Lajme të këqija për pensionistët, thellohet deficiti i skemës së pensioneve

Pas një përmirësimi gjatë vitit 2017, deficiti i skemës së pensioneve iu kthye përkeqësimit në vitin 2018. Në kushtet kur numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi dhe, nga ana tjetër, kontribuuesit në zonat rurale po bien, deficiti i skemës së pensioneve po thellohet.

Sipas të dhënave zyrtare të ISSH, në vitin 2018, deficiti i skemës së pensioneve arriti 45.8 miliardë lekë, duke u rritur me 1.7% në krahasim me vitin 2017.

Rezultatet negative në reduktimin e deficitit në skemën e pensioneve erdhën nga shpenzimet më të larta për pensione se arkëtimet nga të ardhurat prej kontributeve. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore për pensionet arritën në 125 miliardë lekë më 2018, me një rritje vjetore 5.2%.

Deficiti i skemës së pensioneve është frenuar më së shumti nga reforma e pensioneve, që ka rritur moshën e daljes në pension e për rrjedhojë ka frenuar numrin e pensionistëve të rinj në skemë.

Vlera e deficitit në skemën e pensioneve është gati dyfish më e lartë se në vitin 2013, edhe pse në skemë janë shtuar 180 mijë kontribuues të rinj që nga 2013. Ekspertët në ISSH thonë se, pa reformën do të kishim thellim të mëtejshëm për shkak se numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, skema e pensionit në Shqipëri nuk është e balancuar financiarisht.

Kjo paqëndrueshmëri financiare është rezultat i rritjes së shpejtë të masës së pensioneve para pak viteve.

Shkaqe të tjera janë numri i ulët i kontribuuesve, mosdeklarimi i pagës reale, numri relativisht i lartë i pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, mosha e ulët e pensionistëve si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve ‘90 dhe mosha e ulët e daljes në pension për disa kategori të veçanta, ndryshimet demografike, niveli i papunësisë dhe niveli i lartë i emigracionit i forcave të punës.

Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve.

Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për vitin 2016, numri i personave në pension arriti në 611,544 persona, me një shtesë prej mbi 12 mijë e 600 pensionistësh nga 2015-a.

Presionet që po vijnë nga plakja e popullsisë

Numri i pensionistëve arriti në 635,700 persona vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në skemë janë shtuar 14 mijë e 500 pensionistë të rinj, duke bërë që numri i pensionistëve të zgjerohet me 2.3% në raport me një vit më parë.

Ekspertët pohojnë se numri i pensionistëve po rritet nga viti në vit për shkak të plakjes së popullsisë. Bumi i lindjeve në vitet ‘50-‘60 tani ka moshën e pensionit. Rritja do të ishte edhe më e lartë po të mos rritur koha e daljes së pension me pesë vite për gratë.
Me gjithë rritjen e numrit të pensionistëve, qeveria synon të mbajë shpenzimet për pensionet në kontroll, madje t’i ulë ato në periudhë afatmesme.

Shpenzimet në vlera neto për skemën e pensioneve do të rriten me rreth 22 miliardë lekë (176 mln euro) në tre vitet në vijim, por në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ato shënojnë rënie.

Nga 7.5% e PBB që ishin shpenzimet për skemën e pensioneve më 2018, ato do të arrijnë në 7.3% e PBB në vitin 2021.

Gjithsesi, në vlera neto, shpenzimet e skemës po rriten për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve nga viti në vit si pasojë e plakjes së popullsisë, teksa numri i kontribuuesve nuk pëson zgjerim në zonat rurale, përkundrazi ka shënuar rënie në vitet e fundit.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 1990, vendi numëronte një popullsi më shumë se 3.2 milionë banorë, teksa paguanin sigurime më shumë se 1.4 milionë persona. Në vitin 2017 paguan sigurime vetëm 752 mijë persona, teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ishte mbi 2.8 milionë.

Të dhënat krahasuese tregojnë se, teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ka rënë me 11%, personat që paguanin sigurime kanë pësuar rënie me 49%.

Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 14.36% ose 87,133 persona. Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2018, u raportuan 635,700 të tillë.

Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2018, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s.

Në dy vitet e mëparshme, numri i tyre është rritur me pak më shumë se 5 mijë persona, por në vitin 2013, në skemë janë shtuar mbi 16 mijë pensionistë, më 2015 mbi 15 mijë pensionistë.

Ritmet janë ulur dy vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensione që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë.

Ndryshimi i strukturës së popullsisë do të sjellë kosto të larta për mbrojtjen sociale, por ende nuk ka një studim për efektet e plakjes të popullsisë dhe sfidat me të cilat po përballen këta persona./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne