Lajmet e rreme: kërkesa e Arta Markut për Prokurorinë e Tiranës pa asnjë bazë ligjore dhe e dyshimtë

Arta Marku, prokurorja e ngarkuar me detyrat e Prokurores së Përgjithshme, i kërkoi dje Prokurorisë së Tiranës të nisë vlerësimin ligjor për përhapjen e lajmeve të rreme për tërmete të pritshme të cilat krijuan panik në popullsi.

Ndonëse është e drejta e prokurorisë të hetojë rrethanat e ngjarjes, kërkesa e zonjës Marku është jashtë kompetencave të saj ligjore dhe administrative dhe motivimi i veprimit të saj duket me prapavijë politike, duke qenë se ai erdhi menjëherë pas përbetimeve të Kryeministrit dhe disa ministrave se shkaktarët do të merrnin një mësim të mirë.

Reagimi i Markut erdhi pasi në mbrëmjen e 22 shtatorit, disa media botuan informacione që paralajmëronin një tërmet të fuqishëm me madhësi 6 të shkallës Rihter që do të ndodhte rreth orës 23:30 ose gjatë natës duke u gdhirë 23 shtator.

Këto lajme ngjallën panik të menjëhershëm në publik duke nxitur dhjetëra mijëra qytetarë të Tiranës të braktisnin banesat tyre dhe shumë prej tyre të udhëtonin drejt qyteteve të tjera për të kaluar natën. Përfaqësuesit e qeverisë përgënjeshtruan menjëherë këto lajme dhe kërcënuan me nxjerrjen para përgjegjësisë të atyre që përhapën panikun.

Menjëherë policia shoqëroi dhe mori në pyetje në rajonin e policisë dy gazetarë, një të Syrit dhe një të Shekullit, të cilët dyshohet se ishin autorët të lajmeve që përhapën panik.

Por ndërsa veprimet e policisë, edhe pse të debatueshme, janë të ligjshme, veprimi i Zonjës Marku është shkelje e ligjit.

Ligji për Prokurorinë, në nenin 38 përcakton qartëkompetencat dhe përgjegjësitë e Prokurorit të Përgjithshëm, një pjesë të detyrave të të cilit ushton Zonja Marku, dhe ajo nuk gëzon asnjë të drejtë apo përgjegjësi të ndërhyjë, madje as të kërkojë informacion, për asnjë hetim apo çështje hetmore të kujtdo prokurori të sistemit të drejtësisë.

Në asnjë nga përcaktimet e ligjit nuk parashikohet që PP të mund t’i kërkojë prokurorisë së shkallës së parë të bëjë “vlerësim ligjor” të një rasti të caktuar.

Ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi, i dhanë fund natyrës hierarkike dhe centralizmit të funksionimit të punës së prokurorisë duke i dhënë prokurorit pavarësi të plotë në punën e tij—askush, as edhe eprorët adminsitrativë, nuk mund të ndërhyjnë apo t’i japin urdhëra apo udhëzime një prokurori në lidhje me hetimin e një rasti konkret.

Neni 45 i Ligjit për Prokurorinë, përcakton:

“Prokurorët ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur, gjatë hetimit dhe përfaqësimit të akuzës në gjykim.”

Ligji, megjithatë, parashikon edhe përjashtimet kur Prokurori i Përgjithshëm mund të japi udhëzime për çështje konkrete, të cilat, sidoqoftë, nuk janë të detyrueshme, por mbeten në gjykimin e prokuorit të çështjes. Por sipas ligjit këto udhëzime jepen vetëm drejt prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme.

Neni 48 i ligjit përcakton në mënyrë taksative se “udhëzime për çështje konkrete mund të jepen nga (a) Prokurori i Përgjithshëm për prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme.”

Nga ana tjetër, me kërkesën e saj Zonja Marku ka treguar mungesë të njohurive ligjore pasi “vlerësimin ligjor” që ajo kërkon ta bëjë prokuroria, në fakt, mund ta bëjë vetëm gjykata. Vetëm gjykata mund të shprehet për ligjshmërinë apo jo të një veprimi.

Madje, gjykata nuk mundet të shprehet kryesisht (me nismë të saj) për një rast të caktuar, pasi para shqyrtimit gjyqësor duhet të kryhen hetime, të ngrihet akuzë formale, t’i jepet mundësi palës së akuzuar të informohet dhe dëgjohet, dhe më pas t’i dërgohet gjykatës në mënyrë që ajo të shprehet.

Së fundmi, duhet theksuar se edhe vetë shpejtësia me të cilën u bë kërkesa e zonjës Marku për të kërkuar vlerësim ligjor të bën të dyshosh për motivimin e saj. Realiteti kriminal shqiptar ka patur kaq shumë ngjarje të cilat përfshijnë zyrtarë të lartë, por Zonja Marku nuk ka dëshmuar në asnjë rast ndonjë shqetësim për zvarritjen e tyre./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne