Lagarde paralajmëron: Përgatituni kundër një stuhie të mundshme në ekonominë botërore

Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, tërhoqi vëmendjen të hënën se ekonomia globale po ngadalësohet me një shpejtësi më të lartë sesa parashikimet.

Christine Lagarde paralajmëroi gjithashtu se “katër retë” që influencojnë ekonominë globale mund të krijojnë një “stuhi” të mundshme.

Duke folur gjatë një samiti të organizuar në Dubai, shefja e FMN-së kërkoi nga qeveritë e vendeve që të përgatiten kundër një stuhie të mundshme në ekonominë botërore.

Pasi theksoi se rreziqet në fjalë janë “tensionimet tregtare dhe rritja e tarifave doganore shtesë, shtrëngimi financiar, paqartësia e procesit të largimit të Anglisë nga Bashkimi Evropian (Brexit) dhe regresi në rritje në ekonominë kineze”; Lagarde tha se efektet e tensionimit tregtar ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës kanë filluar të duken që tani.

“Ne s’kemi dijeni se si do të ulet ky tensionim, por mund të shohim që tani se ai ka nisur të prekë besimin në tregti dhe tregje”, u shpreh ajo duke vënë në pah se rrezik përbëjnë gjithashtu shpenzimet e borxheve të rënda të qeverive dhe kompanive.

“Kur moti është shumë i vranët, kur ka shumë re, një vetëtimë është e vetmja gjë që nevojitet për të ngritur stuhinë”, deklaroi Lagarde mes të tjerash./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne