina e disa prej tyre shqiptare apo është turke. Sigurisht që ka ngjashmëri, është diçka më shumë pikante sesa ushqimi ynë”.

Teuta Gjunkshi, një tjetër qytetare shqiptare që ishte pjesë e këtij prezantimi theksoi se: “Kuzhina turke cilësohet për shumëllojshmërinë. Unë sot po i shikoj akoma edhe nga afër për shumëllojshmërinë dhe profesionalizmin, cilësinë e gatimit. Të gjitha ishin të shkëlqyera, duke u nisur që nga gatimet me sheqer dhe gatimet me kripë. Pothuajse ne kemi një kuzhinë të përafërt, kuzhina shqiptare me kuzhinën turke”.

Gatimet tradicionale turke janë prezantuar shpesh gjatë viteve të fundit në Shqipëri, si në aktivitetin “Ditët e Turqisë”, gjithashtu edhe në aktivitete të tjera./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne