Lali Eri dhe “Shtatë Xhuxhat”

Nga Elis Buba

E dielë e çuditshme, 1 qershor, që solli verën me mugëtirë, reshje dhe shtrëngata. Në fillim të këtij muaji, ballafaqimi kryesor nuk është ai mes dy forcash politike, por ai mes dy llojeve kryekëput të ndryshëm e të kundërt shqiptarësh. Ku fundmuaji do të vërë përballë shqiptarët qytetarë, si një përsiatje e vlerave tradicionale të këtij vendi, dhe shqiptarët parazitarë, si zgjatim interesash, babëzie, fodullëku e cektësie vulgare.

Shqiptarët qytetarë dhe shqiptarët parazitarë

Të parët revoltohen sepse nuk duan t’i dorëzohen dëshpërimit. Të dytët konsumojnë gjithçka, kudo e kurdo të munden, derisa të mos ketë më ç’të konsumohet.

Këta të dytët kanë mes tyre edhe një fraksion, i cili ka gjetur rehati te gënjeshtrat, dhe jetojnë në një flluskë të volitshme, që u garanton padukshmëri dhe paprekshmëri. Këta po i quaj shqiptarët propagandistë.

Problemi kryesor me shqiptarët parazitarë është se, si ata që kanë edhe ata që s’kanë, thonë kam. Gjithnjë skërmiten për dukje, duke blerë veshje e makina të shtrenjta, apo duke shpalosur udhëtime të paqëllimshme luksoze.

Ky është fodullëk i yshtur në shoqërinë shqiptare nga kompleksi i varfërisë. Ky kompleks ua bën të pamundur që një ditë ata vërtet të kenë. Sepse gjithnjë do të shtiren sikur kanë, duke shpenzuar e shpalosur para e të mira që nuk i kanë, duke u sajuar, duke u shtyrë, duke u ngecur… Asnjeherë duke kërkuar të drejtën e tyre, të drejtën për të jetuar me dinjitet. Injorancë dhe vulgaritet në mes të Europës së ndriçuar.

Në rrugën e Elbasanit ka qenë dikur këndi im i preferuar i lojërave. Kur isha fëmijë e më thoshin se do të shkonim te ky kënd, lumturia ime i kapërcente caqet. Më pas, në moshë të rritur më ka rastisur prapë të kaloj andej, me qindra herë, e të përcjell me sy shndërrimet brenda tij.

Në vendin tonë koha nuk rezervon gjëra të mira për pronën publike, por zhgënjimi im i vazhdueshëm për degradimin e këndit u fashit, pasi koka filloi të më dhembë për të tjera gjëra më jetike.

Por para pak ditësh më ra rrugë përsëri andej dhe pashë se në vend të këndit të dikurshëm kishte mbirë një shesh “lojërash” dylekësh, që me siguri nuk do t’i qendrojë dot kohës. Në krah të tij, nxinin themele shumë të thella, që lajmërojnë një kullë të lartë, nga ato që po mbijnë kudo kohët e fundit.

“Sikur të kishte bërë nëna tre a katër si Erion Veliaj!”—deklaroi këngëtarja e talentuar Eneda Tarifa, të njëjtën ditë të takimit tim me “këndin” e ri të lojërave.

Për të dëshmuar sinqeritetin e shpërthimit të saj dëshiror, Tarifa gjeti kohë të shpjegonte se ajo nuk ka asnjë teserë partie, pra fjalët e saj janë fjalë të një zemre krejtësisht të paanshme.

Ato i burojnë nga respekti për Lalin, sepse ai është djalë i mirë. Sepse ai i ka dhënë mundësinë Enedës të zbavisë vajzën e saj pa shumë shpenzime.

Sepse nuk duhet përtuar për t’u bërë “fresk” personave me pushtet, kur ata janë “çuna të mirë”. Pa kurrfarë leverdie.

“Sikur të kishte bërë nëna tre a katër si Erion Veliaj!”

Eneda thotë se artistët kanë mundësi të përfshihen në aktivitete artistike më shumë se më parë.

Por çfarë janë këto aktivitete për të cilat flet ajo? Ahengje, që stimulojnë më tej konsumizmin në ekonominë e një shoqërie barktharë. Kudo, arti i shfaqjeve artistike po rrezaton zvetënim vlerash përballë parasë, duke u kthyer në mall pazari.

Bashkia shkëlqen më shumë se të tërë në këtë zhanër, veçanërisht me aktivitetet që bëhen për t’i dhënë jetë një sheshi të shtrenjtë, i cili duket sikur është importuar nga Shkretëtira e Gobit.

Për rrjedhojë, artistët, më së shumti muzikantët, kanë mundësi të përshihen në aktivitete më shumë se më parë. Kjo përshirje i bën borxhlinj ndaj kryebashkiakut.

Kjo punë e zakonshme dhe e debatueshme, për shkak të shpërdorimit të parave publike, tashmë i duket si nder personal edhe Enedës.

Ndaj ajo e ndieu se duhet të dilte nga turma apo prapaskena, për t’iu bashkuar tribunës për një falenderim të veçantë e miqësor.

Por edhe sikur të biem dakord me Enedën se Lali ynë është djalë shumë i mirë, ahengjet që ai organizon për Enedat nuk janë detyrë e tij.

Në të vërtetë, një djalë i mirë si Lali Eri, që nuk u thotë dot “jo” djemve të tjerë të mirë që duan të ndërtojnë kulla dhjetëra-katwshe, ngjitur me këndin ku do të luajë vajza e Enedës së talentuar, është një e keqe publike.

Lali Eri është i mirë për të keqen tonë të përbashkët.

Ai bën “padashur” po aq punë publike sa edhe punë të papastra. Rasti i “Shtatë Xhuxhave” është më domethënësi.

Ku minikëndi i mjeruar i lojërave do të shtrihet ngjitur me një super-kullë. Strukturë biznesi ndoshta, por biznesi i kujt vallë?

Aty, si edhe në shumë vende të tjera ku valon puna për kate mbi kate, është zonë e banuar, e tejngopur me lëvizje. Kjo është njëra nga zonat më të lakmuara në kryeqytet dhe njëra nga arteriet më të rëndësishme rrugore, që shërben si dalja jugore e kryeqytetit në drejtim të Elbasanit.

“Shtatë Xhuxhat” nesër do të shtrihen ngjitur me një super-kullë, e ngjashme me atë që është planifikuar përballë kompleksit të banimit “Ambasador 3”. Edhe aty një kënd modest lojërash do të shërbejë si makiazh për një super-ndërtim, përbri një stadiumi me kullë – diçka e paparë e e padëgjuar në botë.

Po të kishim nja tre a katër Lala, që punojnë për Tiranën…? Sa bukur!

Jo vetëm emigrantët që vijnë një herë në të rrallë, por edhe ne rezidentët, pas një kohe të shkurtër, nuk do ta njihnim më qytetin tonë.

Ai që është vërtet i mirë, duhet të dijë të jetë i keq me të këqinjtë, në mënyrë të atillë që të mos detyrohet të shtiret si i mirë me të mirët.

Kush i ka sytë hapur dhe është vërtetë i lirë, është gjithnjë i zoti në vendimarrje. Ndaj, e nderuara shoqëri shqiptare, trego që je e lirë e me trurin në vendin e vet, dhe merr vendime të vlefshme për të mirën tënde! Kjo është e vetmja detyrë historike e gjithsecilit ndaj vetes./exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne