Ky është një marsh selxhuk, një marsh osman, një marsh i Republikës Turke. Hapni sytë, zgjohuni!

nga Ibrahim Karagul.

Nuk është më e mundur që të ndalet Turqia. Nuk do të jetë më e mundur të vendoset ky vend nën tutelë, të urdhërohet përsëri. Pa marrë parasysh se kush mund të jetë, qoftë SHBA-ja me Izraelin apo edhe vendet evropiane apo ndonjë forcë tjetër, tani e tutje, nuk do të jetë e mundur që ta nënshtrojnë Turqinë. Nuk do të jetë e mundur të kontrollohet Turqia, qoftë nga ndërhyrja e huaj ose nga dora e “brendshme e pushtuesve”.

Sepse tashmë Turqia, e cila është një nga vendet qendrore të dominimit global, nuk ka nevojë për ndonjë marrëdhënie të tillë të njëanshme të varësisë – dhe nuk do të ketë nevojë për një të tillë që tani e tutje.

Pavarësisht nëse SHBA refuzon të shesë F-35-at, fillon sanksionet e armëve, vendet e BE-së përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhje dhe nisin një embargo sekrete, Izraeli pozicionohet me një qëndrim, partnerët e tij nga brenda corodisin mendjet, disa vende arabe përdoren si ekzekutorë, aktivizohen organizatat terroriste, asnjë nuk ka për ta arritur rezultatin që synon. Le të mundohen ta kontrollojnë Turqinë nëpërmjet këtyre metodave, nuk do të jetë më e mundur që madje as të influencojnë më.

Që tani e tutje nuk do ta diskutojmë më botën, as bota nuk do të merret me ne

Pas zgjedhjeve të 24 qershorit, ne do të shohim një vend që i ka mbyllur debatet e tij të brendshme, që është hapur tërësisht me rajonin dhe me botën. Ne do të shohim një vend që është i orientuar drejt rajonit dhe botës, në vend të atij vendit të mbyllur. Ne do të shohim një fuqi, aktiviteti rajonal i së cilës është rritur jashtëzakonisht, dhe jo atë që lufton me problemet e veta të brendshme. Ne do të shohim një vend që për atë diskutohet jashtë dhe jo në nivel lokal.

Ne do të shohim një Turqi që e shkatërron terrorizmin në burimin e tij, jo atë që përpiqet ta mposhtë atë së brendshmi. Ne do të shohim një vend që drejton aftësinë e tij të operimit jashtë vendit, jo një vend që i nënshtrohet operacioneve; ne do të kemi një vend që e mbron veten jashtë vendit, në burimin e kërcënimit, jo brenda vendit apo në kufijtë e tij.

Që tani e tutje, ne nuk do ta diskutojmë më botën, por edhe bota nuk do të merret me ne. Do të jetë një vend që do ti ndërmarrë veprimet sipas projekteve të veta rajonale dhe globale, jo si ai që vepron sipas projekteve të të tjerëve. Tani do të kemi një periudhë në të cilën deklaratat si: “Çfarë do të thonë SHBA, çfarë do të thotë BE, çfarë do të thotë Izraeli”, kanë për ta humbur domethënien, fuqinë dhe besueshmërinë, dhe do kemi zëra që thonë, “çfarë thotë Turqia, ajo e ka peshën dhe vlerën.

Kur ne marshojmë, rajoni do të marshojë, historia do të ndryshojë. Besoje këtë!

24 Qershori do të jetë një datë e këtij vendi, vullneti i të cilit ka bërë histori që nga selxhukët, geni politik i të cilëve rindërtoi qëndrueshmërinë e Republikës Selxhuko-Otomane.

Prandaj, mbështeteni këtë ngritje të re të madhe. Bashkohu me vullnetin dhe marshin e krijuesit të madh të historisë, Anadollin e “tretë”. Mos harroni, kur ne marshojmë, Ballkani do të marshojë, Kaukazi do të marshojë, Mesopotamia do të marshojë, i gjithë rajoni do të marshojë. Kur ne marshojmë edhe historia do të ndryshojë përsëri, rajoni do të ndërtohet sërish, selxhukët, osmanët, Republika Turke do të marshojnë sërisht. Kjo është mënyra se si ka funksionuar për një mijë vjet dhe do të jetë sërish njësoj.

Kjo nuk ka identitet politik, kjo do të jetë një rrugë e drejtë

Mos i kushtoni vëmendje përpjekjeve të organizatës terroriste të Fetullahut (FETÖ-s) për të shkaktuar hutim; mos i kushtoni vëmendje Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK-së) dhe përpjekjeve të saj për të shkaktuar konfuzione; mos i kushtoni vëmendje operacioneve mendore të grupeve pro-FETÖ-s dhe pro Partisë së Unionit Demokratik (PYD); mos i kushtoni vëmendje agjendave të fshehura të “opozitës konservatore”; mos i kushtoni vëmendje pikëve personale dhe grindjeve të partive opozitare që janë ende në botën e tre dekadave më parë dhe që nuk prodhojnë sot asgjë; dhe mos i kushtoni vëmendje planeve të pista që vijnë nga rrethi i Atlantikut dhe nga jugu.

Ky është një vlerësim historik, është një vlerësim i qytetërimit, një vlerësim i pushtetit. Është një nga provat më të mëdha të historisë së mijëvjeçarit tonë të vjetër; kjo është një rrugë e drejtë që ndan të drejtën nga e gabuara.

Kjo nuk mund të ketë një identitet politik. Nuk ka asnjë identitet etnik, identitet sektar, ose anësira politike të mbetura nga Lufta e Ftohtë. Kjo është një kauzë e Turqisë, është një përballje historike, është përpjekja për ta vendosur Turqinë në qendër të botës që po ri-themelohet dhe është përpjekja për të mbartur pretendimet dhe teoritë tona të shekujve të shkuar për tek e sotmja, tek e tashmja.

Nuk ka Lindje apo Perëndim për ne, tani ne jemi qendra

Kështu që për ne nuk ka më Lindje apo Perëndim. Nuk ka Veri apo Jug. Nuk ka Evropë apo Azi. Ato të gjitha ekzistojnë, por ne jemi në qendër, dhe po kështu është edhe rajoni ynë, planet tona, pretendimet tona, kujtesa jonë, idealet tona, entuziazmi dhe përpjekjet tona.

Le të mos e personalizojmë këtë përpjekje të madhe dhe le të mos e fshehim apo ta sakrifikojmë atë për grindjet personale të partive dhe liderëve të caktuar politikë. 24 qershori nuk është një çështje partiake, nuk është një çështje e prerë për pushtet, dhe nuk është çështje e fjalëve politike pa vizion. 24 qershori nuk është vetëm një datë zgjedhjesh; është një alternativë, një votë e fatit.

Është një çështje për të vendosur se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Turqisë, do të jetë e ndritur apo do të jetë e errët. Ky do të jetë rezultati i vërtetë i 24 qershorit. Pastaj vjen çështja kombëtare, historike; vjen përgjegjësia për të qëndruar në boshtin e vatanit.

Operacionet Mburoja e Eufratit, Afrini dhe Kandili janë tingujt e hapave të Turqisë

Pastaj, duhet të merret një vendim për atë se kush është në anën e Turqisë dhe kush është në anën e operacioneve shumëkombëshe. Ky është një vendim jetik. Kjo e vërtetë nuk mund të fshihet me fjalë boshe dhe mendje të baltosura. Riaktivizimi i genit të vjetër të mijëvjeçarit nuk mund të dobësohet me anë të sharjeve dhe zemërimit personal.

Mburoja e Eufratit, operacioni i Afrinit dhe ndërhyrja në Kandil janë tingujt e hapave të Turqisë. Do të ketë më shumë; edhe nëse e gjithë bota bashkohet kundër tij, do të ketë më shumë dhe duhet të ketë. Dy vjet më parë, disa i denoncuan thirrjet “me cilëndo kosto, edhe nëse kjo do të thoshte vetëvrasje, Turqia duhet të ndërhyjë nga kufiri iranian deri në Mesdhe”. Ata thanë se ishin nxitje për luftë dhe fushata të njollosura. Ne e dimë se kush e organizoi këtë, por tani po qëndrojmë në qetësi.

Mosul-Alepo është vija jonë e mbrojtjes

Por ky realitet nuk mund të shmanget. Ky vend nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të mblidhte forcat. Ky vend nuk mund të bëjë ndalesa; ai do të shembet në momentin që ndalon. Tani, pavarësisht se cili vend apo organizatë është në atë zonë që përfshin kufirin iranian dhe Mesdheun, është e qartë se nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të jemi në atë zonë.

E gjithë zona mbi vijën Mosul-Alepo është një zonë sigurie për Turqinë. Në asnjë mënyrë kjo zonë nuk mund të lihet e paqëndrueshme. Nëse do të mbetet e paqëndrueshme, Turqia duhet të marrë kontrollin mbi të. Gjendja kritike rajonale dhe globale do t’ia japë Turqisë këtë zbrazëti.

Ne do të shohim në vitet e ardhshme që kjo ishte ajo që pritej të ndodhte. Kudo që ka terrorizëm shumëkombësh, qoftë në Ayn el Arab, Kamishli, Hasakah, Mahmur dhe kudo që ekzistojnë planet e ndërhyrjes, do të jenë nën shenjestrimin e Turqisë.

Marshi i Erdoganit: marshi Selxhuk, marshi otoman, marshi i Republikës

Marshi i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan është një marsh Selxhuk, një marsh osman, një marsh i Republikës dhe një marsh i Turqisë së ardhshme. Armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm e dinë mirë këtë dhe po synojnë ndaljen e Turqisë.

Ky është marshi i të ardhmes të një kombi; është marshi i Anadollit, marshi i rajonit. Sa herë që është forcuar Anadolli, e njëjta ka ndodhur edhe me rajonin, dhe një moment historik ka ndodhur. Kjo është ajo që do të ndodhë edhe këtë herë. Gjithkush që shikon të kaluarën mijë-vjeçare do të shohë se kështu ka qenë.

Hapini sytë…

Kjo është mbrojtja e Jeruzalemit, Lufta e Pavarësisë!

Ky është 24 qershori, momenti i së vërtetës. Nuk është i ndryshëm nga mbrojtja e Jeruzalemit, mbrojtja e Medinës, mbrojtja e Çanakalasë dhe Lufta e Pavarësisë. Mund të duket e tepruar për disa, por kur marrim parasysh rajonin, botën dhe të ardhmen e Turqisë, është pikërisht kjo. Sepse, nëse nuk i vendosim këto themele sot, nëse nuk vendosim për Turqinë e fuqishme, nëse kthehemi në shesh lojërash të grupeve të caktuara, ato rajone nuk do të mund të mbrohen përsëri. Vendimi që po marrim sot do të hedhë bazat e kësaj mbrojtjeje.

Hapini sytë. Mos u besoni fjalëve të parëndësishme, premtimeve, ose paqartësirave. Shikoni të kaluarën, shikoni përpjekjet ndër shekuj. Vendosni për të ardhmen. Jepini forcë gjeneratës bazë të së tashmes, kuadrit kryesor.

Sepse nëse e humbim këtë mundësi, ata nuk do të na japin më një shans për një tjetër shekull. Për këtë të jeni të sigurt./yenisafak/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne